Jeremia 42:1-22
42 Më pas krerët e ushtrisë, si dhe Johanani,+ biri i Kareahut, Jezania, biri i Hoshajahut, dhe gjithë populli, nga më i vogli e deri te më i madhi, iu afruan
2 profetit Jeremia e i thanë: «Të lutemi, pranoje kërkesën tonë dhe lutju Jehovait, Perëndisë tënd, për ne dhe për tërë këtë mbetje, sepse ishim shumë e kemi mbetur pak,+ siç e sheh edhe vetë.
3 Perëndia yt, Jehovai, na tregoftë udhën nga të shkojmë dhe çfarë duhet të bëjmë!»
4 Profeti Jeremia u tha: «Mirë, ju dëgjova dhe do t’i lutem Jehovait, Perëndisë tuaj, siç më kërkuat. Do t’ju them çdo fjalë nga përgjigjja e Jehovait. Asnjë fjalë s’do të lë pa ju thënë.»
5 Ata i thanë Jeremisë: «Le të jetë Jehovai një dëshmitar i vërtetë dhe besnik kundër nesh, nëse nuk zbatojmë pikë për pikë atë që do të na udhëzojë Jehovai, Perëndia yt, përmes teje.
6 E mirë a e keqe qoftë fjala e tij, do t’i bindemi zërit të Jehovait, Perëndisë tonë, tek i cili po të dërgojmë; kështu do të na shkojë mbarë, sepse i bindemi zërit të Jehovait, Perëndisë tonë.»
7 Pas dhjetë ditësh, fjala e Jehovait iu drejtua Jeremisë.
8 Kështu ai thirri Johananin, birin e Kareahut, krerët e ushtrisë që ishin me të, dhe tërë popullin, nga më i vogli e deri te më i madhi,+
9 dhe u tha: «Kështu thotë Jehovai, Perëndia i Izraelit, tek i cili më dërguat për të paraqitur kërkesën tuaj:
10 “Po të rrini në këtë vend, unë do t’ju ndërtoj e nuk do t’ju shemb, do t’ju mbjell e nuk do t’ju shkul, sepse do të ndiej keqardhje* për të keqen që ju kam sjellë.+
11 Mos kini frikë nga mbreti i Babilonisë.+
Mos kini frikë nga ai,—thotë Jehovai,—sepse unë jam me ju për t’ju shpëtuar dhe për t’ju çliruar nga duart e tij.
12 Unë do t’ju tregoj mëshirë,+ dhe ai do të ketë mëshirë për ju e do t’ju kthejë në vendin tuaj.
13 Por nëse thoni: ‘Jo, nuk do të rrimë në këtë vend!’ dhe nuk i bindeni zërit të Jehovait, Perëndisë tuaj,
14 duke thënë: ‘Përkundrazi do të shkojmë në Egjipt,+ ku nuk do të shohim luftë, nuk do të dëgjojmë tingullin e bririt dhe nuk do të vdesim për bukë; atje do të banojmë’,
15 atëherë dëgjoni fjalën e Jehovait, o mbetje e Judës. Kështu thotë Jehovai i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ‘Në qoftë se e keni ndarë mendjen të shkoni për të banuar* në Egjipt,
16 atëherë shpata që kishit frikë, do t’ju zërë atje në vendin e Egjiptit, dhe zia e bukës që keni tmerr, do t’ju ndjekë në Egjipt, e atje do të vdisni.+
17 Të gjithë burrat që kanë vendosur të shkojnë për të banuar në Egjipt, do të vdesin nga shpata, nga zia e bukës dhe nga murtaja.* Askush s’do të mbijetojë e as do të shpëtojë nga e keqja që do të sjell mbi ta.’”
18 Se kështu thotë Jehovai i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ‘Ashtu si u derdh mbi banorët e Jerusalemit zemërimi dhe tërbimi im,+ po ashtu do të derdhet mbi ju tërbimi im, nëse shkoni në Egjipt. Do të përdoreni si mallkim, do të bëheni objekt llahtarie, do të poshtëroheni+ dhe nuk do ta shihni më këtë vend.’
19 Jehovai ka folur kundër jush, o mbetje e Izraelit. Mos shkoni në Egjipt! Mos harroni paralajmërimin që ju dhashë sot,
20 se fajin tuaj do ta paguani me jetën tuaj. Ju vetë më dërguat te Jehovai, Perëndia juaj, e më thatë: ‘Lutju Jehovait, Perëndisë tonë, për ne dhe na thuaj çdo gjë që do të të thotë Jehovai, Perëndia ynë, e ne do ta zbatojmë.’+
21 Unë jua thashë sot, por ju nuk do t’i bindeni zërit të Jehovait, Perëndisë tuaj, dhe as çdo fjale që më dërgoi t’ju them.+
22 Prandaj ta dini se do të vdisni nga shpata, nga zia e bukës dhe nga murtaja në vendin ku doni të shkoni për të banuar.»+