Sipas Gjonit 3:1-36

  • Jezui dhe Nikodemi (1-21)

    • Të lindësh përsëri (3-8)

    • Perëndia e deshi botën (16)

  • Dëshmia e fundit e Gjonit për Jezuin (22-30)

  • Ai që vjen nga lart (31-36)

3  Një farise me emrin Nikodem,+ që ishte një nga krerët e judenjve,  vajti te Jezui natën+ dhe i tha: «Rabi,+ ne e dimë që ti ke ardhur nga Perëndia si mësues, sepse askush s’mund t’i kryejë shenjat*+ që kryen ti, po qe se Perëndia nuk është me të.»+  Jezui iu përgjigj: «Me të vërtetë po të them: në qoftë se dikush nuk lind përsëri,*+ nuk mund ta shohë Mbretërinë e Perëndisë.»+  Nikodemi e pyeti: «Si mund të lindë njeriu kur është plak? A mund të hyjë dot për së dyti në barkun e nënës e të lindë?»  Jezui iu përgjigj: «Me të vërtetë po të them: nëse dikush nuk lind nga uji+ dhe nga fryma e shenjtë,+ nuk mund të hyjë në Mbretërinë e Perëndisë.  Kush lind nga njerëzit, është njeri,* por kush lind nga fryma e shenjtë, i përket qiellit.*  Mos u çudit që të thashë se ju duhet të lindni përsëri.  Era fryn ku të dojë dhe ti ia dëgjon zhurmën, por se nga vjen e ku po shkon, ti nuk e di. Po njësoj ndodh me këdo që lind nga fryma e shenjtë.»+  Nikodemi e pyeti: «Si mund të ndodhin këto gjëra?» 10  Jezui iu përgjigj: «Je mësues në Izrael dhe nuk e ditke?! 11  Me të vërtetë po të them: ne themi atë që dimë dhe japim dëshmi për atë që kemi parë, por ju nuk e pranoni dëshminë që japim ne. 12  Nëse nuk më besoni kur ju flas për gjërat në tokë, si vallë do të më besoni po t’ju flas për gjërat në qiell? 13  Veç kësaj, askush nuk është ngjitur në qiell+ dhe vetëm një ka zbritur nga qielli,+ Biri i njeriut. 14  Ashtu si Moisiu ngriti gjarprin në një shtizë në shkretëtirë,+ po kështu do ta ngrenë* edhe Birin e njeriut,+ 15  që kushdo që beson tek ai, të ketë jetë të përhershme.+ 16  Sepse Perëndia e deshi botën aq shumë, sa dha Birin e tij të vetëmlindur,*+ që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.+ 17  Në të vërtetë, Perëndia nuk e dërgoi Birin e tij në botë që ta gjykojë botën, por që bota të shpëtojë nëpërmjet tij.+ 18  Kushdo që tregon besim tek ai, nuk gjykohet.+ Kushdo që nuk tregon besim, është gjykuar tashmë, sepse nuk ka treguar besim në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë.+ 19  Tani, baza për gjykim është kjo: drita erdhi në botë,+ por njerëzit deshën errësirën në vend të dritës, sepse veprat e tyre ishin të liga. 20  Vërtet, kushdo që vazhdon të bëjë gjëra të poshtra, e urren dritën dhe nuk i afrohet asaj, që veprat e tij të mos dalin sheshit. 21  Por, kushdo që bën gjëra të drejta, i afrohet dritës,+ që të duket qartë se veprat e tij janë bërë sipas vullnetit të Perëndisë.» 22  Pas kësaj, Jezui dhe dishepujt e tij shkuan në rrethinat e Judesë; atje kaloi ca kohë me ta, si edhe pagëzoi njerëz.+ 23  Por edhe Gjoni pagëzonte në Enon, pranë Salimit, sepse atje kishte shumë ujë+ dhe njerëzit vazhdonin të shkonin e të pagëzoheshin.+ 24  Në atë kohë Gjonin nuk e kishin futur akoma në burg.+ 25  Ndërkohë, dishepujt e Gjonit patën një debat me një jude për pastrimin ceremonial. 26  Pas kësaj vajtën te Gjoni dhe i thanë: «Rabi, ai që ishte me ty matanë Jordanit dhe për të cilin dhe dëshmi,+ po pagëzon, dhe të gjithë po shkojnë tek ai.» 27  Gjoni u përgjigj: «Askush s’mund të marrë as edhe një gjë të vetme, po të mos i jetë dhënë nga qielli. 28  Ju vetë jeni dëshmitarë që unë thashë se nuk jam Krishti,+ por më kanë dërguar përpara tij.+ 29  Ai që ka nusen, është dhëndri.+ Megjithatë, edhe miku i dhëndrit gëzohet shumë kur ia dëgjon zërin, teksa rri pranë tij. Ja pse gëzimi im është i plotë tani. 30  Ai* do ta shtojë veprën e tij, kurse unë do ta pakësoj.» 31  Ai që vjen nga lart,+ është mbi gjithë të tjerët. Kurse ai që është nga toka, flet për gjërat në tokë, sepse i përket tokës. Po, ai që vjen nga qielli, është mbi gjithë të tjerët+ 32  dhe jep dëshmi për atë që ka parë e dëgjuar,+ por askush nuk e pranon dëshminë e tij.+ 33  Mirëpo, kush e pranon dëshminë e tij, i vë vulën* se Perëndia është i vërtetë,+ 34  sepse Biri që dërgoi Perëndia, shpall fjalët e Perëndisë,+ pasi Ai nuk e jep frymën e tij me kursim.* 35  Ati e do Birin+ dhe i ka dhënë gjithçka në dorë.+ 36  Ai që tregon besim te Biri, ka jetë të përhershme,+ kurse ai që nuk i bindet Birit, nuk do të shohë jetë,+ por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të.+

Shënimet

Ose «mrekullitë».
Një mundësi tjetër «nëse nuk lind nga qielli».
Fjalë për fjalë «Kush lind nga mishi, është mish».
Fjalë për fjalë «kush lind nga fryma, është frymë».
Domethënë, do ta ekzekutojnë në një shtyllë torture.
Ose «të vetëm». Domethënë, i vetmi bir që u krijua drejtpërdrejt nga Perëndia.
Domethënë, Krishti.
Ose «vërteton».
Ose «me masë».