Sipas Gjonit 2:1-25

  • Dasma në Kanë; uji kthehet në verë (1-12)

  • Jezui pastron tempullin (13-22)

  • Jezui e di çfarë kanë në zemër njerëzit (23-25)

2  Dy ditë më vonë, në Kanë të Galilesë u bë një dasmë dhe nëna e Jezuit ishte atje.  Në dasmë ishin ftuar edhe Jezui me dishepujt e vet.  Kur mbaroi vera, e ëma i tha Jezuit: «Nuk kanë më verë.»  Por Jezui iu përgjigj: «O grua, ç’punë kemi ne me këtë?* Nuk është ende koha* që unë të veproj.»  Atëherë e ëma u tha atyre që shërbenin: «Bëni si t’ju thotë ai.»  Tani, siç e kërkonin rregullat e pastrimit të judenjve,+ atje kishte gjashtë qypa guri për ujë, që nxinin secili nga dy ose tri masa.*  Jezui u tha: «Mbushini qypat me ujë.» Dhe ata i mbushën deri në buzë.  Pastaj u tha: «Tani merrni ca dhe çojani të parit të gostisë.» Kështu ata ia çuan.  Kur provoi ujin që tani ishte kthyer në verë, i pari i gostisë thirri dhëndrin. Ngaqë nuk e dinte nga vinte vera (ndryshe nga shërbëtorët që e kishin marrë ujin), 10  ai i tha: «Gjithë të tjerët nxjerrin në fillim verën e mirë dhe, kur njerëzit dehen, nxjerrin atë të keqen. Kurse ti e ke ruajtur verën e mirë deri tani.» 11  Kjo që bëri Jezui në Kanë të Galilesë, ishte fillimi i shenjave* të tij. Kështu ai e shfaqi fuqinë* e vet,+ dhe dishepujt treguan besim tek ai. 12  Pas kësaj, ai, e ëma, vëllezërit+ dhe dishepujt e vet zbritën në Kapernaum,+ por nuk ndenjën shumë ditë atje. 13  Ndërkohë ishte afër Festa e Kalimit,*+ dhe Jezui u ngjit në Jerusalem. 14  Në tempull gjeti shitësit e gjedhëve, të deleve e të pëllumbave,+ si dhe këmbyesit e parave të ulur në stolat e tyre. 15  Prandaj ai bëri një kamxhik me litarë dhe i dëboi nga tempulli të gjithë shitësit bashkë me delet e gjedhët e tyre. Ua derdhi monedhat këmbyesve të parave dhe ua përmbysi tryezat.+ 16  Kurse atyre që shitnin pëllumba, u tha: «Hiqini që këtej këto gjëra! Mos e bëni më shtëpinë e Atit tim shtëpi tregtie!»*+ 17  Dishepujve u erdhi ndër mend shkrimi: «Zelli për shtëpinë tënde do të më përpijë.»+ 18  Por judenjtë e pyetën: «Ç’shenjë do të na tregosh+ se ke autoritet t’i bësh këto gjëra?» 19  Jezui iu përgjigj: «Shembeni këtë tempull dhe për tri ditë unë do ta ngre përsëri.»+ 20  Atëherë judenjtë i thanë: «U deshën 46 vjet që të ndërtohej ky tempull, e ti do ta ngresh për tri ditë?!» 21  Por me tempullin ai kishte ndër mend trupin e vet.+ 22  Në fakt, dishepujve u erdhën ndër mend këto fjalë kur ai u ngrit nga të vdekurit.+ Kështu ata u besuan Shkrimeve dhe fjalëve të Jezuit. 23  Mirëpo, gjatë kohës që ishte në Jerusalem për Festën e Kalimit, shumë njerëz treguan besim në emrin e tij kur panë shenjat që kryente. 24  Por Jezui nuk u zinte shumë besë atyre, sepse i njihte mirë të gjithë 25  dhe s’kishte nevojë t’i tregonin si mendonin njerëzit, sepse e dinte çfarë kishin në zemër.+

Shënimet

Fjalë për fjalë «Çfarë për mua dhe për ty, o grua?» Kjo është një idiomë që tregon kundërshtim. Përdorimi i fjalës «grua» nuk tregon mungesë respekti.
Fjalë për fjalë «ora».
Ka shumë të ngjarë që këto masa të kenë qenë në bato. Një bato ishte 22 l. Shih Shtojcën B14.
Ose «i mrekullive».
Ose «lavdinë».
Ose «Pashka e judenjve». Shih Fjalorthin.
Ose «shesh pazari; vend biznesi!»