Ezekieli 34:1-31
34 Fjala e Jehovait m’u drejtua akoma:
2 «Bir njeriu, profetizo kundër barinjve të Izraelit. Profetizo dhe thuaju: “Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Mjerë barinjtë e Izraelit+ që vetëm ushqejnë veten! A nuk duhet përkundrazi të kullotin kopenë?+
3 Ju hani dhjamin e tyre, visheni me rroba prej leshit të tyre dhe therni për vete kafshën më të majme,+ por kopenë nuk e kullotni.+
4 Nuk i keni dhënë forcë të dobëtës, nuk e keni shëruar të sëmurën, nuk e keni fashuar të vrarën, nuk e keni kthyer në kope atë që endej larg saj dhe nuk e keni kërkuar të humburën.+ Përkundrazi, keni qenë sundues të ashpër e tiranik.+
5 Kështu ato u hallakatën sepse nuk kishin bari,+ u hallakatën dhe u bënë ushqim për egërsirat e fushës.
6 Delet e mia u endën larg kopesë, në çdo mal e kodër të lartë; ato u hallakatën në tërë faqen e dheut dhe askush nuk shkoi t’i kërkonte, askush nuk u përpoq t’i gjente.’”
7 Prandaj, o barinj, dëgjoni çfarë thotë Jehovai:
8 “Siç është e vërtetë që unë rroj,—thotë Zotëria Sovran Jehova,—meqenëse delet e mia janë bërë pre dhe ushqim për të gjitha egërsirat e fushës, ngaqë s’kishin bari dhe barinjtë nuk i kërkonin, por vetëm ushqenin veten e jo delet e mia,
9 dëgjoni, o barinj, çfarë thotë Jehovai.
10 Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Ja, unë jam kundër barinjve e do t’u kërkoj llogari atyre për delet e mia.* Nuk do t’i lë më që të kullotin* delet e mia,+ po, këta barinj që vetëm ushqejnë veten. Unë do t’i çliroj delet e mia nga goja e tyre, dhe ato nuk do të jenë më ushqim për ta.’”
11 Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Ja, unë vetë do t’i kërkoj delet e mia e do të kujdesem për to.+
12 Unë do të kujdesem për delet e mia, si bariu që ka gjetur delet e tij të hallakatura dhe i ushqen.+ Unë do t’i çliroj nga të gjitha vendet ku u hallakatën atë ditë me re e terr të zi.+
13 Unë do t’i nxjerr nga popujt e do t’i mbledh nga vendet ku ishin shpërndarë, do t’i çoj në vendin e tyre dhe do t’i kullot në malet e Izraelit,+ buzë përrenjve e pranë tërë vendeve të banuara që gjenden atje.
14 Do t’i ushqej në kullota të mira, në malet e larta të Izraelit.+ Atje do të prehen në vende plot bar+ dhe do të ushqehen në kullota të zgjedhura, në malet e Izraelit.
15 Unë vetë do t’i kullot delet e mia+ dhe do t’i lë të prehen,+—thotë Zotëria Sovran Jehova.—
16 Do ta kërkoj të humburën,+ do ta kthej atë që është endur larg kopesë, do ta fashoj të vrarën e do t’i jap forcë të dobëtës. Kurse të majmen dhe të fortën do t’i shfaros; do t’u jap gjykimet dhe ndëshkimet e mia si ushqim.’
17 Sa për ju, o delet e mia, kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Ja, pas pak do të gjykoj mes një dele dhe një deleje tjetër, mes deshve dhe cjepve.+
18 A nuk ju mjafton që ushqeheni në kullotat më të mira? U dashka të shkelni me këmbë edhe kullotat e tjera?! E pasi pini ujin e kristaltë, u dashka ta ndotni me këmbë?!
19 Po delet e mia, në kullotat që keni shkelur me këmbë duhet të kullotin?! Ujin e ndotur nga këmbët tuaja duhet të pinë?!’
20 Prandaj kështu u thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Ja, unë vetë do të gjykoj mes deles së majme dhe deles së dobët,
21 sepse ju i shtynit me brinjë e me shpatull dhe u binit me brirë tërë të sëmurave derisa i shpërndatë.
22 Por unë do t’i shpëtoj delet e mia, dhe ato nuk do të bëhen më pre e askujt.+ Unë do të gjykoj mes një dele dhe një deleje tjetër.
23 Do të caktoj një bari të vetëm që t’i kullotë,+ po, shërbëtorin tim David;+ ai do t’i kullotë e do të jetë bariu i tyre.+
24 Unë, Jehovai, do të bëhem Perëndia i tyre,+ kurse shërbëtori im David do të jetë prijësi i tyre.+ Unë Jehovai kam folur.
25 Unë do të bëj me to një besëlidhje paqeje+ dhe do të zhduk nga vendi egërsirat e pamëshirshme,+ që delet e mia të jetojnë të sigurta në shkretëtirë e të flenë pa frikë në pyje.+
26 Unë do t’i bëj një bekim për të tjerët, ato dhe vendet përreth malit tim,+ dhe do të sjell shira në kohën e duhur; bekimet do të derdhen si shirat e bollshme.+
27 Pemët e fushës do të japin fryt, toka do të japë prodhim,+ e kështu delet e mia do të jetojnë të sigurta në vend. Kur t’ua thyej zgjedhën+ dhe t’i çliroj nga ata që i skllavëronin, ato kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.
28 Ato nuk do të bëhen më pre për kombet, dhe egërsirat e tokës nuk do t’i gllabërojnë më; do të jetojnë të sigurta, dhe askush nuk do t’i trembë.+
29 Do të mbjell për to një plantacion, që do të marrë famë të madhe,* dhe ato nuk do të ngordhin më nga uria në vend,+ dhe kombet nuk do t’i poshtërojnë më.+
30 Atëherë kanë për ta marrë vesh se unë, Jehovai, Perëndia i tyre, jam me to, dhe se ato janë populli im,+ shtëpia e Izraelit,—thotë Zotëria Sovran Jehova.
31 Ju, o delet e mia,+ delet për të cilat kujdesem, jeni veçse njerëz. Unë jam Perëndia juaj’,—thotë Zotëria Sovran Jehova.»