Sipas Gjonit 11:1-57

  • Vdekja e Lazarit (1-16)

  • Jezui ngushëllon Martën dhe Marinë (17-37)

  • Jezui ringjall Lazarin (38-44)

  • Komploti për të vrarë Jezuin (45-57)

11  Tani, një njeri që quhej Lazar ishte sëmurë; ai ishte nga Betania, fshati i Marisë dhe i Martës,+ motrës së saj.  Maria ishte ajo që derdhi vaj aromatik mbi Zotërinë dhe ia thau këmbët me flokët e vet.+ Lazari, që ishte sëmurë, ishte vëllai i saj.  Prandaj motrat i dërguan fjalë: «Zotëri, miku yt i shtrenjtë, që ti e ke për zemër, është sëmurë.»  Por, kur e dëgjoi këtë, Jezui tha: «Kjo sëmundje nuk do të sjellë vetëm vdekje, por do t’i sjellë lavdi Perëndisë,+ që nëpërmjet saj t’i jepet lavdi Birit të Perëndisë.»  Jezui e donte shumë Martën, motrën e saj dhe Lazarin.  Gjithsesi, kur dëgjoi se Lazari ishte sëmurë, ai qëndroi edhe dy ditë të tjera atje ku ishte.  Më pas u tha dishepujve: «Le të shkojmë prapë në Jude.»  Dishepujt i thanë: «Rabi,+ vetëm pak kohë më parë judeasit kërkonin të të vritnin me gurë+ e ti tani do që të shkosh prapë atje?!»  Jezui u përgjigj: «A nuk ka 12 orë dita?+ Nëse dikush ecën ditën, nuk pengohet, sepse sheh dritën e kësaj bote. 10  Por, nëse ecën natën, ai pengohet, sepse drita nuk është në të.» 11  Pasi u tha këto fjalë, shtoi: «Lazari, miku ynë, ka rënë në gjumë,+ prandaj unë po shkoj atje që ta zgjoj.» 12  Atëherë dishepujt i thanë: «Zotëri, nëse po fle, do të bëhet mirë.» 13  Megjithatë, Jezui foli për vdekjen e Lazarit, kurse ata kujtuan se ai thjesht po flinte e po pushonte. 14  Prandaj Jezui ua tha hapur: «Lazari ka vdekur,+ 15  dhe unë jam i kënaqur që nuk isha atje, sepse kështu besimi juaj do të forcohet. Por tani, hajdeni të shkojmë tek ai.» 16  Atëherë Thomai, që quhej Binjaku, u tha dishepujve të tjerë: «Të shkojmë edhe ne, që të vdesim me të.»+ 17  Kur Jezui mbërriti atje, Lazari kishte tashmë katër ditë në varr.* 18  Betania ishte vetëm rreth tre kilometra larg* Jerusalemit, 19  dhe shumë judenj kishin vajtur te Marta e te Maria që t’i ngushëllonin për të vëllanë. 20  Kur dëgjoi se po vinte Jezui, Marta doli që ta takonte, kurse Maria+ qëndroi në shtëpi. 21  Atëherë Marta i tha Jezuit: «Zotëri, po të kishe qenë këtu, vëllai im nuk do të kishte vdekur. 22  Gjithsesi, edhe tani, unë e di se Perëndia të jep gjithçka që ti i kërkon.» 23  Jezui i tha: «Vëllai yt do të ringjallet.» 24  Marta iu përgjigj: «E di se do të ringjallet+ në ditën e fundit.» 25  Jezui vazhdoi: «Unë jam ringjallja dhe jeta.+ Ai që tregon besim tek unë, edhe sikur të vdesë, do të kthehet në jetë, 26  dhe kushdo që jeton dhe tregon besim tek unë, nuk do të vdesë kurrën e kurrës.+ A e beson këtë?» 27  Ajo iu përgjigj: «Po, Zotëri. Unë e besoj se ti je Krishti, Biri i Perëndisë, ai që duhet të vijë në botë.» 28  Pasi tha këtë, ajo iku të thërriste Marinë, të motrën, dhe i tha veçmas: «Mësuesi+ është këtu dhe po të kërkon.» 29  Sapo dëgjoi këtë, Maria u ngrit shpejt dhe shkoi tek ai. 30  Jezui nuk kishte arritur ende në fshat, por ishte akoma atje ku e takoi Marta. 31  Judenjtë që ishin me Marinë në shtëpi për ta ngushëlluar, me të parë që ajo u ngrit shpejt dhe doli përjashta, i vajtën pas, sepse menduan se po shkonte të qante te varri.