Jeremia 7:1-34

  • Më kot mbështeten te tempulli i Jehovait (1-11)

  • Tempulli do të bëhet si Shilohu (12-15)

  • Dënohet adhurimi i rremë (16-34)

    • Adhurojnë Mbretëreshën e Qiejve (18)

    • Flijojnë fëmijët në Hinom (31)

7  Kjo është fjala që Jehovai i drejtoi Jeremisë:  «Rri te porta e shtëpisë së Jehovait dhe shpall atje këtë mesazh: “Dëgjoni fjalën e Jehovait, të gjithë ju, o popull i Judës, që hyni nëpër këto porta për t’u përkulur para Jehovait!  Kështu thotë Jehovai i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ‘Ndreqini udhët e veprimet tuaja, dhe unë do t’ju lë të banoni ende në këtë vend.+  Mos kini besim te fjalët mashtruese dhe mos thoni: “Ky është* tempulli i Jehovait, tempulli i Jehovait, tempulli i Jehovait!”+  Por, nëse i ndreqni vërtet udhët e veprimet tuaja, nëse vërtet e mbroni drejtësinë në çështjet mes një njeriu dhe fqinjit të tij,+  nëse nuk shtypni asnjë të ardhur, asnjë jetim* dhe asnjë vejushë,+ nëse nuk derdhni gjak të pafajshëm në këtë vend dhe nëse nuk shkoni pas perëndive të tjera në dëmin tuaj,+  atëherë unë do t’ju lë të banoni ende në këtë vend, në tokën që u dhashë përgjithmonë* paraardhësve tuaj.  Por ju keni besim te fjalët mashtruese,+ dhe kjo nuk do t’ju sjellë aspak dobi.  Vallë mund të vidhni,+ të vritni, të kryeni kurorëshkelje, të bëni betime të rreme,+ t’i paraqitni flijime* Baalit,+ të shkoni pas perëndive të tjera që nuk i keni njohur, 10  dhe pastaj të vini e të rrini para meje në këtë shtëpi që mban emrin tim dhe të thoni “do të shpëtojmë”, pavarësisht nga gjithë gjërat e neveritshme që keni bërë? 11  Mos vallë kjo shtëpi që mban emrin tim është bërë shpellë kusarësh në sytë tuaj?!+ Ja, unë e kam parë këtë gjë,​—thotë Jehovai. 12  Megjithatë shkoni tani në shenjtëroren time në Shiloh,+ në vendin që kisha zgjedhur më përpara për emrin tim,+ dhe shihni se çfarë i bëra atij për shkak të ligësisë së popullit tim, Izraelit.+ 13  Por ju keni vazhduar të bëni gjithë këto gjëra,​—thotë Jehovai,—dhe megjithëse unë ju kam folur herë pas here,* ju s’keni dëgjuar.+ Unë vazhdova t’ju thërritja, por ju s’jeni përgjigjur.+ 14  Prandaj, siç bëra me Shilohun,+ do të bëj edhe me shtëpinë që mban emrin tim,+ tek e cila keni besim,+ dhe me vendin që ju dhashë juve e paraardhësve tuaj. 15  Do t’ju flak larg meje, siç i flaka gjithë vëllezërit tuaj, tërë pasardhësit e Efraimit.’”+ 16  Por ti mos u lut për këtë popull. Mos bëj as përgjërim, as lutje, as kërkesë për ta,+ sepse nuk do të të dëgjoj.+ 17  A nuk e sheh se ç’po bëjnë në qytetet e Judës dhe në rrugët e Jerusalemit? 18  Bijtë mbledhin dru, etërit ndezin zjarrin dhe gratë zënë brumin që të bëjnë kuleç flijimi për Mbretëreshën e Qiejve.*+ Ata derdhin blatime në pije për perënditë e tjera, që të më fyejnë.+ 19  ‘Pse mua po më lëndojnë vallë?!*​—thotë Jehovai.—​A nuk po lëndojnë veten, për turpin e tyre?’+ 20  Prandaj kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Ja, zemërimi dhe tërbimi im do të derdhen mbi këtë vend,+ mbi njerëzit e mbi kafshët, mbi pemët e fushës e mbi frytin e tokës; ai do të ndizet e nuk do të shuhet.’