Jeremia 35:1-19
-
Rekabitët tregojnë bindje shembullore (1-19)
35 Fjala që Jehovai i drejtoi Jeremisë në ditët e Jehojakimit,+ birit të Josisë, mbretit të Judës:
2 «Shko te shtëpia e rekabitëve+ dhe fol me ta e silli në shtëpinë e Jehovait, në një nga dhomat* e ngrënies, dhe jepu të pinë verë.»
3 Atëherë mora Jazaniahun, birin e Jeremisë, birin e Habaziniahut, bashkë me vëllezërit e djemtë e tij dhe tërë ata të shtëpisë së rekabitëve.
4 I çova në shtëpinë e Jehovait, te dhoma e ngrënies së bijve të Hananit, bir i Igdaliahut dhe njeri i Perëndisë së vërtetë. Kjo dhomë ndodhej pranë dhomës së ngrënies të princave, që ishte sipër dhomës së ngrënies të Masejahut, birit të derëtarit Shalum.
5 Pastaj, burrave të shtëpisë së rekabitëve u vura përpara kupa dhe gota plot me verë, e u thashë: «Pini.»
6 Por ata ma kthyen: «Nuk do të pimë, sepse Jehonadabi,*+ biri i Rekabit, paraardhësi ynë, na urdhëroi: ‘Mos pini kurrë verë, as ju, as bijtë tuaj.
7 Mos ndërtoni shtëpi, mos mbillni farë, as mos mbillni e as mos zotëroni një vresht. Por duhet të banoni gjithmonë në tenda që të jetoni gjatë në vendin ku banoni si të ardhur.’
8 Prandaj ne vazhdojmë t’i bindemi zërit të Jehonadabit, birit të Rekabit, paraardhësit tonë, në çdo gjë që na urdhëroi, duke mos pirë kurrë verë, as ne, as gratë tona, as djemtë e as vajzat tona.
9 Gjithashtu nuk ndërtojmë shtëpi për të banuar, e as kemi vresht, arë ose farë.
10 Vazhdojmë të banojmë në tenda dhe t’i bindemi gjithçkaje që na urdhëroi paraardhësi ynë, Jehonadabi.*
11 Por kur Nabukodonosori,* mbreti i Babilonisë, erdhi kundër vendit,+ ne thamë: ‘Ejani të hyjmë në Jerusalem që të shpëtojmë nga ushtria kaldease dhe siriane’, e tani jetojmë atje.»
12 Atëherë fjala e Jehovait iu drejtua Jeremisë:
13 «Kështu thotë Jehovai i ushtrive, Perëndia i Izraelit: “Shko e thuaju njerëzve të Judës dhe banorëve të Jerusalemit: ‘A nuk ju nxita vazhdimisht që t’u bindeni fjalëve të mia?+—thotë Jehovai.—
14 Jehonadabi, biri i Rekabit i urdhëroi pasardhësit e vet që të mos pinin verë, dhe ata i janë bindur urdhrit të paraardhësit të tyre duke mos pirë verë deri sot.+ Kurse ju nuk më jeni bindur, ndonëse ju kam folur herë pas here.*+
15 Unë ju dërgoja herë pas here*+ gjithë shërbëtorët e mi, profetët, duke ju thënë: “Kthehuni, ju lutem, secili nga udha e vet e ligë+ dhe bëni atë që është e drejtë! Mos shkoni pas perëndive të tjera që t’u shërbeni. Atëherë do të banoni ende në tokën që ju dhashë juve dhe paraardhësve tuaj.”+ Por ju nuk e kthyet veshin nga unë dhe as më dëgjuat.
16 Pasardhësit e Jehonadabit, birit të Rekabit, e kanë zbatuar urdhrin e paraardhësit të tyre,+ kurse ky popull nuk më ka dëgjuar mua.’”
17 Prandaj, kështu thotë Jehovai, Perëndia i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ‘Unë do të sjell mbi Judën dhe mbi gjithë banorët e Jerusalemit tërë të keqen për të cilën i paralajmërova,+ sepse u fola, por nuk më dëgjuan, u thirra, por nuk m’u përgjigjën.’»+
18 Ndërsa atyre të shtëpisë së rekabitëve, Jeremia u tha: «Kështu thotë Jehovai i ushtrive, Perëndia i Izraelit: “Meqë i jeni bindur urdhrit të Jehonadabit, paraardhësit tuaj, dhe vazhdoni të respektoni tërë urdhërimet e tij e veproni tamam si ju urdhëroi ai,
19 kështu thotë Jehovai i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ‘Jehonadabi,* biri i Rekabit, do të ketë gjithmonë një pasardhës që të shërbejë para meje.’”»
Shënimet
^ Ose «sallat».
^ Fjalë për fjalë «Jonadabi», forma e shkurtuar e emrit Jehonadab.
^ Fjalë për fjalë «Jonadabi», forma e shkurtuar e emrit Jehonadab.
^ Fjalë për fjalë «Nabukodrezari», një variant tjetër i këtij emri.
^ Fjalë për fjalë «ju kam folur duke u çuar herët».
^ Fjalë për fjalë «dërgoja duke u çuar herët».
^ Fjalë për fjalë «Jonadabit», forma e shkurtuar e emrit Jehonadab.