Josiu 10:1-43
10 Sapo Adon-Zedeku, mbreti i Jerusalemit, dëgjoi se Josiu e kishte pushtuar dhe e kishte shkatërruar* Ain—se kishte bërë me Ain e me mbretin e tij+ siç kishte bërë me Jerikonë e me mbretin e saj+—dhe se banorët e Gibeonit kishin bërë paqe me Izraelin+ e qëndronin mes tyre,
2 u frikësua shumë,+ sepse Gibeoni ishte qytet i madh, si qytet mbretëror. Ishte më i madh se Ai+ dhe të gjithë burrat i kishte luftëtarë.
3 Prandaj Adon-Zedeku, mbreti i Jerusalemit, i çoi këtë mesazh Hohamit, mbretit të Hebronit,+ Piramit, mbretit të Jarmuthit, Jafiait, mbretit të Lakishit, dhe Debirit, mbretit të Eglonit:+
4 «Më ndihmoni ta sulmojmë Gibeonin, sepse ka bërë paqe me Josiun dhe izraelitët.»+
5 Kështu, pesë mbretërit e amoritëve+—mbreti i Jerusalemit, mbreti i Hebronit, mbreti i Jarmuthit, mbreti i Lakishit dhe mbreti i Eglonit—u mblodhën bashkë me ushtritë e tyre, marshuan dhe e ngritën kampin për të luftuar kundër Gibeonit.
6 Atëherë burrat e Gibeonit i çuan fjalë Josiut te kampi në Gilgal:+ «Mos i braktis skllevërit e tu!+ Hajde sa më shpejt! Na shpëto e na ndihmo se të gjithë mbretërit e amoritëve të rajonit malor janë mbledhur kundër nesh.»
7 Kështu Josiu u nis nga Gilgali bashkë me tërë ushtarët dhe luftëtarët e fuqishëm.+
8 Pastaj Jehovai i tha Josiut: «Mos ki frikë prej tyre,+ sepse unë t’i kam dhënë në dorë.+ Asnjë prej tyre nuk do të të bëjë dot ballë.»+
9 Josiu i sulmoi në befasi pasi marshoi nga Gilgali tërë natën.
10 Jehovai i bëri rrëmujë,+ dhe izraelitët bënë kërdi të madhe në Gibeon; ata i ndoqën në të përpjetën e Beth-Horonit dhe i shpartalluan deri në Azekah e Makedah.
11 Teksa ia mbathnin nga Izraeli dhe ishin në të tatëpjetën e Beth-Horonit, Jehovai hodhi mbi ta nga qielli një breshër kokërrmadh deri në Azekah, dhe ata vdiqën. Në fakt, ata që vdiqën nga breshri ishin më të shumtë sesa ata që ranë të vdekur nga shpata e izraelitëve.
12 Pikërisht atëherë, ditën kur Jehovai i mundi amoritët në sy të izraelitëve, Josiu iu drejtua Jehovait para Izraelit dhe tha:
«O diell, ndalu+ mbi Gibeon,+dhe ti o hënë, mbi luginën* e Ajalonit!»
13 Kështu dielli u ndal dhe hëna nuk lëvizi derisa kombi u hakmor kundër armiqve të tij. A nuk është shkruar kjo në librin e Jasharit?+ Dielli u ndal në mes të qiellit dhe nuk nxitoi të perëndonte pothuajse një ditë të tërë.
14 Nuk ka pasur kurrë një ditë si ajo, as më parë, as më pas, kur Jehovai dëgjoi zërin e një njeriu,+ sepse Jehovai luftonte për Izraelin.+
15 Pas kësaj Josiu bashkë me tërë Izraelin u kthyen te kampi në Gilgal.+
16 Ndërkohë pesë mbretërit ia mbathën dhe u fshehën në shpellën e Makedahut.+
17 Për këtë njoftuan Josiun: «Pesë mbretërit janë gjetur të fshehur në shpellën e Makedahut.»+
18 Kështu Josiu tha: «Rrokullisni gurë të mëdhenj mbi grykën* e shpellës dhe vini njerëz që t’i ruajnë.
19 Kurse ju të tjerët nuk duhet të ndaleni. Ndiqini armiqtë dhe goditini pas shpine.+ Mos i lini të hyjnë në qytetet e tyre, sepse Jehovai, Perëndia juaj, i ka lënë në dorën tuaj.»
20 Pasi Josiu dhe izraelitët bënë kërdi të madhe derisa i shfarosën, me përjashtim të disa të mbijetuarve që ia mbathën e hynë në qytetet e fortifikuara,
21 tërë populli u kthye shëndoshë e mirë te Josiu në kampin në Makedah. Askush nuk guxoi të thoshte më një fjalë kundër* izraelitëve.
