Ezekieli 6:1-14
6 Fjala e Jehovait m’u drejtua përsëri:
2 «Bir njeriu, ktheje fytyrën nga malet e Izraelit dhe profetizo kundër tyre.
3 Thuaju: “O male të Izraelit, dëgjoni fjalët e Zotërisë Sovran Jehova! Kështu u thotë Zotëria Sovran Jehova maleve e kodrave, lumenjve e luginave: ‘Ja, unë do të sjell kundër jush shpatën dhe do të shkatërroj vendet tuaja të larta.*
4 Altarët tuaj do të thërrmohen, mbajtëset e temjanit do të bëhen copë-copë,+ kurse të vrarët tuaj do t’i hedh përpara idhujve tuaj të pështirë.*+
5 Do t’i hedh kufomat e popullit të Izraelit përpara idhujve të tyre të pështirë dhe eshtrat do t’ua shpërndaj rreth e përqark altarëve.+
6 Në të gjitha vendet ku banoni, qytetet do të kthehen në gërmadha+ dhe vendet e larta do të rrafshohen e do të shkretohen.+ Altarët do të shemben e do të bëhen copë-copë, idhujt e pështirë do të zhduken, mbajtëset e temjanit do të rrënohen dhe çdo vepër e duarve tuaja do të fshihet nga faqja e dheut.
7 Do të ketë shumë të vrarë mes jush,+ dhe ju keni për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.+
8 Megjithatë, unë do të lë një mbetje, sepse disa prej jush do t’i shpëtojnë shpatës kur të jeni mes kombeve, të shpërndarë vend më vend.+
9 Ata që do të shpëtojnë, do të kujtohen për mua mes kombeve ku do t’i çojnë robër.+ Do ta kuptojnë se ma bënë zemrën plagë kur zemra e tyre e pabesë* më braktisi+ dhe sytë e tyre ishin plot epsh për* idhujt e tyre të pështirë.+ Atyre do t’u vijë turp e do të ndiejnë neveri për të gjitha gjërat e liga dhe të neveritshme që kanë bërë.+
10 Ata kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai dhe se nuk flisja kot kur i kërcënoja se do t’ua sillja këto të këqija.’”+
11 Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Përplasi duart e këmbët dhe vajto për tërë gjërat e liga e të neveritshme që ka bërë shtëpia e Izraelit, sepse ata do të bien të vdekur nga shpata, nga zia e bukës dhe nga murtaja.+
12 Kush është larg, do të vdesë nga murtaja. Kush është afër, do të bjerë i vdekur nga shpata. Kush u shpëton këtyre dhe mbetet gjallë, do të vdesë nga zia e bukës. Unë do ta shfryj deri në fund zemërimin tim të furishëm.+
13 Ata kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai+ kur të vrarët të dergjen para idhujve të tyre të pështirë, rreth e përqark altarëve,+ në çdo kodër të lartë, në të gjitha majat e maleve, poshtë pemëve të harlisura, poshtë degëve të pemëve të mëdha, kudo ku kanë paraqitur blatime erëmira* për të qetësuar gjithë idhujt e tyre të pështirë.+
14 Unë do ta ngre dorën kundër tyre dhe do ta shkretoj vendin, po, të gjithë vendin ku banojnë, do ta bëj më të shkretë se shkretëtira pranë Diblahut. Ata kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.’»