Josiu 20:1-9

  • Qytetet e strehimit (1-9)

20  Pastaj Jehovai i tha Josiut:  «Thuaju izraelitëve: ‘Zgjidhni qytetet e strehimit,+ për të cilat ju fola me anë të Moisiut,  që atje të ikë me të shpejtë ai që vret dikë* pa paramendim ose pa dashje.* Ato do t’ju shërbejnë si strehim nga gjakmarrësi.+  Ai duhet të ikë shpejt në një nga këto qytete,+ të qëndrojë në hyrje të portës së qytetit+ dhe t’ua paraqesë çështjen pleqve të atij qyteti, të cilët do ta dëgjojnë. Pastaj duhet ta pranojnë në qytet dhe t’i japin një vend që të banojë me ta.  Nëse gjakmarrësi e ndjek, ata nuk duhet ta dorëzojnë në duart e tij atë që i shkaktoi vdekjen tjetrit, sepse ai e ka vrarë pa dashje* dhe pa e urryer më parë.+  Ai duhet të banojë në atë qytet derisa t’i bëhet gjyqi para asamblesë+ dhe të qëndrojë atje derisa të vdesë kryeprifti+ që është në detyrë në atë kohë. Vetëm atëherë ai që i ka shkaktuar vdekjen tjetrit mund të kthehet në qytetin nga i cili iku dhe të hyjë në qytetin e në shtëpinë e tij.’»+  Kështu, ata e shpallën të shenjtë* Kedeshin+ në Galile, në rajonin malor të Neftalit, Sikemin+ në rajonin malor të Efraimit dhe Kiriat-Arbën,+ domethënë Hebronin, në rajonin malor të Judës.  Në rajonin e Jordanit, në lindje të Jerikosë, zgjodhën Bezerin+ në shkretëtirën që gjendet në rrafshnaltë* nga fisi i Rubenit, Ramotin+ në Galad nga fisi i Gadit, dhe Golanin+ në Bashan nga fisi i Manaseut.+  Këto ishin qytetet që u caktuan për tërë izraelitët dhe për të huajt që banonin mes tyre, që atje të ikte me të shpejtë kushdo që kishte vrarë pa dashje dikë*+ dhe të mos vdiste nga dora e gjakmarrësit, përpara se t’i bëhej gjyqi para asamblesë.+

Shënimet

Ose «godet një shpirt».
Ose «aksidentalisht».
Ose «aksidentalisht».
Ose «ata e ndanë veç».
Ose «pllajë».
Ose «një shpirt».