Ezekieli 46:1-24

  • Blatime në raste të caktuara (1-15)

  • Trashëgimia e prijësit (16-18)

  • Vendi për zierjen e blatimeve (19-24)

46  Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Porta e oborrit të brendshëm që është në drejtim të lindjes,+ duhet të rrijë mbyllur+ gjatë gjashtë ditëve të punës,+ por duhet hapur ditën e Sabatit dhe ditën kur del hëna e re.  Prijësi do të hyjë te porta nga oborri i jashtëm nëpërmjet portikut të portës+ dhe do të qëndrojë afër shtalkës* së saj. Priftërinjtë do të paraqitin blatimin e plotë të djegur e flijimet në bashkësi të prijësit, dhe ai do të përkulet te pragu i portës e pastaj do të dalë. Por dera nuk duhet mbyllur deri në mbrëmje.  Edhe populli do të përkulet para Jehovait te hyrja e asaj porte në ditët e Sabatit dhe kur del hëna e re.+  Blatimi i plotë i djegur që prijësi duhet t’i paraqitë Jehovait ditën e Sabatit, do të jetë gjashtë qengja meshkuj të shëndetshëm dhe një dash i shëndetshëm.+  Blatimi në drithë për dashin duhet të jetë një efë,* kurse blatimi në drithë për qengjat meshkuj, sa të ketë mundësi, bashkë me një hin* vaj për çdo efë drithë.+  Ditën e hënës së re, duhet të paraqitet një blatim me një dem të ri e të shëndetshëm nga tufa, gjashtë qengja meshkuj dhe një dash; ata duhet të jenë të shëndetshëm.+  Si blatim në drithë, ai duhet të paraqitë një efë drithë për demin e ri dhe një efë drithë për dashin, kurse për qengjat meshkuj, sa të ketë mundësi; ai duhet të paraqitë një hin vaj për çdo efë drithë.  Kur të hyjë, prijësi duhet të futet nga portiku i portës dhe duhet të dalë po andej.+  Kur populli të vijë para Jehovait, gjatë festave,+ ai që hyn nga porta veriore+ për të adhuruar, duhet të dalë nga porta jugore;+ ai që hyn nga porta jugore, duhet të dalë nga porta veriore. Askush nuk duhet të dalë nga porta që hyri, por nga ajo që ka përballë. 10  Kur ata të hyjnë, duhet të hyjë edhe prijësi që është mes tyre dhe kur ata të dalin, duhet të dalë edhe ai. 11  Blatimi në drithë gjatë festave dhe periudhave të festave duhet të jetë një efë drithë për demin e ri dhe një efë drithë për dashin, kurse për qengjat meshkuj, sa të ketë mundësi, bashkë me një hin vaj për çdo efë drithë.+ 12  Nëse prijësi sjell një blatim të plotë të djegur+ ose flijime në bashkësi si blatime vullnetare për Jehovain, atij do t’i hapet porta që është në drejtim të lindjes, e ai do të sjellë blatimin e plotë të djegur dhe flijimet në bashkësi njësoj si në ditën e Sabatit.+ Kur ai të largohet, porta do të mbyllet.+ 13  Çdo ditë duhet siguruar një qengj mashkull i shëndetshëm e njëvjeçar* për t’ia paraqitur Jehovait si blatim të plotë të djegur;+ kjo duhet bërë mëngjes për mëngjes. 14  Bashkë me të, çdo mëngjes duhet siguruar si blatim në drithë një e gjashta e një efe dhe një e treta hin vaj për të spërkatur miellin e bluar imët, si blatim i rregullt në drithë për Jehovain. Ky është një ligj i pandryshueshëm. 15  Çdo mëngjes duhet siguruar qengji mashkull, blatimi në drithë dhe vaji, si blatim i plotë i djegur që bëhet rregullisht.’ 16  Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Nëse prijësi i dhuron secilit prej bijve të tij një tokë si trashëgimi, ajo do të bëhet pronë e tyre. Ajo është prona e tyre e trashëguar. 17  Por, nëse ai i dhuron një tokë nga trashëgimia e tij njërit prej shërbëtorëve të vet, ajo do t’i përkasë atij deri në vitin e lirimit,+ pastaj do t’i kthehet prijësit. Vetëm bijtë e tij duhet ta mbajnë trashëgiminë përgjithmonë. 18  Prijësi nuk duhet të marrë asgjë me forcë nga trashëgimia e popullit duke i detyruar të lënë pronën e tyre. Ai duhet t’u japë një trashëgimi bijve nga prona e tij, që asnjë nga populli im të mos dëbohet nga prona e vet.’”» 19  Pastaj, ai më futi nëpër hyrjen+ që ishte pranë portës që të çonte te dhomat* e shenjta të ngrënies të priftërinjve, që e kishin hyrjen nga veriu.+ Atje pashë një vend që ndodhej në pjesën e pasme, në anën perëndimore të shenjtërores. 20  Ai më tha: «Ky është vendi ku priftërinjtë do të ziejnë blatimin për fajin dhe blatimin për mëkatin e ku do të pjekin blatimin në drithë,+ që të mos çojnë asgjë në oborrin e jashtëm e të mos e shenjtërojnë në mënyrë të papërshtatshme* popullin.»+ 21  Pastaj më nxori në oborrin e jashtëm dhe më çoi te katër qoshet e oborrit, dhe pashë një oborr të vogël në secilën qoshe të oborrit të jashtëm. 22  Pra, në katër qoshet e oborrit kishte oborre të vogla 40 kute* të gjatë dhe 30 kute të gjerë, secili me të njëjtat përmasa.* 23  Brenda tyre, në të katër anët, kishte një pjesë muri të dalë,* dhe poshtë kishte vende për të zier blatimet. 24  Pastaj ai më tha: «Këto janë vendet ku shërbëtorët e tempullit ziejnë flijimet e popullit.»+

Shënimet

Domethënë, kornizave të derës.
Ose «motak».
Ose «sallat».
Fjalë për fjalë «të mos e shenjtërojnë».
I referohet kutit të gjatë. Shih Shtojcën B14.
Ose «që kishin struktura brenda tyre me të njëjtat përmasa».
Ose «radhë me gurë».