Ezdra 3:1-13

  • Rindërtohet altari dhe bëhen flijime (1-7)

  • Fillon rindërtimi i tempullit (8, 9)

  • Hidhen themelet e tempullit (10-13)

3  Kur filloi muaji i shtatë,+ dhe izraelitët* ishin në qytetet e tyre, ata u mblodhën si një trup i vetëm në Jerusalem.  Jeshuai,+ biri i Jehozadakut me priftërinjtë e tjerë dhe Zorobabeli,+ biri i Shealtielit+ me vëllezërit e tij, u ngritën dhe ndërtuan altarin e Perëndisë së Izraelit për të bërë flijime të djegura, siç është shkruar në Ligjin e Moisiut,+ njeriut të Perëndisë së vërtetë.  Ndonëse kishin frikë nga popujt e vendeve përreth,+ e vendosën altarin në vendin e mëparshëm dhe nisën të bënin mbi të flijime të djegura për Jehovain, flijimet e djegura të mëngjesit dhe të mbrëmjes.+  Pastaj kremtuan Festën e Kasolleve,* siç është shkruar,+ dhe bënë rregullisht atë numër flijimesh të djegura që kërkohej çdo ditë.+  Më pas bënë blatimin e djegur të rregullt,+ blatimet për hënën e re+ dhe për gjithë periudhat e festave të shenjtëruara*+ të Jehovait, si edhe blatimet vullnetare+ që kushdo ia ofronte me dëshirë Jehovait.  Ata filluan t’i bënin Jehovait flijime të djegura që ditën e parë të muajit të shtatë,+ edhe pse ende nuk ishin hedhur themelet e tempullit të Jehovait.  Gurprerësve+ dhe mjeshtërve+ u dhanë pará, kurse sidonitëve dhe tirasve u dhanë ushqime, pije dhe vaj meqë sillnin dru cedri në rrugë detare nga Libani deri në Jopë,+ sipas autorizimit që u kishte dhënë Kiri, mbreti i Persisë.+  Vitin e dytë pasi erdhën në shtëpinë e Perëndisë së vërtetë në Jerusalem, muajin e dytë, Zorobabeli, biri i Shealtielit, Jeshuai, biri i Jehozadakut, dhe pjesa tjetër e vëllezërve të tyre, priftërinjtë dhe levitët, si edhe të gjithë ata që ishin kthyer në Jerusalem nga robëria,+ filluan punën. Ata caktuan levitët nga mosha 20 vjeç e lart që të mbikëqyrnin punën në shtëpinë e Jehovait.  Kështu Jeshuai me djemtë e me vëllezërit e tij, dhe Kadmieli me djemtë e tij, bijtë e Judës, u mblodhën që të mbikëqyrnin ata që bënin punën në shtëpinë e Perëndisë së vërtetë. Njësoj bënë edhe bijtë e Henadadit,+ bijtë e tyre dhe vëllezërit e tyre, levitët. 10  Kur ndërtuesit hodhën themelet e tempullit të Jehovait,+ ishin të pranishëm priftërinjtë me rrobat zyrtare, me trumbeta,+ dhe levitët, bijtë e Asafit, me cimbale, për të lëvduar Jehovain sipas udhëzimeve të Davidit, mbretit të Izraelit.+ 11  Ata nisën të këndonin refrenin me radhë+ duke lëvduar e duke falënderuar Jehovain, «sepse ai është i mirë; dashuria e tij besnike ndaj Izraelit zgjat përjetë».+ Atëherë tërë populli lëshoi një britmë të fortë lëvdimi për Jehovain ngaqë u hodhën themelet e shtëpisë së Jehovait. 12  Shumë priftërinj, levitë dhe krerë të shtëpive atërore, të moshuarit që kishin parë shtëpinë e mëparshme,+ ia plasën të qarit kur panë se themelet e kësaj shtëpie ishin hedhur, ndërsa shumë të tjerë brohoritnin nga gëzimi me sa t’u hante zëri.+ 13  Prandaj populli nuk e dallonte dot britmën e gëzimit nga e qara, sepse britma ishte aq e fortë, sa zëri dëgjohej shumë larg.

Shënimet

Fjalë për fjalë «bijtë e Izraelit».
Ose «Festën e Strehëve të Përkohshme».
Shih Fjalorthin, «Shenjtërimi».