Estera 3:1-15
3 Pas kësaj mbreti Asuer e ngriti në detyrë Hamanin,+ birin e Hamedatit, agagitit.+ Ai e lartësoi dhe e vuri fronin e tij mbi të gjithë princat e tjerë që ishin me të.+
2 Të gjithë shërbëtorët e mbretit që rrinin te porta e tij përkuleshin thellë me fytyrë përtokë para Hamanit, sepse kështu kishte urdhëruar mbreti. Mirëpo Mordekai nuk pranonte të përkulej ose të binte përmbys.
3 Atëherë shërbëtorët e mbretit që rrinin te porta e tij i thoshin Mordekait: «Pse e shpërfill urdhrin e mbretit?»
4 Ditë për ditë ata e pyetnin, por ai nuk ua vinte veshin, sepse u kishte thënë që ishte jude.+ Atëherë ata i treguan Hamanit për të parë nëse do të tolerohej sjellja e Mordekait.+
5 Kur pa që Mordekai nuk pranonte të përkulej thellë me fytyrë përtokë para tij, Hamani u mbush me tërbim.+
6 Mirëpo atij iu duk shumë pak të vriste* vetëm Mordekain. Hamanit i kishin treguar për popullin e Mordekait, prandaj ai kërkonte të shfaroste të gjithë judenjtë, popullin e Mordekait që ishte në tërë mbretërinë e Asuerit.
7 Muajin e parë, domethënë në muajin nisan,* në vitin e 12-të+ të mbretërimit të Asuerit, ata hodhën Purin+ (domethënë shortin) në prani të Hamanit, që të përcaktonin ditën dhe muajin, dhe shorti ra në muajin e 12-të, domethënë në adar.*+
8 Atëherë Hamani i tha mbretit Asuer: «Është njëfarë populli i shpërndarë e i përhapur mes popujve+ të të gjitha provincave të mbretërisë sate.+ Ky popull ka ligje të ndryshme nga ato të tërë popujve të tjerë dhe nuk u bindet ligjeve të mbretit, prandaj nuk është në interesin e mbretit që ta lejojë këtë gjë.
9 Nëse mbreti e sheh të udhës, le të shkruhet një dekret që ata të shfarosen. Unë do t’u jap 10.000 talenta* argjendi zyrtarëve që t’i vendosin në thesarin e mbretit.»*
10 Atëherë mbreti hoqi nga dora unazën me vulë+ dhe ia dha Hamanit,+ birit të Hamedatit, agagitit,+ i cili ishte armiku i judenjve.
11 Mbreti i tha Hamanit: «Argjendi* dhe populli janë në dorën tënde, bëj me ta si të të pëlqejë.»
12 Pastaj në ditën e 13-të të muajit të parë, thirrën sekretarët e mbretit.+ Ata hodhën me shkrim+ gjithë urdhrat që dha Hamani për satrapët* e mbretit, guvernatorët e provincave e princat e popujve të ndryshëm dhe iu dërguan çdo province sipas shkrimit të vet e çdo populli në gjuhën e vet. Kjo u shkrua në emër të mbretit Asuer dhe u vulos me unazën me vulë të mbretit.+
13 Me anë të korrierëve u dërguan letra në tërë provincat e mbretit ku jepej urdhri që të shfaroseshin, të vriteshin e të zhdukeshin të gjithë judenjtë, të rinj e të vjetër, gra e fëmijë, në një ditë të vetme, ditën e 13-të të muajit të 12-të, domethënë në muajin adar,+ dhe të plaçkiteshin zotërimet e tyre.+
14 Një kopje e dokumentit duhej të nxirrej si ligj në çdo provincë dhe t’u shpallej të gjithë popujve, që të bëheshin gati për atë ditë.
15 Korrierët u nisën menjëherë+ sipas urdhrit të mbretit. Ligji u shpall edhe në kështjellën e Shushanit.*+ Ndërkohë, mbreti dhe Hamani u ulën për të pirë, kurse qyteti i Shushanit ziente nga rrëmuja.
Shënimet
^ Fjalë për fjalë «të vinte dorë mbi».
^ Shih Shtojcën B15.
^ Shih Shtojcën B15.
^ Një talent ishte 34,2 kg. Shih Shtojcën B14.
^ Një mundësi tjetër «Unë do të derdh 10.000 talenta në thesarin e mbretit për ata që do ta bëjnë këtë punë».
^ Mund t’i referohet argjendit që do t’u plaçkiste judenjve.
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «pallatin mbretëror të Suzës; citadelën e Suzës».