+ 21  Kështu thotë Jehovai i ushtrive, Perëndia i Izraelit: “Shkoni, shtojuni flijimeve tuaja blatime të plota të djegura dhe hani mishin e tyre,+ 22  sepse ditën kur i nxora paraardhësit tuaj nga vendi i Egjiptit, nuk i urdhërova dhe as fola për blatime të plota të djegura dhe për flijime.+ 23  Vetëm i urdhërova: ‘Bindjuni zërit tim, dhe unë do të jem Perëndia juaj, e ju do të bëheni populli im.+ Duhet të ecni në të gjitha udhët që do t’ju urdhëroj, me qëllim që t’ju vejë mbarë.’+ 24  Megjithatë nuk dëgjuan dhe as e kthyen veshin nga unë,+ përkundrazi ecën sipas planeve* të tyre. Me kokëfortësi ndoqën zemrën e tyre të ligë+ dhe ecën prapa, e jo përpara, 25  që ditën kur paraardhësit tuaj dolën nga Egjipti e deri më sot.+ Prandaj i dërgova vazhdimisht shërbëtorët e mi, profetët, i dërgova ata çdo ditë, herë pas here.*+ 26  Por ky popull nuk pranoi të më dëgjonte dhe as e ktheu veshin nga unë.+ Përkundrazi, me kokëfortësi,* vepruan më keq se paraardhësit e tyre! 27  Ti do t’u thuash atyre të gjitha këto fjalë,+ por nuk do të të dëgjojnë, ti do t’i thërrasësh, por nuk do të të përgjigjen. 28  Do t’u thuash atyre: ‘Ky është kombi që nuk iu bind zërit të Jehovait, Perëndisë së tij, dhe që nuk e pranoi disiplinën. Besnikëria ka marrë fund dhe as nuk përmendet mes tyre.’*+ 29  Priti flokët e paprerë* dhe hidhi poshtë, e nisja një kënge të përvajshme* në kodrat e zhveshura, sepse Jehovai e ka hedhur poshtë dhe do ta braktisë këtë brez që e ka zemëruar kaq shumë. 30  ‘Populli i Judës ka bërë atë që është e keqe në sytë e mi,​—thotë Jehovai.—​Kanë vënë idhujt e tyre të pështirë në shtëpinë që mban emrin tim, që ta ndotin.+ 31  Kanë ngritur vendet e larta* të Tofetit, që ndodhet në Luginën e Birit të Hinomit,*+ për të djegur djemtë dhe vajzat e tyre në zjarr,+ diçka që nuk e kam urdhëruar dhe as më ka shkuar kurrë ndër mend.*+ 32  Prandaj po vijnë ditët,​—thotë Jehovai,—​kur nuk do të quhet më Tofet ose Lugina e Birit të Hinomit,* por Lugina e Vrasjes. Ata do t’i varrosin në Tofet, derisa të mos ketë më vend.+ 33  Kufomat e këtij populli do të bëhen ushqim për zogjtë e qiellit dhe për egërsirat e tokës, e askush nuk do t’i përzërë.+ 34  Unë do t’i jap fund zërit të ngazëllimit e të gëzimit, zërit të dhëndrit e të nuses,+ në qytetet e Judës dhe në rrugët e Jerusalemit, sepse vendi do të katandiset në një shkreti.+

Shënimet

Fjalë për fjalë «Këto janë», duke iu referuar të gjitha godinave të zonës së tempullit.
Ose «fëmijë pa baba».
Ose «nga përjetësia në përjetësi».
Ose «tym blatimi».
Fjalë për fjalë «ju flitja duke u çuar herët».
Titull për një perëndeshë që adhuronin izraelitët apostatë; ka mundësi të ishte perëndeshë pjellorie.
Ose «fyejnë; provokojnë».
Ose «këshillave».
Fjalë për fjalë «u çova herët e i dërgova ata çdo ditë».
Fjalë për fjalë «e ngurtësuan qafën».
Fjalë për fjalë «dhe është zhdukur nga goja e tyre».
Ose «flokët që simbolizojnë kushtimin tënd».
Ose «kënge vajtimi».
Shih Fjalorthin, «Gehena».
Ose «zemra ime nuk e ka dashur kurrë».
Shih Fjalorthin, «Gehena».