Sipas Gjonit 16:1-33

  • Dishepujt e Jezuit mund të përballen me vdekjen (1-4a)

  • Si vepron fryma e shenjtë (4b-16)

  • Dhembja e dishepujve do të kthehet në gëzim (17-24)

  • Jezui e mund botën (25-33)

16  Jua kam thënë këto gjëra që të mos e humbni besimin.*  Do t’ju përjashtojnë nga sinagogat.+ Madje, po vjen ora kur ata që do t’ju vrasin,+ do të mendojnë se i kanë bërë shërbim të shenjtë Perëndisë.  Por këto gjëra do t’i bëjnë sepse nuk kanë arritur të njohin as Atin, as mua.+  Sidoqoftë, jua kam treguar këto gjëra që, kur të mbërrijë ora e tyre, të kujtoheni se jua tregova.+ Nuk jua tregova këto gjëra në fillim meqë isha me ju.  Por tani unë po shkoj tek Ai që më dërgoi.+ E prapëseprapë asnjë nga ju nuk më pyet ‘ku po shkon’,  sepse zemrat tuaja janë mbushur me hidhërim nga gjërat që ju kam treguar.+  Gjithsesi, po ju them të vërtetën: është në dobinë tuaj që unë të iki, sepse po të mos iki, ndihmësi+ nuk do të vijë te ju. Por po të iki, do t’jua dërgoj atë.  Kur të vijë, ai do t’i tregojë qartë botës ç’është mëkati, drejtësia dhe gjykimi:  në radhë të parë ç’është mëkati,+ sepse bota nuk po tregon besim tek unë;+ 10  pastaj ç’është drejtësia, sepse unë po shkoj tek Ati dhe ju nuk do të më shihni më; 11  në fund ç’është gjykimi, sepse sundimtari i kësaj bote është gjykuar.+ 12  Kam ende shumë gjëra për t’ju thënë, por tani për tani nuk mund t’i kuptoni.* 13  Megjithatë, kur të vijë ndihmësi, fryma e së vërtetës,+ ai* do t’ju drejtojë që të kuptoni gjithë të vërtetën, sepse nuk do të flasë nga vetja, por do të thotë ato që dëgjon dhe do t’ju shpallë gjërat që do të vijnë.+ 14  Ai do të më japë lavdi,+ sepse do t’ju shpallë atë që do të marrë nga unë.+ 15  Të gjitha gjërat e Atit janë të miat.+ Ja pse thashë se ai do t’ju shpallë atë që do të marrë nga unë. 16  Edhe pak e nuk do të më shihni më,+ edhe pak e do të më shihni përsëri.» 17  Atëherë disa nga dishepujt pyetën njëri-tjetrin: «Ç’do të thotë: ‘Edhe pak e nuk do të më shihni më, edhe pak e do të më shihni përsëri’ dhe, ‘sepse po shkoj tek Ati.’» 18  Ata po thoshin edhe: «Ç’do të thotë: ‘Edhe pak.’ S’po e kuptojmë për çfarë po flet.» 19  Jezui e dinte se ata donin t’i kërkonin shpjegime, prandaj u tha: «Po pyesni njëri-tjetrin ngaqë thashë se ‘edhe pak e nuk do të më shihni më, edhe pak e do të më shihni përsëri’? 20  Me të vërtetë po ju them: ju do të qani e do të vajtoni, por bota do të gëzojë. Ju do të keni dhembje,* por dhembja juaj do të kthehet në gëzim.+ 21  Kur është duke lindur, gruaja ka dhembje, sepse i ka ardhur ora. Mirëpo, pasi e ka sjellë në jetë fëmijën, ajo nuk e kujton më sa vuajti, nga gëzimi që në botë lindi një njeri. 22  Vërtet, tani edhe ju keni dhembje, por unë do t’ju shoh sërish dhe zemra juaj do të gëzojë,+ e askush s’do t’jua heqë dot gëzimin. 23  Atë ditë nuk do të më kërkoni më asnjë shpjegim. Me të vërtetë po ju them: po t’i kërkoni Atit ndonjë gjë,+ ai do t’jua japë në emrin tim.+ 24  Deri tani nuk keni kërkuar as edhe një gjë të vetme në emrin tim. Kërkoni dhe do të merrni, që gëzimi juaj të bëhet i plotë. 25  Jua kam thënë këto gjëra me anë të krahasimeve.* Megjithatë po vjen ora kur nuk do t’ju flas më me krahasime, por do t’ju flas hapur për Atin. 26  Atë ditë ju do t’i luteni Atit në emrin tim. Nuk po them se unë do të lutem për ju, 27  sepse vetë Ati ju ka për zemër, ngaqë më keni pasur për zemër mua+ dhe keni besuar se unë erdha si përfaqësues i Atit.+ 28  Unë erdha në botë si përfaqësues i Atit. Tani po e lë botën dhe po shkoj tek Ati.»+ 29  Dishepujt e tij thanë: «E shikon! Tani po flet hapur dhe nuk po bën asnjë krahasim. 30  Tani e kuptojmë se ti di gjithçka dhe se asnjë prej nesh nuk ka nevojë të të kërkojë shpjegime. Nga kjo e besojmë se erdhe nga Perëndia.» 31  Jezui ua ktheu: «Vërtet më besoni tani? 32  Ja, po vjen ora, madje ka ardhur, kur do t’ia mbathni secili në shtëpinë e vet dhe do të më lini vetëm.+ Por unë nuk jam vetëm, sepse Ati është me mua.+ 33  Jua kam thënë këto gjëra që falë meje të keni paqe.+ Në botë do të keni vështirësi,* por merrni zemër! Unë e munda botën.»+

Shënimet

Fjalë për fjalë «të mos pengoheni».
Ose «nuk mund t’i mbani».
Në vargjet 13 deri në 15, «ai» i referohet «ndihmësit». Jezui përdori termin «ndihmësi» (që në greqisht është në gjininë mashkullore) si personifikim të frymës së shenjtë, një force aktive, që në greqisht është në gjininë asnjanëse.
Ose «hidhërim».
Ose «ilustrimeve».
Ose «shtrëngim».