22 Atëherë Josiu tha: «Hapni grykën e shpellës, nxirrini pesë mbretërit e m’i sillni këtu.»
23 Kështu i nxorën nga shpella pesë mbretërit dhe i çuan tek ai: mbretin e Jerusalemit, mbretin e Hebronit, mbretin e Jarmuthit, mbretin e Lakishit dhe mbretin e Eglonit.+
24 Kur ia çuan pesë mbretërit, Josiu thirri tërë burrat e Izraelit dhe u tha komandantëve të luftëtarëve që kishin vajtur me të: «Afrohuni dhe vëruani këmbën në zverk këtyre mbretërve.» Kështu ata u afruan dhe ua vunë këmbën në zverk.+
25 Pastaj Josiu u tha: «Mos kini frikë e mos u tmerroni.+ Jini të fortë dhe guximtarë, sepse këtë do t’u bëjë Jehovai të gjithë armiqve tuaj, kundër të cilëve po luftoni.»+
26 Atëherë Josiu i goditi e i vrau, dhe pastaj i vari në pesë shtylla,* ku qëndruan të varur deri në mbrëmje.
27 Në perëndim të diellit, Josiu dha urdhër që t’i zbritnin nga shtyllat+ e t’i hidhnin në shpellën ku ishin fshehur. Pastaj, në grykën e shpellës, vunë gurë të mëdhenj, që janë aty deri më sot.
28 Atë ditë Josiu pushtoi qytetin e Makedahut+ dhe i vrau me shpatë banorët e tij. Ai shfarosi mbretin dhe këdo* në qytet, e nuk la gjallë asnjë;+ ai bëri me mbretin e Makedahut,+ ashtu si kishte bërë me mbretin e Jerikosë.
29 Pastaj Josiu bashkë me tërë Izraelin shkuan nga Makedahu në Libnah dhe luftuan kundër Libnahut.+
30 Jehovai e dha në duart e Izraelit edhe Libnahun me mbretin e tij.+ Ata i vranë me shpatë të gjithë* në qytet, e nuk lanë asnjë gjallë. Kështu bënë me mbretin e tij, ashtu si kishin bërë me mbretin e Jerikosë.+
31 Më pas Josiu bashkë me tërë Izraelin shkuan nga Libnahu në Lakish+ dhe atje ngritën kampin e luftuan kundër tij.
32 Jehovai e dha Lakishin në duart e Izraelit dhe ata e pushtuan ditën e dytë; i vranë me shpatë të gjithë* në të,+ ashtu si kishin bërë me Libnahun.
33 Atëherë Horami, mbreti i Gezerit,+ doli për të ndihmuar Lakishin, por Josiu e goditi atë dhe popullin e tij derisa nuk mbeti asnjë gjallë.
34 Pastaj Josiu bashkë me tërë Izraelin shkuan nga Lakishi në Eglon+ dhe atje ngritën kampin e luftuan kundër tij.
35 Atë ditë e pushtuan dhe i shkuan banorët e tij në teh të shpatës; i shfarosën të gjithë* në qytet atë ditë, ashtu siç kishin bërë me Lakishin.+
36 Pastaj Josiu bashkë me tërë Izraelin u ngjitën nga Egloni në Hebron+ dhe luftuan kundër tij.
37 Ata e pushtuan qytetin dhe shkuan në teh të shpatës mbretin, qytezat e tij dhe këdo* në të, e nuk lanë gjallë asnjë. Josiu e shkatërroi Hebronin dhe këdo* në të, ashtu siç kishte bërë me Eglonin.
38 Në fund, Josiu bashkë me tërë Izraelin u kthyen në Debir+ dhe luftuan kundër tij.
39 Ai e pushtoi qytetin, tërë qytezat e tij dhe kapi rob mbretin. Ata i vranë me shpatë dhe i shfarosën të gjithë,*+ e nuk lanë gjallë asnjë.+ Ai bëri me Debirin dhe me mbretin e tij, ashtu si kishte bërë me Hebronin e me Libnahun dhe me mbretin e tij.
40 Josiu pushtoi gjithë vendin e rajonit malor, Negebin, Shefelahun,+ shpatet e tyre dhe mposhti tërë mbretërit e tyre. Nuk la gjallë asnjë dhe çdo gjë që merrte frymë e shfarosi,+ siç kishte urdhëruar Jehovai, Perëndia i Izraelit.+
41 Josiu pushtoi zonën nga Kadesh-Barnea+ deri në Gazë+ dhe tërë vendin e Goshenit+ deri në Gibeon.+
42 Josiu i kapi rob tërë këta mbretër dhe pushtoi vendet e tyre, të gjithë në të njëjtën kohë, sepse për Izraelin luftonte Jehovai, Perëndia i Izraelit.+
43 Pastaj Josiu bashkë me tërë Izraelin u kthyen te kampi në Gilgal.+