Ezdra 9:1-15

  • Martesat me joizraelitët (1-4)

  • Rrëfimi i Ezdrës në lutje (5-15)

9  Me të mbaruar gjithë kjo, princat m’u afruan e më thanë: «Populli i Izraelit, priftërinjtë dhe levitët nuk janë ndarë nga popujt e vendeve përreth dhe nga zakonet e tyre të neveritshme,+ pra të kananitëve, të hititëve, të perezitëve, të jebusitëve, të amonitëve, të moabitëve, të egjiptianëve+ dhe të amoritëve.+  Ata kanë marrë disa nga bijat e këtyre popujve si gra për vete dhe për bijtë e tyre.+ Këta pra, pasardhësit* e shenjtë,+ janë përzier me popujt e vendeve,+ dhe fajtorët kryesorë të kësaj pabesie janë princat dhe mëkëmbësit.»  Sapo dëgjova për këtë, shqeva rrobën dhe veshjen time pa mëngë, shkula flokët e mjekrën, dhe u ula i tronditur.  Pastaj, të gjithë ata që kishin nderim të thellë* për fjalët e Perëndisë së Izraelit, u mblodhën rreth meje për shkak të pabesisë së të mërguarve, ndërsa unë ndenja ulur i tronditur derisa erdhi koha e blatimit në drithë të mbrëmjes.+  Në kohën e blatimit në drithë të mbrëmjes+ u çova nga ajo gjendje poshtërimi, me rrobën dhe veshjen pa mëngë të grisur, rashë në gjunjë dhe shtriva duart drejt Jehovait, Perëndisë tim.  Thashë: «O Perëndia im, jam i padenjë dhe më vjen turp të ngre sytë drejt teje, o Perëndia im, sepse gabimet tona janë shtuar mbi kokat tona dhe faji ynë ka arritur deri në qiej.+  Faji ynë ka qenë i madh që nga ditët e paraardhësve tanë e deri më sot.+ Për shkak të gabimeve tona, ne, mbretërit dhe priftërinjtë tanë, kemi rënë në dorë të mbretërve të vendeve përreth, të shpatës,+ të robërisë,+ të plaçkitjes+ dhe të poshtërimit, tamam si sot.+  Kurse tani, veç për një çast, o Jehova, Perëndia ynë, na ke dhënë pëlqimin tënd duke lejuar që një mbetje të shpëtojë dhe duke na dhënë një vend të sigurt* në vendin tënd të shenjtë,+ që të na ndriçojnë sytë nga gëzimi, o Perëndia ynë, dhe që të na lehtësosh sadopak nga skllavëria jonë.  Edhe pse jemi skllevër,+ o Perëndia ynë, nuk na ke lënë në skllavëri, por nga dashuria jote besnike na dhe pëlqimin e mbretërve të Persisë+ për të na rigjallëruar, që të ngremë shtëpinë e Perëndisë tonë+ e që të restaurojmë rrënojat e saj, si edhe për të na dhënë një mur mbrojtës* në Judë e në Jerusalem. 10  E tani, o Perëndia ynë, ç’të themi pas gjithë këtyre gjërave? Se ne i kemi braktisur urdhërimet 11  që na dhe nëpërmjet shërbëtorëve të tu, profetëve, duke thënë: ‘Vendi që po shkoni të shtini në dorë është i papastër për shkak të papastërtisë së vendësve, për shkak të zakoneve të tyre të neveritshme; ata e kanë mbushur vendin cep më cep me ndyrësinë e tyre.+ 12  Prandaj, mos ua jepni bijat bijve të tyre dhe as mos i pranoni bijat e tyre për bijtë tuaj.+ Nuk duhet t’i ndihmoni kurrë të jetojnë në paqe dhe në begati,+ me qëllim që të bëheni të fortë e të hani të mirat e vendit dhe ta shtini në dorë përgjithmonë për bijtë tuaj.’ 13  Pas gjithë asaj që na ka rënë për shkak të veprave tona të këqija dhe të fajit tonë të madh—sepse ti, o Perëndia ynë, nuk ke vepruar me ne sipas gabimeve tona+ dhe ke lejuar që të shpëtojmë+—​ 14  prapë do t’i shkelim urdhërimet e tua dhe do të lidhim martesa* me popujt që s’heqin dorë nga këto gjëra të neveritshme?!+ A nuk do të zemëroheshe aq sa të na shkatërroje krejt e të mos lije asnjë mbetje a të mbijetuar? 15  O Jehova, Perëndi i Izraelit, ti je i drejtë,+ prandaj ne, një mbetje, kemi mbijetuar deri më sot. Ja tek jemi para teje të ngarkuar me faj, edhe pse për shkak të tij është e pamundur të qëndrosh para teje.»+

Shënimet

Fjalë për fjalë «fara».
Fjalë për fjalë «frikë».
Ose «një kunj tende».
Ose «një mur guri».
Ose «aleanca martesore».