Ezekieli 42:1-20
42 Pastaj më nxori në oborrin e jashtëm, në drejtim të veriut,+ dhe më çoi te blloku i dhomave të ngrënies, i cili gjendej afër hapësirës së lirë,+ në veri të ndërtesës ngjitur.*+
2 Blloku ishte 100 kute* i gjatë në veri, ku kishte një hyrje, dhe 50 kute i gjerë.
3 Ai ndodhej midis oborrit të brendshëm, që ishte 20 kute i gjerë,+ dhe trotuarit të oborrit të jashtëm. Dhomat e ngrënies kishin ballkone përballë njëra-tjetrës dhe formonin tri kate.
4 Përpara dhomave* të ngrënies ishte një rruginë+ 10 kute e gjerë dhe 100 kute e gjatë;* hyrjet e tyre ishin me drejtim nga veriu.
5 Dhomat e ngrënies në kat të tretë ishin më të vogla se ato të katit të parë dhe të dytë, për shkak të ballkoneve.
6 Dhomat e ngrënies ngriheshin shkallë-shkallë në tri kate, dhe meqë nuk kishin kolona si kolonat e oborreve, dhomat e katit të tretë kishin më pak hapësirë sesa të katit të parë dhe të dytë.
7 Muri i jashtëm prej guri, që ishte afër dhomave të ngrënies në anën e oborrit të jashtëm, të cilat ishin përballë dhomave të tjera të ngrënies, ishte 50 kute i gjatë.
8 Gjatësia e dhomave të ngrënies që ishin në anën e oborrit të jashtëm, ishte 50 kute, kurse gjatësia e atyre që ishin në anën e shenjtërores, ishte 100 kute.
9 Dhomat e ngrënies kishin një hyrje në anën lindore, që të mund të hyje në to nga oborri i jashtëm.
10 Edhe në jug, mbrapa* murit prej guri që ishte me drejtim nga lindja, kishte dhoma ngrënieje; ato ishin afër hapësirës së lirë dhe ndërtesës ngjitur.*+
11 Edhe përpara këtyre dhomave ishte një rruginë e ngjashme me atë të dhomave të ngrënies në veri.+ Ato kishin po atë gjatësi dhe gjerësi, si edhe të njëjtat dalje dhe planimetri. Hyrjet e këtyre dhomave
12 ishin me drejtim nga jugu. Në krye të rruginës, te muri prej guri me drejtim nga lindja, kishte një hyrje që të mund të hyje në to.+
13 Ai më tha: «Dhomat e ngrënies në veri dhe ato në jug, të cilat ndodhen afër hapësirës së lirë,+ janë dhomat e shenjta të ngrënies ku priftërinjtë që i afrohen Jehovait, hanë blatimet shumë të shenjta.+ Atje vënë blatimet shumë të shenjta, blatimet në drithë, blatimet për mëkatin dhe blatimet për fajin, sepse vendi është i shenjtë.+
14 Pasi të kenë hyrë, priftërinjtë nuk duhet të dalin nga vendi i shenjtë për të vajtur në oborrin e jashtëm pa hequr më parë rrobat me të cilat kryejnë shërbimin,+ sepse ato janë të shenjta; ata duhet të veshin rroba të tjera për të shkuar në vendet ku lejohet populli.»
15 Pasi mbaroi matjet në kompleksin e tempullit,* ai më nxori jashtë nga porta që është në drejtim të lindjes,+ dhe mati gjithë zonën përreth tij.
16 Ai mati murin lindor me kallamin matës;* sipas kallamit matës, ai ishte 500 kallama i gjatë, nga njëri krah në tjetrin.
17 Mati murin verior, që ishte 500 kallama i gjatë, sipas kallamit matës.
18 Mati murin jugor, që ishte 500 kallama i gjatë, sipas kallamit matës.
19 Shkoi në murin perëndimor, e mati, dhe ishte 500 kallama i gjatë, sipas kallamit matës.
20 Ai e mati zonën përreth kompleksit të tempullit në të katër anët; ajo kishte një mur rreth e qark,+ i cili ishte 500 kallama i gjatë dhe 500 kallama i gjerë,+ që të ndante gjërat e shenjta nga gjërat e zakonshme.+
Shënimet
^ Domethënë, ndërtesës në perëndim të shenjtërores.
^ I referohet kutit të gjatë. Shih Shtojcën B14.
^ Ose «sallave».
^ Sipas Septuagintës greke, «dhe 100 kute i gjatë». Teksti në hebraisht thotë: «dhe një kalim një kut.» Shih Shtojcën B14.
^ Domethënë, ndërtesës në perëndim të shenjtërores.
^ Fjalë për fjalë «përgjatë».
^ Fjalë për fjalë «pjesën e brendshme të shtëpisë».
^ Shih Shtojcën B14.