*+ 32  Kur Maria mbërriti atje ku ishte Jezui dhe e pa, i ra ndër këmbë dhe i tha: «Zotëri, po të kishe qenë këtu, vëllai im nuk do të kishte vdekur.» 33  Kur pa Marinë dhe judenjtë që erdhën me të duke qarë, Jezui rënkoi thellë* dhe u trishtua. 34  Pastaj pyeti: «Ku e keni vënë?» Ata iu përgjigjën: «Zotëri, eja e shiko.» 35  Jezui nuk i mbajti dot lotët.+ 36  Atëherë disa judenj nisën të thoshin: «Shiko sa për zemër e kishte!» 37  Kurse të tjerë thanë: «Ky njeri që i hapi sytë të verbrit,+ nuk e parandalonte dot vdekjen e Lazarit?» 38  Jezui rënkoi thellë përsëri dhe shkoi te varri.* Në fakt varri ishte një shpellë dhe hyrjen e kishte të mbyllur me një gur. 39  Jezui tha: «Hiqeni gurin.» Marta, motra e të ndjerit, i tha: «Zotëri, tani trupi duhet të mbajë erë, se kanë kaluar katër ditë.» 40  Jezui ia ktheu: «A nuk të thashë se po të besoje, do të shikoje lavdinë e Perëndisë?»+ 41  Kështu e hoqën gurin. Atëherë Jezui ngriti sytë nga qielli+ dhe tha: «Të falënderoj, o Atë, që më ke dëgjuar! 42  Vërtet e dija se ti gjithmonë më dëgjon, por fola për shkak të turmës që kam përreth, që ata të besojnë se ti më dërgove.»+ 43  Pasi tha këto fjalë, ai thirri me zë të lartë: «Lazar, eja jashtë!»+ 44  Lazari, që kishte qenë i vdekur, doli me këmbët dhe duart të lidhura me fasha, kurse fytyrën e kishte të mbështjellë me napë. Jezui u tha: «Zgjidheni dhe lëreni të lirë.» 45  Prandaj, shumë judenj që kishin vajtur te Maria dhe e panë atë që bëri Jezui, treguan besim tek ai.+ 46  Por disa të tjerë shkuan te farisenjtë dhe u treguan çfarë bëri Jezui. 47  Kështu krerët e priftërinjve dhe farisenjtë mblodhën Sinedrin dhe thanë: «Si t’ia bëjmë pra? Se ky njeri po kryen shumë shenja.*+ 48  Po ta lëmë të vazhdojë kështu, të gjithë do të tregojnë besim tek ai. Atëherë romakët do të vijnë e do të na e marrin nga duart vendin tonë të adhurimit* dhe kombin tonë.» 49  Por një nga ata, Kajafa,+ që atë vit ishte kryeprift, u tha: «Ju nuk kuptoni fare. 50  Si nuk e kuptoni se është në dobinë tuaj që një njeri të vdesë për popullin e të mos shkatërrohet i gjithë kombi?!» 51  Megjithatë, këtë nuk e tha nga vetja, por meqë atë vit ishte kryeprift, profetizoi se Jezui duhej të vdiste për kombin. 52  Madje jo vetëm për kombin, por edhe për fëmijët e Perëndisë, të cilët ishin hallakatur andej-këtej, që t’i mblidhte e t’i bënte një.* 53  Kështu, që nga ajo ditë, komplotuan që ta vritnin. 54  Prandaj Jezui nuk dilte më hapur mes judenjve, por u nis për në një vend afër shkretëtirës, në një qytet të quajtur Efraim,+ dhe qëndroi atje me dishepujt. 55  Tani ishte afër Festa e Kalimit,*+ dhe shumë njerëz nga rrethinat u ngjitën në Jerusalem para festës për t’u pastruar ceremonialisht. 56  Ata kërkonin Jezuin dhe, ndërsa vinin rrotull në tempull, i thoshin njëri-tjetrit: «Si mendoni, nuk do të vijë fare në festë?» 57  Por krerët e priftërinjve dhe farisenjtë kishin dhënë urdhër që, nëse dikush e merrte vesh ku ishte Jezui, duhej të raportonte që ta arrestonin.*

Shënimet

Ose «varrin përkujtimor».
Fjalë për fjalë «rreth 15 stade». Shih Shtojcën B14.
Ose «varri përkujtimor».
Fjalë për fjalë «në frymë».
Ose «varri përkujtimor».
Ose «mrekulli».
Domethënë, tempullin.
Ose «e të ishin në unitet».
Ose «Pashka e judenjve». Shih Fjalorthin.
Ose «ta kapnin».