Estera 7:1-10
7 Kështu mbreti dhe Hamani+ shkuan në gostinë e mbretëreshës Ester.
2 Ditën e dytë gjatë gostisë me verë, mbreti i tha sërish Esterës: «Cila është kërkesa jote, o mbretëresha Ester? Do të të plotësohet! Cila është lutja jote? Edhe sikur të kërkosh gjysmën e mbretërisë, do të të jepet!»+
3 Mbretëresha Ester iu përgjigj: «Nëse gëzoj pëlqimin tënd, o mbret, e nëse mbreti e sheh të udhës, kërkesa ime është që të më falet jeta dhe lutja ime është që të mos shfaroset populli im,+
4 sepse unë dhe populli im jemi shitur+ për t’u shfarosur, për t’u vrarë dhe për t’u zhdukur.+ Po të ishim shitur vetëm për t’u bërë skllevër dhe skllave, do të kisha heshtur. Megjithatë kjo e keqe nuk duhet lejuar, sepse nuk është në interesin e mbretit, por në dëm të tij.»
5 Atëherë mbreti Asuer e pyeti mbretëreshën Ester: «Kush na qenka ky? Ku është ky që ka guxuar të bëjë diçka të tillë?!»
6 Estera tha: «Ja kush është kundërshtari dhe armiku, ky Hamani i poshtër!»
Hamanit i hyri tmerri nga mbreti dhe mbretëresha.
7 I tërbuar, mbreti u çua nga gostia me verë dhe shkoi në kopshtin e pallatit mbretëror, ndërsa Hamani u ngrit që t’i përgjërohej mbretëreshës Ester t’i falte jetën, sepse e kuptoi që mbreti kishte vendosur ta ndëshkonte.
8 Mbreti u kthye nga kopshti i pallatit mbretëror në shtëpinë ku ishte shtruar gostia me verë dhe pa që Hamani ishte hedhur mbi divanin ku ishte Estera. Mbreti thirri: «Dashke edhe të përdhunosh mbretëreshën në shtëpinë time?» Sa dolën këto fjalë nga goja e mbretit, Hamanit ia mbuluan fytyrën.
9 Harbonai,+ një nga zyrtarët e oborrit të mbretit, tha: «Hamani ka ngritur në shtëpinë e tij edhe një shtyllë 50 kute* të lartë, që e bëri për Mordekain,+ fjalët e të cilit i shpëtuan jetën mbretit.»+ Atëherë mbreti tha: «Atje vareni!»
10 Kështu ata e varën Hamanin në shtyllën që ai kishte bërë për Mordekain, dhe tërbimi i mbretit u fashit.
Shënimet
^ Rreth 22,3 m. Shih Shtojcën B14.