Jeremia 41:1-18

  • Gedaliahun e vret Ismaeli (1-10)

  • Johanani bën që Ismaeli t’ia mbathë (11-18)

41  Në muajin e 7-të, Ismaeli,+ biri i Netaniahut, birit të Elishamait, që ishte me prejardhje mbretërore* dhe një nga të parët e mbretit, bashkë me dhjetë burra, vajtën te Gedaliahu, biri i Ahikamit në Mizpah.+ Teksa po hanin bashkë në Mizpah,  Ismaeli, biri i Netaniahut, bashkë me dhjetë burrat që ishin me të, u ngritën dhe goditën me shpatë Gedaliahun, birin e Ahikamit, birit të Shafanit. Kështu Ismaeli vrau atë që mbreti i Babilonisë kishte caktuar mbi vendin.  Vrau edhe gjithë judenjtë që ishin me Gedaliahun në Mizpah, si edhe luftëtarët kaldeas që gjendeshin atje.  Ditën e dytë pas vrasjes së Gedaliahut, kur askush nuk e kishte marrë vesh ende,  nga Sikemi,+ Shilohu+ dhe Samaria+ erdhën 80 burra me mjekër të rruar, me rroba të shqyera dhe me prerje në trup.+ Në duar mbanin blatime në drithë e temjan të bardhë+ që t’i çonin në shtëpinë e Jehovait.  Atëherë Ismaeli, biri i Netaniahut, doli nga Mizpahu për t’i takuar dhe ecte duke qarë. Me t’i takuar, u tha: «Ejani te Gedaliahu, biri i Ahikamit!»  Por, sapo hynë në qytet, Ismaeli, biri i Netaniahut, bashkë me njerëzit e tij, i vrau dhe i hodhi në sternë.  Megjithatë dhjetë veta nga ata i thanë Ismaelit: «Mos na vrit, sepse kemi fshehur në arë rezerva gruri, elbi, vaji dhe mjalti.» Prandaj ai nuk i vrau bashkë me vëllezërit e tyre.  Ismaeli i hodhi të gjitha kufomat e njerëzve që kishte vrarë në një sternë të madhe, të cilën e kishte bërë mbreti Asa gjatë luftës me Bashën, mbretin e Izraelit.+ Ismaeli, biri i Netaniahut, e mbushi atë me të vrarë. 10  Ismaeli mori rob ata që mbetën nga populli në Mizpah,+ pra vajzat e mbretit dhe njerëzit që kishin mbetur atje, të cilët Nebuzaradani, kreu i rojës, i kishte lënë nën kujdesin e Gedaliahut,+ birit të Ahikamit. Ismaeli, biri i Netaniahut, i mori rob dhe u nis të kalonte matanë te amonitët.+ 11  Kur Johanani,+ biri i Kareahut, dhe krerët e ushtrisë që ishin me të, e morën vesh tërë të keqen që kishte bërë Ismaeli, biri i Netaniahut, 12  morën gjithë burrat dhe shkuan të luftonin kundër Ismaelit, birit të Netaniahut. E gjetën pranë ujërave të bollshme* të Gibeonit. 13  Kur panë Johananin, birin e Kareahut, dhe tërë krerët e ushtrisë që ishin me të, njerëzit që ishin me Ismaelin, u gëzuan. 14  Atëherë tërë njerëzit që Ismaeli i kishte marrë rob nga Mizpahu,+ u kthyen dhe morën rrugën bashkë me Johananin, birin e Kareahut. 15  Kurse Ismaeli, biri i Netaniahut, bashkë me tetë njerëz të tij ia mbathën nga Johanani dhe shkuan te amonitët. 16  Johanani, biri i Kareahut, dhe krerët e ushtrisë që ishin me të, morën pjesën e popullit të Mizpahut që kishte shpëtuar nga Ismaeli, biri i Netaniahut, pasi ky kishte vrarë Gedaliahun,+ birin e Ahikamit. Ata i kthyen nga Gibeoni burrat, ushtarët, gratë, fëmijët dhe zyrtarët e oborrit. 17  Kështu ikën e qëndruan në vendstrehimin e Kimhamit pranë Betlehemit,+ që më pas të shkonin në Egjipt,+ 18  sepse kishin frikë nga kaldeasit, ngaqë Ismaeli, biri i Netaniahut, kishte vrarë Gedaliahun, birin e Ahikamit, të cilin mbreti i Babilonisë e kishte caktuar mbi vendin.+

Shënimet

Fjalë për fjalë «nga fara e mbretërisë».
Një mundësi tjetër «rezervuarit të bollshëm».