Jeremia 26:1-24

  • Jereminë e kërcënojnë me vdekje (1-15)

  • Jeremisë ia kursejnë jetën (16-19)

    • Citohet profecia e Mikesë (18)

  • Profeti Urijah (20-24)

26  Në fillim të mbretërimit të Jehojakimit,+ birit të Josisë, mbretit të Judës, Jeremisë iu drejtuan këto fjalë nga Jehovai:  «Kështu thotë Jehovai: “Qëndro në oborrin e shtëpisë së Jehovait dhe folu* tërë njerëzve të qyteteve të Judës që vijnë të adhurojnë* në shtëpinë e Jehovait. Thuaju të gjitha fjalët që do të të urdhëroj dhe mos hiq asnjë fjalë.  Ndoshta do të dëgjojnë, e secili do të kthehet nga udha e ligë, dhe unë do të ndryshoj mendje* për të keqen që kam ndër mend t’u sjell për shkak të veprimeve të tyre të liga.+  Thuaju atyre: ‘Kështu thotë Jehovai: “Në rast se nuk më dëgjoni, që të ecni sipas ligjit* tim që ju kam vënë përpara,  t’u vini veshin fjalëve të shërbëtorëve të mi, profetëve​—që ju dërgoj herë pas here,* por ju nuk ua keni vënë veshin+—​  atëherë unë do ta bëj këtë shtëpi si Shilohu,+ dhe do të bëj që këtë qytet ta përmendin si mallkim të gjitha kombet e tokës.”’”»+  Priftërinjtë, profetët dhe populli e dëgjuan Jereminë të thoshte këto fjalë në shtëpinë e Jehovait.+  Kur Jeremia u tha gjithçka që Jehovai e urdhëroi t’u shpallte njerëzve, atëherë priftërinjtë, profetët dhe populli e kapën dhe i thanë: «Ke për të vdekur!  Pse profetizove në emër të Jehovait se kjo shtëpi do të bëhet si Shilohu, dhe ky qytet do të shkretohet e do të mbetet pa asnjë banor?» Të gjithë njerëzit u mblodhën rreth e rrotull Jeremisë në shtëpinë e Jehovait. 10  Kur princat e Judës i dëgjuan këto fjalë, erdhën nga shtëpia e mbretit* te shtëpia e Jehovait dhe u ulën në hyrje të portës së re të Jehovait.+ 11  Priftërinjtë e profetët u thanë princave dhe popullit: «Ky njeri e ka hak dënimin me vdekje,+ sepse ka profetizuar kundër këtij qyteti, siç e keni dëgjuar me veshët tuaj.»+ 12  Atëherë Jeremia u tha gjithë princave dhe popullit: «Jehovai më dërgoi të profetizoja kundër kësaj shtëpie dhe këtij qyteti tërë fjalët që keni dëgjuar.+ 13  Prandaj ndreqini udhët e veprimet tuaja dhe bindjuni zërit të Jehovait, Perëndisë tuaj, dhe Jehovai do të ndryshojë mendje* për të keqen që ka shpallur kundër jush.+ 14  Sa për mua, jam në duart tuaja. Bëni me mua si t’ju duket e mirë dhe e drejtë. 15  Ama ta dini se, po të më vritni, mbi ju, mbi qytetin dhe mbi banorët e tij do të bjerë faji i gjakut të pafajshëm, sepse vërtet Jehovai më dërgoi t’ju thosha tërë fjalët që dëgjuat.» 16  Atëherë princat dhe gjithë njerëzit u thanë priftërinjve e profetëve: «Ky njeri nuk e ka hak dënimin me vdekje, sepse na foli në emër të Jehovait, Perëndisë tonë.» 17  Për më tepër, disa pleq të vendit u ngritën dhe i thanë popullit: 18  «Mikea+ nga Moresheti profetizoi në ditët e Hezekisë,+ mbretit të Judës, dhe i tha gjithë popullit të Judës: “Kështu thotë Jehovai i ushtrive: ‘Sioni do të kthehet përmbys siç plugohet një arë,Jerusalemi do të bëhet një grumbull gërmadhash,+dhe mali i Shtëpisë së Perëndisë* do të bëhet si vende të larta në pyje.’”*+ 19  Hezekia, mbreti i Judës, bashkë me gjithë Judën, a e vrau atë vallë?! A nuk e nderoi thellësisht Jehovain* dhe a nuk u përgjërua për të fituar miratimin e Jehovait,* dhe kështu Jehovai ndryshoi mendje* për të keqen që kishte shpallur kundër tyre?+ Prandaj, ne po i sjellim një të keqe të madhe vetes. 20  Ishte edhe një burrë tjetër që profetizonte në emër të Jehovait, Urijahu, biri i Shemajahut, nga Kiriat-Jearimi.+ Ai profetizonte kundër këtij qyteti dhe këtij vendi me fjalë si ato të Jeremisë. 21  Mbreti Jehojakim+ bashkë me burrat e tij të fuqishëm e të gjithë princat dëgjuan fjalët e tij, dhe mbreti kërkoi ta vriste.+ Me ta marrë vesh këtë, Urijahut i hyri frika dhe ia mbathi për në Egjipt. 22  Atëherë mbreti Jehojakim dërgoi në Egjipt Elnatanin,+ birin e Akborit, bashkë me burra të tjerë. 23  Ata e morën Urijahun nga Egjipti dhe ia çuan mbretit Jehojakim, që e vrau me shpatë+ dhe ia hodhi trupin në varrezat e njerëzve të thjeshtë.» 24  Por Jereminë e mbrojti Ahikami,+ biri i Shafanit,+ që të mos ia dorëzonin popullit për ta vrarë.+

Shënimet

Ose «fol për».
Ose «të përkulen».
Ose «do të më vijë keq».
Ose «udhëzimit».
Fjalë për fjalë «ju dërgoj duke u çuar herët».
Ose «pallati mbretëror».
Ose «do t’i vijë keq».
Ose «mali i tempullit».
Ose «kreshtë pyjore».
Fjalë për fjalë «nuk e zbuti fytyrën e Jehovait».
Ose «i erdhi keq».
Fjalë për fjalë «nuk iu frikësua Jehovait». Shih Fjalorthin.