Ezekieli 8:1-18

  • Ezekielin e çojnë në Jerusalem me anë të vegimeve (1-4)

  • Në tempull shihen gjëra të neveritshme (5-18)

    • Gratë qajnë për Tamuzin (14)

    • Burrat adhurojnë diellin (16)

8  Vitin e gjashtë,* ditën e pestë të muajit të gjashtë, teksa rrija ulur në shtëpinë time dhe përballë meje rrinin ulur pleqtë e Judës, fuqia* e Zotërisë Sovran Jehova veproi tek unë.  Ndërsa shikoja, vura re dikë që ngjante si zjarr: nga ajo që dukej si pjesa e trupit nga mesi e poshtë, ishte zjarr,+ kurse pjesa e trupit nga mesi e lart, rrëzëllente si metal i shndritshëm.*+  Pastaj ai zgjati diçka që ngjante si dorë dhe më kapi nga flokët. Një frymë* më ngriti mes tokës e qiellit dhe, me anë të vegimeve* nga Perëndia, më çoi në Jerusalem, në hyrje të portës së brendshme+ që është me drejtim nga veriu, ku e kishte vendin simboli i xhelozisë* që ngjall xhelozi.+  Ja, atje ishte edhe lavdia e Perëndisë së Izraelit,+ e cila ngjante me atë që kisha parë te rrafshina.+  Ai më tha: «Bir njeriu, të lutem, ngriji sytë në drejtim të veriut.» Unë ngrita sytë në drejtim të veriut dhe ja, në veri të portës së altarit ishte simboli i xhelozisë.*  Ai më tha akoma: «Bir njeriu, e sheh çfarë gjërash të tmerrshme dhe të neveritshme po bën këtu shtëpia e Izraelit,+ gjëra që më detyrojnë të largohem nga shenjtërorja ime?+ Megjithatë, do të shohësh gjëra edhe më të neveritshme e më të tmerrshme se këto.»  Pastaj më çoi në hyrje të oborrit dhe atje pashë një vrimë në mur.  Atëherë ai më tha: «Bir njeriu, të lutem, hape më shumë vrimën që është në mur.» Kështu e hapa vrimën në mur dhe pashë një hyrje.  Ai më tha: «Hyr dhe shih gjërat e liga e të neveritshme që po bëjnë këtu.» 10  Atëherë hyra dhe pashë lloj-lloj shëmbëlltyrash të kafshëve zvarritëse e të neveritshme,+ si edhe të gjithë idhujt e pështirë* të shtëpisë së Izraelit,+ të gdhendur rreth e përqark mureve. 11  Para tyre qëndronin 70 pleq nga shtëpia e Izraelit dhe bashkë me ta ishte edhe Jazaniahu, biri i Shafanit;+ secili mbante në dorë temjanicën, nga e cila ngrihej një re temjani aromatik.+ 12  Pastaj më tha: «Bir njeriu, e sheh ç’po bëjnë pleqtë e shtëpisë së Izraelit në errësirë, secili në dhomën e brendshme ku ka ekspozuar idhujt e tij?* Se ata thonë: ‘Jehovai nuk na sheh. Jehovai ka ikur nga vendi.’»+ 13  Pastaj ai vazhdoi: «Do të shohësh gjëra edhe më të neveritshme e më të tmerrshme se këto që po bëjnë.» 14  Kështu më çoi te hyrja e portës së veriut të shtëpisë së Jehovait dhe atje pashë disa gra që rrinin ulur e qanin për perëndinë Tamuz. 15  Pastaj ai më tha: «Bir njeriu, e sheh ç’bëhet? Do të shohësh gjëra edhe më të neveritshme e më të tmerrshme se këto.»+ 16  Atëherë më çoi në oborrin e brendshëm të shtëpisë së Jehovait.+ Atje, në hyrje të tempullit të Jehovait, mes portikut dhe altarit, ishin rreth 25 burra të kthyer me shpinë nga tempulli i Jehovait dhe me fytyrë drejt lindjes, të cilët po përkuleshin para diellit.+ 17  Ai më tha akoma: «Bir njeriu, e sheh ç’bëhet? Gjë e vogël është për shtëpinë e Judës të bëjë gjithë këto gjëra të neveritshme? Gjë e vogël është që e kanë mbushur vendin me dhunë+ dhe më fyejnë pareshtur? Ja si ma zgjatin degën* te hunda. 18  Prandaj edhe unë do të tregoj tërbimin tim kundër tyre. Syrit tim nuk do t’i vijë keq e nuk do të më dhimbsen fare.+ Ata do të më thërrasin me zë të lartë, por unë nuk do t’i dëgjoj.»+

Shënimet

I referohet vitit të gjashtë të mërgimit të mbretit Jehojakin, të Ezekielit dhe të judenjve të tjerë.
Fjalë për fjalë «dora».
Ose «si elektrum», që është një përzierje ari dhe argjendi.
Ose «idhulli rival».
Ose «idhulli rival».
Kjo fjalë hebraike mund të lidhet me një fjalë që do të thotë «bajgë» dhe përdoret për të shprehur përbuzje.
Ose «ku ka shëmbëlltyrat e tij të gdhendura?»
Me sa duket një degë që përdorej në adhurimin e idhujve.