Ezdra 4:1-24

  • Kundërshtojnë rindërtimin e tempullit (1-6)

  • Armiqtë i dërgojnë një ankesë mbretit Artakserks (7-16)

  • Përgjigjja e Artakserksit (17-22)

  • Ndalet ndërtimi i tempullit (23, 24)

4  Kur armiqtë e Judës dhe të Beniaminit+ dëgjuan se të mërguarit që ishin kthyer+ po i ndërtonin një tempull Jehovait, Perëndisë së Izraelit,  iu afruan menjëherë Zorobabelit dhe krerëve të shtëpive atërore e u thanë: «Na lini të ndërtojmë bashkë me ju, sepse njësoj si ju ne adhurojmë* Perëndinë tuaj+ dhe i bëjmë flijime atij që nga ditët e Esar-Hadonit,+ mbretit të Asirisë që na solli këtu.»+  Megjithatë Zorobabeli, Jeshuai dhe pjesa tjetër e krerëve të shtëpive atërore të Izraelit u thanë: «S’ju takon juve ta ndërtoni shtëpinë e Perëndisë tonë bashkë me ne,+ sepse vetëm ne do t’ia ndërtojmë atë Jehovait, Perëndisë së Izraelit, ashtu si na urdhëroi mbreti Kir, mbreti i Persisë.»+  Atëherë popujt e vendeve përreth e shkurajonin* dhe ia ligështonin pareshtur zemrën popullit të Judës që të mos ndërtonin.+  Ata paguan disa këshilltarë që t’ua pengonin planin judenjve+ gjatë gjithë ditëve të Kirit, mbretit të Persisë, deri në mbretërimin e Darit,+ mbretit të Persisë.  Në fillim të mbretërimit të Asuerit, ata shkruan një akuzë kundër banorëve të Judës dhe të Jerusalemit.  Edhe në ditët e mbretit Artakserks të Persisë, Bishlami, Mitridati, Tabeli dhe pjesa tjetër e bashkëpunëtorëve të tij, i shkruan mbretit Artakserks. Ata e përkthyen letrën në gjuhën aramaike+ dhe e shkruan me germa aramaike.*  * Rehumi, nëpunësi i lartë i qeverisë, dhe Shimshai, skribi, i shkruan mbretit Artakserks një letër kundër Jerusalemit, si më poshtë:  (Letra ishte nga Rehumi, nëpunësi i lartë i qeverisë, Shimshai, skribi, pjesa tjetër e bashkëpunëtorëve të tyre, gjykatësit dhe guvernatorët më të vegjël, sekretarët, populli i Erekut,+ babilonasit, banorët e Suzës,+ domethënë elamitët,+ 10  si dhe pjesa tjetër e kombeve, që i madhi dhe i nderuari Asenapar i çoi në mërgim që të banonin në qytetet e Samarisë,+ dhe pjesa tjetër në rajonin Përtej Lumit.*) 11  Kjo është një kopje e letrës që i dërguan. «Mbretit Artakserks, nga shërbëtorët tuaj, njerëzit e rajonit Përtej Lumit: 12  Le ta dijë mbreti se judenjtë që erdhën nga ju këtu te ne, kanë mbërritur në Jerusalem. Ata po rindërtojnë qytetin rebel e të lig, po mbarojnë muret+ dhe po meremetojnë themelet. 13  Le ta dijë mbreti se, nëse ky qytet rindërtohet dhe muret e tij mbarojnë, ata nuk do të japin as taksë, as haraç,*+ as taksë kalimi, dhe kjo do t’i sjellë humbje thesarit mbretëror. 14  E meqë ne e marrim pagën* nga pallati mbretëror dhe nuk është mirë që të shohim interesat e mbretit të dëmtohen, kemi dërguar këtë letër që të njoftohet mbreti, 15  me qëllim që të hetohet në librin e regjistrimeve të të parëve tuaj.+ Në këtë libër do të gjeni e do të mësoni se ky është një qytet rebel që u sjell dëme mbretërve dhe provincave dhe se në të ka pasur nxitës kryengritjesh që nga lashtësia. Për këtë arsye ky qytet u shkatërrua.+ 16  Ne po i bëjmë të njohur mbretit se, nëse ky qytet rindërtohet dhe muret e tij mbarojnë, ju nuk do ta keni më nën kontroll* rajonin Përtej Lumit.»+ 17  Mbreti i dërgoi fjalë Rehumit, nëpunësit të lartë të qeverisë, skribit Shimshá, pjesës tjetër të bashkëpunëtorëve të tyre që banonin në Samari dhe të tjerëve në rajonin Përtej Lumit: «Përshëndetje! 18  Dokumenti zyrtar që na keni dërguar është lexuar* qartë përpara meje. 19  Me urdhrin tim u bë një hetim dhe u zbulua se që nga lashtësia në këtë qytet ka pasur kryengritje kundër mbretërve, si edhe rebelime e revolta.+ 20  Në Jerusalem ka pasur mbretër të fuqishëm që sundonin gjithë rajonin Përtej Lumit dhe atyre u paguheshin taksa, haraçe dhe taksa kalimi. 21  Tani, jepni urdhër që këta burra ta ndalin punën, me qëllim që ky qytet të mos rindërtohet derisa unë të nxjerr një urdhër. 22  Bëni kujdes të mos e lini pas dore këtë gjë, që të mos dëmtohen edhe më shumë interesat e mbretit.»+ 23  Kështu, pasi kopja e dokumentit zyrtar të mbretit Artakserks u lexua në prani të Rehumit, skribit Shimshá, dhe bashkëpunëtorëve të tyre, ata shkuan menjëherë te judenjtë në Jerusalem dhe i ndalën me forcë. 24  Puna në shtëpinë e Perëndisë, që ishte në Jerusalem, u ndal pikërisht atëherë dhe mbeti ashtu deri në vitin e dytë të mbretërimit të Darit, mbretit të Persisë.+

Shënimet

Fjalë për fjalë «kërkojmë».
Fjalë për fjalë «ia dobësonin duart».
Një mundësi tjetër «ishte shkruar në aramaisht dhe pastaj ishte përkthyer».
Ezd 4:8 deri te 6:18 u shkrua në fillim në aramaisht.
Ose «Përtej Eufratit».
Fjalë për fjalë «hamë kripën».
Ose «nuk do të keni më pjesë në».
Një mundësi tjetër «është përkthyer dhe lexuar».