Letra drejtuar hebrenjve 7:1-28
7 Tani, Melkisedeku, mbreti i Salemit, prifti i Perëndisë Më të Lartë, doli ta takonte Abrahamin kur po kthehej nga disfata që u shkaktoi mbretërve dhe e bekoi.+
2 Atëherë Abrahami i dha* atij të dhjetën e çdo gjëje. Para së gjithash, ai është «mbret i drejtësisë», sikurse përkthehet emri i tij, si edhe mbret i Salemit, domethënë, «mbret i paqes».
3 Atij nuk i dihet babai, nëna a gjenealogjia, si edhe kur lindi e kur vdiq, por meqë u bë ngjashëm Birit të Perëndisë, ai mbetet prift përgjithmonë.*+
4 Shihni sa i madh ishte ky njeri, të cilit patriarku* Abraham i dha të dhjetën e pjesës më të mirë të plaçkës.+
5 Është e vërtetë që, sipas Ligjit, bijtë e Levit+ që caktohen si priftërinj, urdhërohen të mbledhin të dhjetat nga populli,+ domethënë nga vëllezërit e tyre, ndonëse edhe ata janë pasardhës* të Abrahamit.
6 Ndërsa ky njeri, që nuk vinte nga familja* e Levit, mori të dhjetën nga Abrahami dhe e bekoi atë që kishte premtimet.+
7 Tani, s’ka dyshim se më i vogli bekohet nga më i madhi.
8 Në njërin rast, ata që marrin të dhjetat, janë njerëz të vdekshëm, kurse në rastin tjetër është një njeri për të cilin dëshmohet se jeton.+
9 E mund të thuhet se edhe Levi, që merr të dhjetat, i ka paguar të dhjetat nëpërmjet Abrahamit,
10 sepse ishte ende një pasardhës i ardhshëm* i Abrahamit kur këtë e takoi Melkisedeku.+
11 Prandaj, nëse përsosmëria do të arrihej nëpërmjet priftërisë levite,+ (e cila ishte një aspekt i Ligjit që iu dha popullit), ç’nevojë do të kishte të dilte një prift tjetër, për të cilin thuhet se është si Melkisedeku+ dhe jo si Aroni?!
12 Tani, me ndryshimin e priftërisë, lind nevoja të ndryshohet edhe Ligji,+
13 sepse njeriu në fjalë, vinte nga një fis tjetër, dhe askush nga ai fis nuk ka shërbyer në altar.+
14 Faktikisht, dihet se Zotëria ynë është pasardhës i Judës,+ dhe Moisiu nuk tha gjëkundi se nga ai fis do të vinin priftërinj.
15 Ky fakt bëhet akoma më i qartë kur del një prift tjetër,+ që është si Melkisedeku+
16 dhe që nuk është bërë prift falë ndonjë kërkese ligjore që bazohet te prejardhja familjare,* por falë fuqisë që i jep jetë të pashkatërrueshme,+
17 sikurse dëshmohet për të: «Në jetë të jetëve, ti do të jesh prift si Melkisedeku.»+
18 Kështu, urdhërimi i mëparshëm shfuqizohet ngaqë është i dobët dhe i pafrytshëm,+
19 sepse Ligji nuk përsosi asgjë,+ kurse shpresa më e mirë që na dha Perëndia,+ po, dhe falë saj po i afrohemi atij.+
20 E përderisa kjo nuk u bë pa një betim,
21 (se faktikisht ka njerëz që janë bërë priftërinj pa një betim, kurse ky u bë prift falë betimit që bëri Ai që tha për të: «Jehovai* është betuar dhe nuk do të ndryshojë mendje:* ‘Në jetë të jetëve, ti do të jesh prift’»),+
22 me të drejtë Jezui është bërë garant për një besëlidhje më të mirë.+
23 Veç kësaj, shumë priftërinj pasonin njëri-tjetrin,+ sepse vdekja i pengonte të shërbenin përgjithmonë.
24 Kurse ai nuk ka asnjë pasues, meqenëse jeton përgjithmonë.+
25 Prandaj është në gjendje t’i shpëtojë vërtet ata që i afrohen Perëndisë nëpërmjet tij, sepse është gjithmonë gjallë për të ndërmjetësuar për ta.+
26 Një kryeprift i tillë na duhet: besnik, i pafaj, i panjollë,+ i ndarë nga mëkatarët dhe që është lartësuar përmbi qiejt.+
27 Ndryshe nga ata kryepriftërinj, ai nuk ka nevojë të paraqitë flijime përditë,+ së pari për mëkatet e veta dhe pastaj për ato të popullit,+ sepse këtë e bëri një herë e mirë kur paraqiti veten si flijim.+
28 Vërtet, Ligji emëron si kryepriftërinj njerëz që kanë dobësi,+ kurse betimi solemn+ që u bë pasi u dha Ligji, emëron një Bir, i cili është bërë i përsosur*+ në jetë të jetëve.
Shënimet
^ Fjalë për fjalë «i ndau».
^ Ose «në vazhdimësi».
^ Ose «kreu i familjes».
^ Fjalë për fjalë «kanë dalë nga ijët».
^ Fjalë për fjalë «gjenealogjia».
^ Fjalë për fjalë «ishte ende në ijët».
^ Fjalë për fjalë «sipas mishit».
^ Shih Shtojcën A5.
^ Ose «nuk do të bëhet pishman».
^ Ose «është kualifikuar plotësisht».