Ezekieli 26:1-21

  • Profeci kundër Tirit (1-21)

    • «Një vend për të tharë rrjetat e peshkimit» (5, 14)

    • Gurët dhe rrënojat hidhen në det (12)

26  Vitin e 11-të,* ditën e parë të muajit, fjala e Jehovait m’u drejtua:  «Bir njeriu, meqenëse Tiri ka thënë për Jerusalemin:+ ‘Ah, sa mirë! Porta e popujve është rrëzuar!+ Çdo gjë do të kalojë nga unë dhe unë do të pasurohem tani që ai është shkretuar’,  Zotëria Sovran Jehova thotë: ‘Ja, unë jam kundër teje, o Tir, dhe do të ngre kundër teje shumë kombe, ashtu si deti ngre dallgët e tij.  Ato do të t’i rrënojnë muret, o Tir, dhe do të t’i shembin kullat.+ Unë do të t’i heq rrënojat e do të të kthej në një shkëmb të zhveshur e të lëmuar.  Ti do të kthehesh në një vend për të tharë rrjetat e peshkimit* në mes të detit.+ Unë kam folur,​—thotë Zotëria Sovran Jehova,—​dhe ty do të të plaçkitin kombet.  Në vendbanimet* e tua në fshat, shpata do të bëjë kërdinë, dhe njerëzit kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.’  Prandaj kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Ja, unë do të sjell nga veriu kundër teje, o Tir, Nabukodonosorin,* mbretin e Babilonisë,+ mbretin e mbretërve,+ me kuaj,+ me karroca lufte,+ me kalorës dhe me një ushtri* të madhe.  Me shpatën e tij, ai do të bëjë kërdinë në vendbanimet e tua në fshat, do të ngrejë kundër teje një mur e një ledh rrethues, si edhe një mburojë të madhe.  Ai do t’u bjerë mureve të tua me desh* dhe do të rrëzojë kullat e tua me sëpatat* e tij. 10  Kuajt e tij do të jenë aq të shumtë, sa ty do të të mbulojë pluhuri, dhe muret e tua do të dridhen nga zhurma e kalorësve, e rrotave dhe e karrocave të luftës kur ai të hyjë nëpër portat e tua siç i sulen stuhishëm burrat një qyteti me mure të çara. 11  Me thundrat e kuajve të tij, ai do të shkelë nëpër tërë rrugët e tua,+ njerëzit e tu do t’i vrasë me shpatë dhe shtyllat e tua madhështore do t’i rrëzojë përtokë. 12  Ata do të t’i grabitin pasuritë, do të t’i plaçkitin mallrat,+ do të t’i shembin muret dhe do të t’i rrëzojnë shtëpitë e bukura. Pastaj gurët, punimet prej druri dhe rrënojat e tua do t’i hedhin në det. 13  Unë do ta shuaj zhurmën e këngëve të tua dhe tingulli i harpave të tua nuk do të dëgjohet më.+ 14  Unë do të të kthej në një shkëmb të zhveshur e të lëmuar. Ti do të kthehesh në një vend për të tharë rrjetat e peshkimit.+ Nuk do të rindërtohesh më kurrë, sepse unë, Jehovai, kam folur’,​—thotë Zotëria Sovran Jehova. 15  Kështu i thotë Zotëria Sovran Jehova Tirit: “A nuk do të dridhen ishujt, vallë, nga zhurma e rënies sate, nga rënkimi i atyre që po u shuhet jeta* e nga masakra që do të bëhet mes teje?+ 16  Të gjithë princat* e detit do të zbresin nga fronet, do të heqin veshjet e gjata* dhe rrobat e qëndisura. Të gjithë do t’i zënë* të dridhurat, do të ulen përtokë, do të dridhen nga frika pa pushim e do të t’i ngulin sytë të shtangur.+ 17  Pastaj do t’ia nisin një kënge të përvajshme*+ e do të të thonë: ‘Si qenke katandisur,+ o qytet i lëvduar,ti që ishe i banuar nga detarë! Ti dhe banorët e tu ishit të fuqishëm në det;+ju u kallnit tmerrin të gjithë banorëve të tokës! 18  Ditën e rënies sate, ishujt do të dridhen,ishujt e detit do të tronditen kur ti të zhdukesh.’”+ 19  Se kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Kur të të katandis në një gërmadhë ku s’banon askush, kur të sjell mbi ty ujërat e trazuara dhe kur ujërat vërshuese të të kenë mbuluar,+ 20  unë do të të zbres ty dhe ata që përfundojnë në gropë* si ti, te njerëzit e kohëve më parë; do të të vë që të banosh në thellësitë e tokës bashkë me ata që përfundojnë në gropë,+ po, në vendet e shkretuara prej kohësh, që te ti të mos banojë më njeri. Pastaj do t’i jap lavdi* vendit të të gjallëve. 21  Unë do të të sjell një tmerr të papritur e ti nuk do të jesh më.+ Do të të kërkojnë, por nuk do të të gjejnë më kurrë’,​—thotë Zotëria Sovran Jehova.»

Shënimet

I referohet vitit të 11-të të mërgimit të mbretit Jehojakin, të Ezekielit dhe të judenjve të tjerë.
Ose «rrjetat tratë».
Fjalë për fjalë «bijat».
Fjalë për fjalë «popull».
Fjalë për fjalë «Nabukodrezarin», një variant tjetër i këtij emri.
Ose «makinën e tij të sulmit». Mjet lufte që përdorej për të shpuar muret a për të shpërthyer portat e një qyteti.
Ose «armët».
Fjalë për fjalë «i të vrarëve».
Ose «prijësit».
Ose «veshjet pa mëngë».
Fjalë për fjalë «do të vishen me».
Ose «kënge vajtimi».
Ose «në varr».
Ose «do ta stolis».