Jeremia 43:1-13
43 Pasi Jeremia ia tha popullit tërë fjalët e Jehovait, Perëndisë së tyre, çdo fjalë që Jehovai, Perëndia i tyre, e kishte dërguar t’u thoshte,
2 Azariahu, biri i Hoshajahut, Johanani,+ biri i Kareahut, dhe gjithë burrat arrogantë* i thanë Jeremisë: «Po thua një gënjeshtër. Jehovai, Perëndia ynë, nuk të ka dërguar për të na thënë: ‘Mos shkoni në Egjipt për të banuar.’
3 Por Baruku,+ biri i Nerjahut, po të shtyn kundër nesh që të biem në duart e kaldeasve, të vdesim ose të na marrin në mërgim në Babiloni.»+
4 Kështu Johanani, biri i Kareahut, krerët e ushtrisë dhe tërë populli nuk iu bindën zërit të Jehovait që të rrinin në vendin e Judës.
5 Përkundrazi, Johanani, biri i Kareahut, bashkë me krerët e ushtrisë morën tërë mbetjen e Judës që ishte kthyer për të banuar aty nga kombet ku ishte shpërndarë.+
6 Ata morën burrat, gratë, fëmijët, vajzat e mbretit dhe këdo që Nebuzaradani,+ kreu i rojës, kishte lënë me Gedaliahun,+ birin e Ahikamit,+ birit të Shafanit,+ si edhe profetin Jeremia e Barukun, birin e Nerjahut.
7 Nuk iu bindën zërit të Jehovait dhe shkuan në Egjipt; shkuan deri në Tafnes.+
8 Atëherë Jehovai i tha Jeremisë në Tafnes:
9 «Merr në dorë gurë të mëdhenj dhe, në sy të judenjve, fshihi dhe mbuloji me llaç në verandën me tulla te hyrja e shtëpisë së faraonit në Tafnes.
10 Pastaj thuaju atyre: “Kështu thotë Jehovai i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ‘Unë do të thërras Nabukodonosorin,* mbretin e Babilonisë, shërbëtorin tim,+ dhe do ta vendos fronin e tij pikërisht mbi këta gurë që kam fshehur, e ai do të shtrijë mbi ta tendën e tij mbretërore.+
11 Ai do të vijë dhe do të godasë Egjiptin.+ Kushdo që është caktuar për plagën vdekjeprurëse, nga plaga vdekjeprurëse do të vdesë, kushdo që është caktuar për robërinë, në robëri do të shkojë dhe kushdo që është caktuar për shpatën, nga shpata do të vdesë.+
12 Unë do t’u vë zjarrin shtëpive* të perëndive të Egjiptit,+ dhe mbreti do t’i djegë ato e do t’i çojë në robëri. Ai do të mbështillet me vendin e Egjiptit, siç mbështillet bariu me rrobën e vet; do të ikë që andej në paqe.*
13 Do t’i copëtojë shtyllat* e Beth-Shemeshit* në Egjipt, dhe do t’u vërë zjarrin shtëpive* të perëndive të Egjiptit.’”»