Jonai 1:1-17
1 Fjala e Jehovait iu drejtua Jonait,*+ birit të Amitait:
2 «Ngrihu, shko në Ninevi,+ në qytetin e madh, dhe shpall gjykimin kundër tyre, sepse e kam vënë re ligësinë e tyre.»
3 Por Jonai u ngrit që t’ia mbathte në Tarshish, larg Jehovait; zbriti në Jopë dhe gjeti një anije që shkonte atje. Pagoi çmimin e udhëtimit dhe hipi në anije që të shkonte me ta në Tarshish, larg Jehovait.
4 Atëherë Jehovai ngriti një erë të fortë dhe një furtunë kaq të madhe në det, sa anija gati sa s’u shkatërrua.
5 Marinarët u frikësuan kaq shumë, sa filluan secili të thërriste perëndinë e vet për ndihmë dhe nisën të hidhnin në det ngarkesën e anijes, që ta lehtësonin.+ Kurse Jonai ishte strukur në fund të anijes,* ku ishte shtrirë e po bënte një gjumë të rëndë.
6 Kapiteni i anijes iu afrua dhe i tha: «Ç’bën more gjumash? Ngrihu dhe thirri perëndisë tënd! Ndoshta Perëndia i vërtetë do të na tregojë mëshirë, dhe ne nuk vdesim.»+
7 Pastaj i thanë njëri-tjetrit: «Hajdeni të hedhim short+ që të marrim vesh nga na vjen kjo e keqe.» Hodhën short, dhe shorti i ra Jonait.+
8 Prandaj i thanë: «Të lutemi, na thuaj, nga kush na vjen kjo e keqe? Ç’punë bën dhe nga vjen? Nga ç’vend je dhe prej cilit popull?»
9 Ai u tha: «Jam hebre dhe adhuroj* Jehovain, Perëndinë e qiejve, Atë që bëri detin dhe tokën.»
10 Atëherë ata burra u trembën edhe më shumë dhe i thanë: «Ç’na bëre kështu?!» (Ata e kishin marrë vesh që ai po ia mbathte larg Jehovait, ngaqë ai vetë ua kishte thënë.)
11 Pastaj i thanë: «Ç’duhet të bëjmë me ty që deti të qetësohet?», sepse deti po bëhej edhe më i stuhishëm.
12 Ai u tha: «Më merrni dhe më hidhni në det, dhe deti do të qetësohet; sepse e di mirë që kjo furtunë e madhe erdhi kundër jush për shkakun tim.»
13 Por ata vozitnin fort* që ta çonin anijen në tokë të thatë. Megjithatë nuk mundën, sepse deti po bëhej edhe më i stuhishëm.
14 Kështu i thirrën Jehovait dhe i thanë: «O Jehova, të lutemi, mos lejo të vdesim ne për shkak të këtij njeriu! Mos na ngarko me gjak të pafajshëm, o Jehova, sepse e gjithë kjo po ndodh falë vullnetit tënd.»
15 Pastaj e morën Jonain dhe e hodhën në det; kështu detit iu fashit tërbimi.
16 Atëherë, ata burra patën shumë frikë nga Jehovai,+ prandaj i bënë një flijim Jehovait dhe u zotuan para tij.
17 Ndërkaq, Jehovai dërgoi një peshk të stërmadh që ta gëlltiste Jonain, dhe Jonai qëndroi në barkun e peshkut tri ditë e tri net.+
Shënimet
^ Do të thotë «pëllumb».
^ Ose «të anijes me kuvertë».
^ Ose «i frikësohem». Shih Fjalorthin, «Frika nga Perëndia».
^ Ose «përpiqeshin të çanin përmes detit».