Eksodi 9:1-35

  • Plaga 5: ngordh bagëtia (1-7)

  • Plaga 6: çibanë te njerëzit dhe te kafshët (8-12)

  • Plaga 7: breshri (13-35)

    • Faraoni do të shohë fuqinë e Perëndisë (16)

    • Emri i Jehovait duhet të shpallet (16)

9  Prandaj Jehovai i tha Moisiut: «Shko te faraoni dhe thuaji: “Kështu thotë Jehovai, Perëndia i hebrenjve: ‘Lëre popullin tim të shkojë që të më shërbejë.+  Por nëse refuzon ta lësh që të shkojë dhe vazhdon ta pengosh,  ta dish se dora e Jehovait+ do të rëndojë fort mbi bagëtinë që është në kullotë. Mbi kuajt, gomarët, devetë, tufat e kopetë do të vijë një plagë vdekjeprurëse.+  Megjithatë Jehovai do të bëjë dallimin mes bagëtisë së Izraelit dhe bagëtisë së Egjiptit, dhe asgjë që u përket izraelitëve nuk do të ngordhë.’”»+  Gjithashtu, Jehovai caktoi një kohë për këtë dhe tha: «Unë, Jehovai, do ta bëj nesër këtë gjë në vend.»  Kështu Jehovai e bëri këtë gjë të nesërmen, dhe çdo lloj bagëtie e Egjiptit filloi të ngordhte,+ por asnjë nga bagëtia e izraelitëve nuk ngordhi.  Faraoni dërgoi njerëz për të parë dhe ja, nga bagëtia e Izraelit nuk kishte ngordhur asnjë. Prapëseprapë, zemra e faraonit mbeti e pandjeshme dhe ai nuk e la popullin të ikte.+  Pas kësaj Jehovai i tha Moisiut dhe Aronit: «Mbushini duart me blozë nga një furrë tullash, dhe Moisiu ta hedhë në ajër në sy të faraonit.  Ajo do të kthehet në pluhur të imët mbi gjithë vendin e Egjiptit, dhe pluhuri do të kthehet në çibanë të qelbëzuar te njerëzit e te kafshët në gjithë Egjiptin.» 10  Kështu morën blozë nga një furrë tullash dhe qëndruan para faraonit. Moisiu e hodhi në ajër, dhe bloza u kthye në çibanë të qelbëzuar te njerëzit e te kafshët. 11  Priftërinjtë që merreshin me magji nuk u paraqitën dot para Moisiut, sepse plaga e çibanëve i kishte prekur ata dhe gjithë egjiptianët.+ 12  Por Jehovai lejoi që faraonit t’i ngurtësohej zemra e të bëhej kryeneç, dhe ai nuk ua vuri veshin, tamam siç i kishte thënë Jehovai Moisiut.+ 13  Atëherë Jehovai i tha Moisiut: «Ngrihu herët në mëngjes, dili përpara faraonit dhe thuaji: “Kështu thotë Jehovai, Perëndia i hebrenjve: ‘Lëre popullin tim të shkojë që të më shërbejë, 14  sepse tani po dërgoj gjithë plagët e mia kundër teje,* kundër shërbëtorëve të tu dhe kundër popullit tënd, që ta marrësh vesh se në mbarë tokën s’ka asnjë tjetër si unë.+ 15  Se po ta kisha ngritur dorën kundër teje dhe popullit tënd me plagë vdekjeprurëse, ti do të ishe fshirë* nga faqja e dheut. 16  Por, pikërisht për këtë arsye të kam lënë gjallë: që të të tregoj fuqinë time dhe që emri im të shpallet në mbarë tokën.+ 17  Ende sillesh me arrogancë kundër popullit tim e nuk e lë të shkojë? 18  Ja, nesër si në këtë kohë, do të sjell një breshër shumë të madh, të atillë që s’ka rënë kurrë në Egjipt, që nga koha kur u themelua e deri më sot. 19  Prandaj njoftoji të gjithë, që të strehojnë tërë bagëtinë tënde dhe gjithçka që ke në arë. Njerëzit e kafshët që s’janë futur brenda do t’i zërë breshri dhe do të vdesin.’”» 20  Shërbëtorët e faraonit që e respektonin* fjalën e Jehovait, i çuan menjëherë në shtëpi shërbëtorët dhe bagëtitë e veta. 21  Por ata që nuk ia vunë veshin fjalës së Jehovait, i lanë jashtë në arë shërbëtorët dhe bagëtitë. 22  Jehovai i tha Moisiut: «Shtrije dorën drejt qiellit që të bjerë breshër në gjithë vendin e Egjiptit,+ mbi njerëzit, mbi kafshët e mbi gjithë bimësinë e arave.»+ 23  Atëherë Moisiu e shtriu bastunin drejt qiellit, dhe Jehovai dërgoi mbi tokë bubullima, breshër e zjarr;* Jehovai solli breshër pa pushim mbi vendin e Egjiptit. 24  Binte breshër dhe zjarri shndriste mes tij; binte një breshër aq kokërrmadh, sa nuk kishte ndodhur kurrë në gjithë vendin e Egjiptit që nga koha kur u bë komb.+ 25  Breshri goditi gjithçka që ndodhej në arat e vendit të Egjiptit, qoftë njerëzit, qoftë kafshët; shkatërroi tërë bimësinë dhe i bëri copë-copë gjithë pemët.+ 26  Vetëm në vendin e Goshenit, ku ishin izraelitët, nuk ra breshër.+ 27  Prandaj faraoni thirri Moisiun dhe Aronin e u tha: «Këtë herë kam mëkatuar. Jehovai është i drejtë, kurse unë dhe populli im jemi fajtorë. 28  Përgjërojuni Jehovait që të pushojnë bubullimat dhe breshri që vijnë nga ai. Vetëm atëherë do të jem gati t’ju lë të ikni dhe nuk do të jeni më të detyruar të rrini këtu.» 29  Atëherë Moisiu ia ktheu: «Sapo të dal nga qyteti, do t’i ngre duart në lutje drejt Jehovait dhe bubullimat e breshri do të pushojnë, që ta marrësh vesh se toka i përket Jehovait.+ 30  Por unë e di se ti dhe shërbëtorët e tu as atëherë nuk do të keni respekt të thellë për Perëndinë* Jehova.» 31  Ndërkaq, liri dhe elbi ishin shkatërruar, sepse elbi ishte në kalli dhe liri kishte çelur lule. 32  Por gruri dhe spelta* nuk ishin shkatërruar, sepse ishin të korra të vonshme.* 33  Moisiu u largua nga faraoni dhe doli nga qyteti. Pastaj ngriti duart në lutje drejt Jehovait, dhe bubullimat e breshri pushuan, e mbi tokë nuk ra më shi.+ 34  Kur pa se shiu, breshri e bubullimat kishin pushuar, faraoni mëkatoi sërish dhe e ngurtësoi zemrën,+ ai dhe shërbëtorët e tij. 35  Zemra e faraonit nuk u zbut dhe ai mbeti kryeneç, e nuk i la izraelitët të iknin, tamam siç kishte thënë Jehovai me anë të Moisiut.+

Shënimet

Fjalë për fjalë «zemrës sate».
Ose «do të ishe zhdukur».
Fjalë për fjalë «i frikësoheshin». Shih Fjalorthin.
Ndoshta u referohet vetëtimave të forta.
Fjalë për fjalë «frikë nga Perëndia». Shih Fjalorthin.
Ose «piqeshin më vonë».