Sipas Gjonit 12:1-50

  • Maria derdh vaj mbi këmbët e Jezuit (1-11)

  • Hyrja triumfuese e Jezuit në Jerusalem (12-19)

  • Jezui parathotë vdekjen e tij (20-37)

  • Mungesa e besimit të judenjve përmbush profeci (38-43)

  • Jezui erdhi të shpëtonte botën (44-50)

12  Gjashtë ditë para Festës së Kalimit,* Jezui mbërriti në Betani ku jetonte Lazari,+ të cilin Jezui e kishte ngritur nga të vdekurit.  Prandaj, atje shtruan një darkë për të, dhe Marta po u shërbente,+ kurse Lazari ishte njëri nga ata që ishin shtruar në tryezë.  Atëherë Maria mori një libër* vaj aromatik, nard të pastër, shumë të shtrenjtë, dhe e derdhi mbi këmbët e Jezuit e ia thau ato me flokët e vet. Shtëpia u mbush me aromën e vajit.+  Por Judë Iskarioti,+ një nga dishepujt e tij, i cili do ta tradhtonte pas pak, tha:  «Pse të mos shitej ky vaj aromatik për 300 denarë* e paratë t’u jepeshin të varfërve?»  Megjithatë, ai nuk e tha këtë ngaqë e brente meraku për të varfrit, por ngaqë ishte hajdut; ai vetë e mbante kutinë e parave për dishepujt dhe vidhte paratë që viheshin atje.  Atëherë Jezui tha: «Lëreni të qetë që ajo ta ndjekë këtë zakon e të më përgatitë për ditën e varrimit.+  Të varfrit do t’i keni gjithmonë,+ kurse mua nuk do të më keni gjithmonë.»+  Ndërkohë, një turmë e madhe judenjsh e morën vesh se ai ishte atje dhe vajtën jo vetëm për të parë Jezuin, por edhe Lazarin, të cilin ai e kishte ngritur nga të vdekurit.+ 10  Kështu krerët e priftërinjve komplotuan të vritnin edhe Lazarin, 11  sepse atje po shkonin shumë judenj për shkak të tij dhe po tregonin besim te Jezui.+ 12  Të nesërmen, me të dëgjuar se Jezui po vinte në Jerusalem, turma e madhe që kishte shkuar në festë 13  mori degë palmash dhe doli ta takonte. Ata filluan të brohoritnin: «Shpëtoje, të lutemi!* I bekuar është ai që vjen në emër të Jehovait,*+ po, Mbreti i Izraelit!»+ 14  Me të gjetur një gomar të vogël, Jezui hipi në të+ siç është shkruar: 15  «Mos ki frikë, o bijë e Sionit! Ja, Mbreti yt po vjen, hipur në një kërriç.»+ 16  Në fillim, dishepujt nuk i kuptuan këto gjëra, por kur Jezui mori lavdi,+ atyre u erdhi ndër mend se gjërat që i ndodhën, ishin pikërisht çfarë ishte shkruar për të.+ 17  Tani, njerëzit që ishin të pranishëm kur Jezui thërriti Lazarin të dilte nga varri*+ pasi e ngriti nga të vdekurit, jepnin pareshtur dëshmi për të.+ 18  Ja pse turma shkoi ta takonte, ngaqë dëgjoi se kishte bërë këtë mrekulli.* 19  Kështu farisenjtë i thanë njëri-tjetrit: «E shihni që s’po nxjerrim gjë në dritë. Gjithë bota po shkon pas tij.»+ 20  Bashkë me ata që shkuan të adhuronin Perëndinë në festë, ishin edhe disa grekë. 21  Këta iu afruan Filipit,+ që ishte nga Betsaida e Galilesë, dhe i kërkuan: «Zotëri, duam të takojmë Jezuin.» 22  Filipi vajti e i tha Andreas, dhe Andrea me Filipin vajtën e i thanë Jezuit. 23  Por Jezui iu përgjigj: «Ka ardhur ora që Biri i njeriut të marrë lavdi.+ 24  Me të vërtetë po ju them: një kokërr gruri, po të mos bjerë përtokë e të mos “vdesë”, mbetet vetëm një kokërr. Por nëse “vdes”,+ atëherë jep shumë fryt. 25  Kush e do jetën* e vet, do ta humbasë,* por kush e urren jetën*+ e vet në këtë botë, do ta shpëtojë për jetën e përhershme.+ 26  Nëse dikush dëshiron të më shërbejë, le të më ndjekë, dhe ku jam unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im.