Letra drejtuar hebrenjve 4:1-16
4 Prandaj, përderisa mbetet premtimi për të hyrë në pushimin e tij, të bëjmë kujdes* se mos ndonjë nga ne konsiderohet i padenjë për këtë premtim.+
2 Në fakt, edhe ne e dëgjuam lajmin e mirë,+ ashtu si paraardhësit tanë. Mirëpo atyre nuk u solli dobi fjala që dëgjuan, sepse nuk u bashkuan me ata që ia vunë veshin dhe që treguan besim.
3 Ndaj, ne që kemi treguar besim, hyjmë në atë pushim. Kurse për ata, ai tha: «Kështu i zemëruar, u betova: ‘Nuk do të hyjnë në pushimin tim’»,+ edhe pse i kishte përfunduar veprat e tij që nga themelimi i botës,+
4 sepse në një shkrim ai ka thënë për ditën e shtatë: «Ditën e shtatë Perëndia pushoi nga gjithë veprat e tij.»+
5 E përsëri ai thotë: «Nuk do të hyjnë në pushimin tim.»+
6 Prandaj, përderisa ata që e dëgjuan së pari lajmin e mirë, nuk hynë në të për shkak të mosbindjes,+ mbetet mundësia që disa të hyjnë në të.
7 Ja pse shumë kohë më pas, ai cakton përsëri një ditë duke thënë në psalmin e Davidit, «sot», ashtu siç është thënë më lart: «Sot, nëse e dëgjoni zërin e tij, mos i ngurtësoni zemrat.»+
8 Faktikisht, sikur Josiu+ t’i kishte çuar drejt atij pushimi, Perëndia nuk do të kishte folur më pas për një tjetër ditë pushimi.
9 Kështu mbetet ende një «sabat» për popullin e Perëndisë,+
10 sepse kush ka hyrë në pushimin e Perëndisë, ka pushuar edhe vetë nga veprat e tij, ashtu si Perëndia nga veprat e veta.+
11 Prandaj, le të bëjmë çmos që të hyjmë në atë pushim, që asnjë të mos ndjekë të njëjtin shembull mosbindjeje,+
12 sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi;+ është më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe+ dhe depërton aq sa ndan shpirtin* dhe frymën,* nyjat* dhe palcën, dhe është në gjendje të dallojë mendimet dhe qëllimet e zemrës.
13 Vërtet, nuk ka krijesë që të jetë e fshehur nga sytë e Perëndisë,+ por të gjitha gjërat janë lakuriq dhe fare sheshit në sytë e atij që duhet t’i japim llogari.+
14 Prandaj, meqenëse kemi një kryeprift të madh, që ka kaluar përmes qiejve, Jezuin, Birin e Perëndisë,+ le të vazhdojmë të dëshmojmë për të para të gjithëve,+
15 sepse ne nuk kemi si kryeprift një njeri që nuk na kupton dot* për dobësitë tona,+ por kemi dikë që është sprovuar në çdo aspekt si ne, por pa mëkatuar.+
16 Prandaj, le t’i afrohemi pa ndrojtje fronit të mirësisë së pamerituar,+ që Perëndia të na tregojë mëshirë e mirësi të pamerituar për të na ardhur në ndihmë në kohën e duhur.
Shënimet
^ Fjalë për fjalë «të kemi frikë».
^ Ose «njeriun e jashtëm». Shih Fjalorthin.
^ Ose «njeriun e brendshëm». Shih Fjalorthin.
^ Ose «kyçet».
^ Ose «nuk i vjen keq».