Isaia 19:1-25
19 Shpallje kundër Egjiptit.+
Ja, Jehovai ka hipur mbi një re të shpejtë dhe po hyn në Egjipt.
Perënditë e kota të Egjiptit do të dridhen para tij,+dhe egjiptianëve do t’u mpaket zemra nga frika.
2 «Unë do t’i nxit egjiptianët kundër njëri-tjetrit,dhe vëllai do të luftojë kundër vëllait,fqinji kundër fqinjit,qyteti kundër qytetit, mbretëria kundër mbretërisë.
3 Egjiptianët do të hutohen,dhe unë do t’ua përmbys planet.+
Ata do t’u drejtohen perëndive të kota,hipnotizuesve, mediumeve* dhe parashikuesve të fatit.+
4 Unë do ta jap Egjiptin në duart e një zotërie të ashpër,dhe mbi ta do të sundojë një mbret i egër»,+—thotë Zotëria i vërtetë, Jehovai i ushtrive.
5 Ujërat e detit do të thahen,dhe lumi do të shterojë e do të mbetet i thatë.+
6 Lumenjtë do të bien erë të qelbur.
Kanaleve të Nilit në Egjipt do t’u pakësohet uji e do të shterojnë.
Kallami dhe xunkthi do të kalben.+
7 Bimët përgjatë lumit Nil, te gryka e tij,dhe të gjitha tokat e mbjella përgjatë Nilit,+ do të thahen.+
Bimësia e tyre do të thahet dhe do ta marrë era.
8 Peshkatarët do të mbajnë zi,dhe ata që hedhin grepat në lumin Nil, do të vajtojnë.
Edhe ata që hedhin rrjetat e peshkimit mbi ujë, do të pakësohen.
9 Atyre që punojnë lirin e krehur+dhe atyre që endin pëlhurë të bardhë në tezgjah,* do t’u vijë turp.
10 Endësit e tij do të jenë të dërrmuar;gjithë punëtorët do të pikëllohen.
11 Princat e Zoanit+ janë të marrë.
Më të mençurit e këshilltarëve të faraonit japin këshilla të paarsyeshme.+
E si mund t’i thoni faraonit:
«Unë jam pasardhës i të mençurve,pasardhës i mbretërve të lashtë.»
12 Ku janë, pra, të mençurit e tu?!+
Nëse e dinë, le të ta tregojnë se çfarë ka vendosur Jehovai i ushtrive për Egjiptin.
13 Princat e Zoanit kanë vepruar marrëzisht;princat e Nofit*+ i kanë mashtruar;prijësit e fiseve të Egjiptit e kanë çuar kombin në rrugë të gabuar.
14 Jehovai ka bërë që vendi të turbullohet;+të parët e tij bëjnë që Egjipti të gabojë në të gjitha veprimet e tij,si një i dehur që i merren këmbët në të vjellën e vet.
15 Në Egjipt s’do të mund të bëjnë më asgjë,as koka e as bishti, as bisku e as xunkthi.*
16 Atë ditë Egjipti do të bëhet si gratë. Ai do të dridhet dhe do të tmerrohet kur Jehovai i ushtrive t’i tregojë grushtin me kërcënim.+
17 Egjipti do të mpaket nga frika për shkak të vendit të Judës. Me ta dëgjuar, egjiptianëve do t’u hyjë tmerri për shkak të asaj që ka vendosur Jehovai i ushtrive kundër tyre.+
18 Atë ditë në Egjipt do të ketë pesë qytete që do të flasin gjuhën e Kananit+ dhe që do t’i betohen për besnikëri Jehovait të ushtrive. Njëri qytet do të quhet Qyteti i Rrëzimit.
19 Atë ditë, në mes të Egjiptit do të ketë një altar për Jehovain, dhe në kufi të tij do të gjendet një shtyllë për Jehovain.
20 Do të jenë një shenjë dhe një dëshmi për Jehovain e ushtrive në vendin e Egjiptit; ata do t’i thërrasin Jehovait për shkak të shtypësve, dhe ai do t’u dërgojë një shpëtimtar, po, një shpëtimtar të madh, që do t’i shpëtojë.
21 Jehovai do t’u bëhet i njohur egjiptianëve, dhe atë ditë egjiptianët do ta njohin Jehovain. Do t’i bëjnë atij flijime e dhurata, do të marrin një zotim para Jehovait dhe do ta mbajnë atë.
22 Jehovai do ta godasë Egjiptin,+ do ta godasë e do ta shërojë. Ata do të kthehen te Jehovai, e ai do ta pranojë përgjërimin e tyre dhe do t’i shërojë.
23 Atë ditë do të ketë një rrugë kryesore+ që të çon nga Egjipti në Asiri. Asiria do të vijë në Egjipt, dhe Egjipti në Asiri, e së bashku do t’i shërbejnë Perëndisë.
24 Atë ditë Izraeli do të jetë i treti bashkë me Egjiptin dhe Asirinë,+ një bekim në mes të tokës,
25 sepse Jehovai i ushtrive do t’i ketë bekuar, duke thënë: «Bekuar qoftë Egjipti, populli im, Asiria, vepra e duarve të mia, dhe Izraeli, trashëgimia ime!»+
Shënimet
^ Shih Fjalorthin.
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «e Memfisit».
^ Një mundësi tjetër «dega e palmës dhe kallami».