Letra drejtuar hebrenjve 3:1-19
3 Prandaj, vëllezër të shenjtë, pjesëmarrës të thirrjes* qiellore,+ mendoni për shembullin e Jezuit, të cilin ne e pranojmë* si apostull* dhe kryeprift.+
2 Ai ishte besnik ndaj Atij që e emëroi si të tillë,+ siç ishte edhe Moisiu teksa kujdesej për tërë shtëpinë* e Atij.+
3 Megjithatë, ai* konsiderohet i denjë të marrë më shumë lavdi+ se Moisiu, përderisa ai që ndërton një shtëpi, nderohet më shumë se vetë shtëpia.
4 Sigurisht, çdo shtëpi ndërtohet nga dikush, por ai që ka ndërtuar gjithçka, është Perëndia.
5 Tani, Moisiu ishte besnik si shërbëtor teksa kujdesej për tërë shtëpinë e Atij, dhe shërbimi që kreu, ishte dëshmi e gjërave që do të shpalleshin më pas.
6 Kurse Krishti ishte besnik si bir+ teksa kujdesej për shtëpinë e Perëndisë. Ne jemi shtëpia e Atij,+ nëse vazhdojmë të kemi liri fjale dhe nëse e mbajmë të patundur deri në fund shpresën për të cilën krenohemi.
7 Prandaj, siç thotë fryma e shenjtë:+ «Sot, nëse e dëgjoni zërin e tij,
8 mos i ngurtësoni zemrat si në rastin kur paraardhësit tuaj provokuan zemërimin tim të hidhur, si ditën kur më vunë në provë në shkretëtirë.+
9 Atje, ata më vunë në provë e më sfiduan, ndonëse i kishin parë veprat e mia për 40 vjet.+
10 Prandaj m’u neverit ai brez dhe thashë: ‘Ndjekin gjithnjë me kokëfortësi tekat e zemrës së tyre dhe nuk i kanë njohur udhët e mia.’
11 Kështu i zemëruar, u betova: ‘Nuk do të hyjnë* në pushimin tim.’»+
12 Hapni sytë, vëllezër, se mos ndonjëri nga ju, duke u larguar nga Perëndia i gjallë, zhvillon një zemër të ligë që i mungon besimi.+
13 Por vazhdoni të inkurajoni çdo ditë njëri-tjetrin, për sa kohë të quhet «sot»,+ që asnjërit nga ju të mos i ngurtësohet zemra nga fuqia mashtruese e mëkatit.
14 Vërtet, ne marrim pjesë me Krishtin,* vetëm nëse e mbajmë të patundur deri në fund sigurinë që patëm në fillim,+
15 sikurse thuhet: «Sot, nëse e dëgjoni zërin e tij, mos i ngurtësoni zemrat si në rastin kur paraardhësit tuaj provokuan zemërimin tim të hidhur.»+
16 Cilët ishin ata që e dëgjuan, e megjithatë provokuan zemërimin e tij të hidhur? A nuk ishin në fakt të gjithë ata që dolën nga Egjipti nën drejtimin e Moisiut?+
17 Për më tepër, cilët iu neveritën Perëndisë për 40 vjet?+ A nuk ishin ata që mëkatuan, kufomat e të cilëve ranë në shkretëtirë?+
18 Dhe cilëve iu betua se nuk do të hynin në pushimin e tij? A nuk ishin ata që s’u bindën?
19 Kështu, shohim se ata nuk mundën të hynin në pushimin e tij, ngaqë u mungonte besimi.+