Sipas Gjonit 13:1-38
13 Jezui e dinte që përpara Festës së Kalimit* se kishte ardhur ora+ të largohej nga kjo botë për të shkuar tek Ati.+ Tani, meqë i kishte dashur të vetët* që ishin me të në botë, i deshi ata deri në fund.+
2 Kështu ata po hanin darkën* dhe Djalli tashmë kishte futur në zemrën e Judë Iskariotit,+ të birit të Simonit, dëshirën që ta tradhtonte.+
3 Prandaj, duke e ditur se Ati i kishte dhënë gjithçka në dorë dhe se ai kishte ardhur nga Perëndia e po shkonte te Perëndia,+
4 Jezui u ngrit nga darka, vuri mënjanë mantelin, mori një peshqir dhe e ngjeshi rreth mesit.*+
5 Pastaj hodhi ujë në një legen dhe filloi t’u lante këmbët dishepujve e t’ua thante me peshqirin që kishte ngjeshur në mes.
6 Kur arriti te Simon Pjetri, ai i tha: «Zotëri, ti po më lan këmbët mua?!»
7 Jezui iu përgjigj: «Tani për tani ti nuk e kupton ç’po bëj, por më pas do ta kuptosh.»
8 Pjetri i tha: «Ti s’ke për të m’i larë këmbët kurrë.» Jezui i tha: «Po nuk të lava,+ nuk ke më lidhje* me mua.»
9 Simon Pjetri i tha: «Zotëri, më laj jo vetëm këmbët, por edhe duart dhe kokën.»
10 Jezui i tha: «Kush ka bërë banjë, është krejt i pastër, prandaj duhet të lajë vetëm këmbët. Ju jeni të pastër, por jo të gjithë.»
11 Ai e dinte kush do ta tradhtonte,+ ja pse tha: «Nuk jeni të gjithë të pastër.»
12 Pasi u lau këmbët, Jezui veshi mantelin, u shtrua përsëri në tryezë dhe i pyeti: «A e kuptuat çfarë bëra me ju?
13 Ju më quani ‘Mësues’ dhe ‘Zotëri’, dhe me të drejtë, sepse i tillë jam.+
14 Prandaj, kur ju lava këmbët unë që jam Zotëri dhe Mësues,+ edhe ju duhet* t’i lani këmbët njëri-tjetrit.+
15 Unë ju lashë modelin që, ashtu si bëra unë me ju, po njësoj të bëni edhe ju.+
16 Me të vërtetë po ju them: skllavi nuk është më i madh se zotëria, as i dërguari nuk është më i madh se ai që e dërgoi.
17 Nëse i dini këto gjëra, lum ju po t’i zbatoni.+
18 Nuk po flas për të gjithë ju, sepse i njoh ata që kam zgjedhur. Por po flas që të përmbushet shkrimi:+ ‘Ai që hante bukë me mua, ka ngritur thembrën kundër meje.’*+
19 Po jua them që tani, para se të ndodhë, që, kur kjo të më ndodhë, të besoni se unë jam ai.+
20 Me të vërtetë po ju them: ai që pranon atë që dërgoj unë, më pranon edhe mua,+ dhe ai që më pranon mua, pranon edhe Atë që më dërgoi.»+
21 Pas këtyre fjalëve, me shpirt të trazuar,* Jezui tha hapur: «Me të vërtetë po ju them se njëri nga ju do të më tradhtojë.»+
22 Dishepujt nisën të shikonin njëri-tjetrin ngaqë nuk e dinin për kë po fliste.+
23 Një nga dishepujt, ai që Jezui e kishte veçanërisht për zemër,+ ishte shtruar në tryezë pranë* Jezuit.
24 Prandaj Simon Pjetri i bëri atij shenjë me kokë dhe e pyeti: «Për kë e ka fjalën?»
25 Kështu, ai u mbështet në kraharorin e Jezuit dhe e pyeti: «Zotëri, cili është?»+
26 Jezui iu përgjigj: «Është ai që do t’i jap kafshatën që po ngjyej.»+ Kështu e ngjeu kafshatën dhe ia dha Judës, të birit të Simon Iskariotit.
27 Pasi Juda mori kafshatën, Satanai hyri në zemrën e tij.+ Prandaj Jezui i tha: «Atë që po bën, bëje më shpejt.»
28 Mirëpo, asnjë nga dishepujt që ishin shtruar në tryezë nuk e kuptoi pse ia tha këtë.
29 Në fakt, meqë Juda mbante kutinë e parave+ për dishepujt, disa kujtuan se Jezui po i thoshte: «Bli gjërat që na nevojiten për festën», ose që t’u jepte diçka të varfërve.
30 Prandaj, pasi mori kafshatën, Juda doli menjëherë përjashta. Ishte natë.+
31 Atëherë, kur ai kishte ikur, Jezui tha: «Tani Biri i njeriut po merr lavdi+ dhe Perëndia po merr lavdi nëpërmjet tij.
32 Vetë Perëndia do t’i japë lavdi atij,+ madje do t’i japë lavdi menjëherë.
33 Fëmijë të vegjël, edhe për pak kohë jam me ju. Ju do të më kërkoni, por po ju them siç u thashë edhe judenjve: ‘Atje ku shkoj unë, ju nuk vini dot.’+
34 Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin. Ashtu si ju kam dashur unë,+ ta doni edhe ju njëri-tjetrin.+
35 Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi: nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.»+
36 Simon Pjetri e pyeti: «Zotëri, ku po shkon?» Jezui iu përgjigj: «Atje ku po shkoj unë, ti nuk më ndjek dot tani, por më vonë do të më ndjekësh.»+
37 Pjetri e pyeti prapë: «Zotëri, pse nuk të ndjek dot tani? Unë do të jap jetën* për ty.»+
38 Jezui iu përgjigj: «Ti do të japësh jetën* për mua?! Me të vërtetë po të them se, para se të këndojë gjeli, ti do të më kesh mohuar tri herë.+
Shënimet
^ Ose «dishepujt e vet».
^ Ose «përpara Pashkës». Shih Fjalorthin.
^ Domethënë, darkën e Festës së Kalimit.
^ Ose «e ngjeshi pas vetes».
^ Ose «nuk ke pjesë».
^ Ose «e keni për detyrë».
^ Ose «më është kthyer kundër».
^ Fjalë për fjalë «i trazuar në frymë». Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «në gji të».
^ Ose «shpirtin».
^ Ose «shpirtin».