Josiu 18:1-28
18 Pastaj tërë asambleja e izraelitëve u mblodh në Shiloh+ dhe aty ngritën tendën e takimit,*+ pasi tani e kishin nënshtruar vendin.+
2 Por kishin mbetur ende shtatë fise të izraelitëve që nuk e kishin marrë me short trashëgiminë.
3 Kështu Josiu u tha izraelitëve: «Edhe sa do ta shtyni këtë punë? Kur do ta shtini në dorë vendin që ju ka dhënë Jehovai, Perëndia i paraardhësve tuaj?+
4 Zgjidhni tre burra nga çdo fis që t’i nis; ata duhet të shkojnë e të përshkojnë vendin, të bëjnë skicën e tij sipas trashëgimisë së secilit, dhe pastaj të kthehen tek unë.
5 Ata duhet ta ndajnë vendin mes tyre në shtatë pjesë.+ Kurse Juda do të qëndrojë në territorin e vet në jug,+ dhe shtëpia e Jozefit do të qëndrojë në territorin e vet në veri.+
6 Ju, pra bëni skicën e vendit dhe ndajeni në shtatë pjesë, ma sillni dhe unë do të hedh short+ për ju këtu, përpara Jehovait, Perëndisë tonë.
7 Por levitët nuk kanë pjesë mes jush,+ sepse trashëgimia që u ka dhënë Jehovai është të jenë priftërinj.+ Gadi, Rubeni dhe gjysma e fisit të Manaseut+ e kanë marrë tashmë trashëgiminë e tyre në anën lindore të Jordanit, të cilën ua dha Moisiu, shërbëtori i Jehovait.»
8 Burrat u bënë gati të shkonin dhe Josiu i urdhëroi ata që do të bënin skicën e vendit: «Shkoni, përshkoni vendin dhe bëni skicën e tij. Pastaj kthehuni tek unë dhe këtu, në Shiloh, do të hedh short për ju përpara Jehovait.»+
9 Kështu burrat u nisën, përshkuan vendin dhe dokumentuan në një libër skicën e shtatë pjesëve të tij sipas qyteteve. Pastaj u kthyen te Josiu në kampin në Shiloh.
10 Atëherë Josiu hodhi short për ta në Shiloh, përpara Jehovait,+ dhe ua ndau vendin izraelitëve, secilit pjesën e vet.+
11 Kështu u hodh shorti për fisin e Beniaminit, sipas familjeve. Territori që u ra për short ishte midis popullit të Judës+ dhe popullit të Jozefit.+
12 Në anën veriore kufiri i tyre niste në Jordan, ngjitej në shpatin verior të Jerikosë+ dhe drejt perëndimit në rajonin malor e shtrihej deri në shkretëtirën e Beth-Avenit.+
13 Që andej, kufiri vazhdonte në Luz, në shpatin jugor të Luzit, domethënë në Bethel;+ pastaj zbriste në Atarot-Adar,+ mbi malin që ndodhet në jug të Beth-Horonit të Poshtëm.+
14 Pastaj kufiri shtrihej në krahun perëndimor, kthente drejt jugut nga mali që ngrihet përballë Beth-Horonit në jug, dhe mbaronte në Kiriat-Baal, domethënë në Kiriat-Jearim,+ që ishte qytet i Judës. Ky ishte krahu perëndimor.
15 Krahu jugor i kufirit ishte në skaj të Kiriat-Jearimit dhe shtrihej në drejtim të perëndimit e dilte te burimi i ujërave të Neftoahut.+
16 Pastaj kufiri zbriste në skajin e malit që ngrihet përballë Luginës së Birit të Hinomit,+ e cila gjendet në luginën* e Refaimit+ në veri, dhe shkonte deri në Luginën e Hinomit, në shpatin jugor të jebusitëve+ deri në En-Rogel.+
17 Kthente drejt veriut, shtrihej deri në En-Shemesh dhe pastaj drejt Gelilotit, që është përballë së përpjetës së Adumimit.+ Më pas zbriste deri te guri+ i Bohanit,+ birit të Rubenit,
18 dhe vazhdonte nëpër shpatin verior përballë Arabahut, zbriste deri në Arabah,
19 e vazhdonte nëpër shpatin verior të Beth-Hoglahut+ dhe mbaronte në gjirin verior të Detit të Kripur,*+ në skajin jugor të Jordanit. Ky ishte kufiri jugor.
20 Jordani shërbente si kufiri i tij në krahun lindor. Kjo ishte trashëgimia e pasardhësve të Beniaminit, sipas familjeve, me kufijtë e saj përreth.
21 Qytetet e fisit të Beniaminit, sipas familjeve, ishin: Jerikoja, Beth-Hoglahu, Emek-Kezizi,
22 Beth-Arabahu,+ Zemaraimi, Betheli,+
23 Avimi, Parahu, Ofrahu,
24 Kefar-Amoni, Ofni dhe Geba+—12 qytete me fshatrat e tyre.
25 Gibeoni,+ Ramahu, Beroti,
26 Mizpehu, Kefirahu, Mozahu,
27 Rekemi, Irpeli, Taralahu,
28 Zelahu,+ Ha-Elefi, Jebusi, domethënë Jerusalemi,+ Gibeahu+ dhe Kiriati—14 qytete me fshatrat e tyre.
Kjo ishte trashëgimia e pasardhësve të Beniaminit, sipas familjeve.