Letra drejtuar hebrenjve 9:1-28
9 Besëlidhja e mëparshme kishte rregulla për shërbimin e shenjtë, si edhe një vend të shenjtë*+ në tokë.
2 Në ndarjen e parë të kësaj tende, të quajtur e Shenjta,+ ishin shandani,+ tryeza dhe bukët e paraqitjes.*+
3 Kurse prapa perdes* së dytë,+ ishte ndarja e dytë e tendës, e quajtur Më e Shenjta.+
4 Atje ishte një temjanicë ari+ dhe arka e besëlidhjes,+ e gjitha e veshur me ar,+ brenda së cilës ndodheshin shkopi i Aronit që kishte nxjerrë sythe,+ pllakat+ e besëlidhjes dhe qypi i artë ku mbahej mana.+
5 Kurse mbi të ndodheshin dy kerubinët e lavdishëm, që me krahët e tyre i bënin hije kapakut të pajtuesit.*+ Megjithatë, tani nuk është koha për të folur me hollësi për këto gjëra.
6 Kështu, pasi çdo gjë u ndërtua në këtë mënyrë, priftërinjtë hynin rregullisht në ndarjen e parë të tendës që të kryenin shërbim të shenjtë.+
7 Kurse në ndarjen e dytë të tendës hynte vetëm kryeprifti, një herë në vit,+ sigurisht jo pa gjak,+ të cilin e paraqiste për veten+ dhe për mëkatet që populli+ i bënte nga padija.
8 Me këto, fryma e shenjtë e tregon qartë se, kur ekzistonte tenda e parë, udha për në vendin e shenjtë* nuk ishte hapur ende.+
9 Kjo tendë është një ilustrim për gjërat që po ndodhin tani,+ dhe sipas këtij organizimi paraqiten dhurata e flijime.+ Megjithatë, këto nuk mund t’i japin një ndërgjegje të përsosur atij që i paraqet*+
10 dhe kanë të bëjnë vetëm me ushqime, pije e pastrime të ndryshme ceremoniale.*+ Po, ishin veçse kërkesa të Ligjit në lidhje me trupin,+ që duheshin zbatuar derisa të vinte koha e caktuar për t’i vënë gjërat në vijë.
11 Por, kur erdhi si kryeprift për të sjellë gjërat e mira që tashmë kemi provuar, Krishti hyri në tendën më të rëndësishme dhe më të përsosur, jo të bërë nga duart e njeriut, domethënë, që nuk i përket këtij krijimi.
12 Ai hyri në vendin e shenjtë* një herë e mirë, jo me gjakun e cjepve dhe të demave të rinj, por me gjakun e vet,+ dhe na siguroi çlirim* të përhershëm.+
13 Faktikisht, nëse gjaku i cjepve dhe i demave,+ si dhe hiri i një mëshqerre, me të cilin spërkaten ata që janë ndotur, shenjtëron dhe pastron trupin,*+
14 aq më shumë gjaku i Krishtit+—i cili nëpërmjet frymës së shenjtë,* ia paraqiti veten Perëndisë si një flijim të patëmetë—do t’i pastrojë ndërgjegjet tona nga veprat e vdekura,+ që t’i bëjmë shërbim të shenjtë Perëndisë së gjallë.+
15 Prandaj ai është ndërmjetës i një besëlidhjeje të re,+ me qëllim që ata që janë thirrur, të marrin premtimin e trashëgimisë së përhershme,+ sepse ai vdiq si shpërblesë për t’i çliruar+ nga fajet që kryen nën besëlidhjen e mëparshme.
16 Tani, kur bëhet një besëlidhje me Perëndinë, është e nevojshme të vdesë njeriu që e bën besëlidhjen,*
17 sepse një besëlidhje bëhet e vlefshme me anë të vdekjes dhe s’hyn në fuqi ndërkohë që njeriu që bën besëlidhjen është gjallë.
18 Prandaj, edhe besëlidhja e mëparshme nuk hyri në fuqi* pa gjak,
19 sepse, pasi i tha popullit gjithë urdhërimet e Ligjit, Moisiu mori gjakun e cjepve dhe të demave të rinj, si edhe ujë, lesh në të kuqe të ndezur dhe hisop,* spërkati rrotullën* dhe gjithë popullin,
20 e tha: «Ky është gjaku i besëlidhjes që Perëndia ju ka urdhëruar të respektoni.»+
21 Po njësoj, spërkati me gjak tendën dhe të gjitha enët e shërbimit të shenjtë.*+
22 Po, sipas Ligjit, thuajse të gjitha gjërat pastrohen me gjak+ dhe, nëse nuk derdhet gjak, nuk ka falje.+
23 Kështu, ishte e nevojshme që gjërat që pasqyronin+ realitetet qiellore, të pastroheshin me anë të flijimeve në kafshë.+ Kurse vetë gjërat qiellore pastrohen me flijime shumë më të mira,
24 sepse Krishti nuk hyri në një vend të shenjtë* të bërë nga duart e njeriut,+ i cili është kopje e realitetit,+ por në vetë qiellin,+ që tani të paraqitet përpara* Perëndisë për ne.+
25 E këtë nuk e bëri që ta flijojë veten shumë herë, siç hyn vit për vit kryeprifti në vendin e shenjtë*+ me gjak që nuk është i veti.
26 Përndryshe do t’i duhej të vuante shumë herë që nga themelimi i botës. Por ai është shfaqur një herë të vetme tani, në përfundim të këtyre sistemeve,* që të heqë mëkatin duke flijuar veten.+
27 Sikurse njerëzit i pret vdekja një herë të vetme dhe pas kësaj, gjykimi,
28 kështu edhe Krishti u flijua një herë të vetme për të mbartur mëkatet e shumë vetave.+ Herën e dytë që do të shfaqet, nuk do të vijë për mëkatin,* dhe ata që e kërkojnë me ngulm për shpëtimin e tyre,+ do ta shohin.
Shënimet
^ Ose «tendë adhurimi; tabernakull».
^ Shih Fjalorthin.
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «vendit të shlyerjes». Shih Fjalorthin, «Kapaku i pajtuesit».
^ Ose «Më të Shenjtën».
^ Ose «atij që kryen shërbim të shenjtë».
^ Fjalë për fjalë «pagëzime të ndryshme».
^ Fjalë për fjalë «shpërblesë; shpengim». Shih Fjalorthin.
^ Ose «Më të Shenjtën».
^ Fjalë për fjalë «mishin».
^ Fjalë për fjalë «një fryme të përhershme».
^ Ose «të vdesë flijimi ndërmjetësues».
^ Fjalë për fjalë «nuk u përurua».
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «librin».
^ Ose «e shërbimit publik».
^ Ose «Më të Shenjtën».
^ Fjalë për fjalë «përpara fytyrës».
^ Ose «Më të Shenjtën».
^ Ose «të këtyre kohëve». Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «do të jetë veçmas mëkatit».