+ Nëse dikush dëshiron të më shërbejë, Ati do ta nderojë. 27  Por tani jam* thellësisht i shqetësuar+ e çfarë të them? O Atë, shpëtomë nga kjo orë!+ Gjithsesi për këtë erdha, për këtë orë. 28  O Atë, jepi lavdi emrit tënd!» Atëherë një zë+ u dëgjua nga qielli: «I kam dhënë lavdi dhe do t’i jap lavdi përsëri.»+ 29  Turma që ishte aty, e dëgjoi dhe nisi të thoshte se kishte gjëmuar një bubullimë. Të tjerë thoshin: «Atij i foli një engjëll.» 30  Jezui u tha: «Ky zë nuk u dëgjua për mua, por për ju. 31  Tani kjo botë po gjykohet; tani sundimtari i kësaj bote+ do të flaket tej.+ 32  Megjithatë, kur të më ngrenë nga toka,*+ unë do të tërheq tek unë njerëz të çdo lloji.» 33  Në të vërtetë, po e thoshte këtë për të treguar në ç’mënyrë do të vdiste pas pak.+ 34  Atëherë turma ia ktheu: «Nga Ligji kemi dëgjuar se Krishti do të mbetet në jetë të jetëve.+ Si na thua tani se Birin e njeriut duhet ta ngrenë nga toka?*+ E kush është ky Bir i njeriut?» 35  Jezui iu përgjigj: «Drita do të jetë mes jush edhe për pak. Ecni sa e keni dritën, që errësira të mos triumfojë mbi ju. Ai që ecën në errësirë, nuk e di se ku po shkon.+ 36  Sa e keni dritën, tregoni besim tek ajo, që të bëheni bij të dritës.»+ Pasi tha këto fjalë, Jezui iku dhe u fsheh nga ata. 37  Ndonëse kishte bërë kaq shumë shenja* para syve të tyre, ata nuk po tregonin besim tek ai, 38  që të përmbusheshin fjalët e profetit Isaia: «O Jehova,* kush tregoi besim tek ajo që dëgjoi nga ne?*+ Kujt iu shfaq krahu i Jehovait?»*+ 39  Isaia tregoi edhe arsyen pse nuk ishin në gjendje të besonin: 40  «Ai ua ka verbuar sytë dhe ua ka mbyllur zemrën, që me sy të mos shohin dhe me zemër të mos kuptojnë, që të mos kthehen tek unë e t’i shëroj.»+ 41  Isaia i tha këto fjalë për të, sepse e pa lavdinë e tij.+ 42  Gjithsesi, edhe shumë krerë të judenjve treguan besim tek ai,+ por nuk e pranonin hapur nga frika se mos farisenjtë i përjashtonin nga sinagoga,+ 43  sepse donin lavdinë e njerëzve më shumë se lavdinë e Perëndisë.+ 44  Megjithatë Jezui tha me zë të lartë: «Kush tregon besim tek unë, nuk tregon besim vetëm tek unë, por edhe tek ai që më dërgoi.+ 45  Kush më sheh mua, sheh edhe Atë që më dërgoi.+ 46  Erdha si dritë në botë,+ që kushdo që tregon besim tek unë, të mos mbetet në errësirë.+ 47  Por, nëse dikush i dëgjon fjalët e mia dhe nuk i zbaton, unë nuk e gjykoj, sepse nuk erdha që të gjykoj botën, por që ta shpëtoj.+ 48  Atë që më shpërfill mua dhe nuk i pranon fjalët e mia, ka kush e gjykon. Fjalët e mia do ta gjykojnë atë në ditën e fundit, 49  sepse unë nuk fola nga vetja, por vetë Ati që më dërgoi, më urdhëroi çfarë të them e çfarë të mësoj.+ 50  Unë e di se zbatimi i urdhërimeve të tij do të thotë jetë e përhershme.+ Prandaj, gjërat që them, i them ashtu si m’i ka thënë Ati.»+

Shënimet

Ose «para Pashkës». Shih Fjalorthin.
Domethënë, libra romake, që ishte rreth 327 gr. Shih Shtojcën B14.
Greqisht hosanna. Një kërkesë drejtuar Perëndisë për të sjellë shpëtim, që përdoret edhe si shprehje gëzimi.
Ose «varri përkujtimor».
Fjalë për fjalë «shenjë».
Ose «e ka për zemër shpirtin».
Fjalë për fjalë «do ta shkatërrojë».
Ose «shpirtin».
Ose «shpirti im është».
Domethënë, ta ekzekutojnë në një shtyllë torture.
Domethënë, ta ekzekutojnë në një shtyllë torture.
Ose «mrekulli».
Ose «që thamë ne?»