Letra e Judës 1:1-25

  • Përshëndetje (1, 2)

  • Gjykimi kundër mësuesve të rremë është i sigurt (3-16)

    • Mosmarrëveshja e Mikaelit me Djallin (9)

    • Profecia e Enokut (14, 15)

  • Qëndroni në dashurinë e Perëndisë (17-23)

  • I jepet lavdi Perëndisë (24, 25)

 Juda, skllav i Jezu Krishtit dhe vëlla i Jakovit,+ drejtuar të thirrurve,+ këtyre njerëzve të dashur për Perëndinë, Atin tonë, të cilët ai i ka ndarë veç për Jezu Krishtin:+  Paçi gjithnjë e më shumë mëshirë, paqe dhe dashuri!  Të dashur, mezi prisja t’ju shkruaja për shpëtimin tonë të përbashkët,+ por e pashë të nevojshme që, me anë të kësaj letre, t’ju nxis të luftoni me mish e me shpirt për besimin+ që iu dha një herë e përgjithmonë të shenjtëve.*  Kjo sepse mes jush kanë hyrë pa u ndier disa njerëz, për të cilët ishte parathënë kohë më parë në Shkrime se do të gjykoheshin; këta e shpërfillin Perëndinë, e përdorin mirësinë e pamerituar* të Perëndisë tonë si justifikim për sjellje të pacipë*+ dhe nuk i qëndrojnë besnikë Pronarit dhe Zotërisë tonë të vetëm, Jezu Krishtit.+  Ju i dini fare mirë të gjitha këto, por dua t’ju kujtoj se, Jehovai* vërtet e shpëtoi popullin e tij nga Egjipti,+ por nuk i la pa shkatërruar ata që nuk treguan besim.+  Edhe engjëjt që nuk e mbajtën vendin e tyre fillestar, por e braktisën vendbanimin ku duhej të qëndronin,+ Ai i ka lënë në errësirë të dendur dhe i ka ruajtur me vargonj të përjetshëm për gjykimin e ditës së madhe.+  Po kështu, Sodoma e Gomorra bashkë me qytetet përreth, që po njësoj u dhanë pas imoralitetit të rëndë seksual* dhe rendën pas dëshirave të panatyrshme epshore,*+ u ndëshkuan me zjarr të përhershëm* dhe u bënë shembull paralajmërues për ne.+  Pavarësisht nga kjo, edhe këta njerëz, duke u dhënë pas ëndrrave, ndotin veten dhe të tjerët,* përbuzin autoritetin dhe flasin keq për të lavdishmit.+  Kurse kryeengjëlli+ Mikael,+ kur pati një mosmarrëveshje me Djallin dhe bëri fjalë me të për trupin e Moisiut,+ nuk guxoi të fliste keq për të e ta gjykonte,+ por tha: «Jehovai* të qortoftë!»+ 10  Faktikisht këta njerëz flasin keq për gjithë gjërat që nuk kuptojnë.+ Ama, edhe ato gjëra që i kuptojnë instinktivisht, si kafshë që nuk arsyetojnë,+ ata vazhdojnë t’i bëjnë, e kështu sillen me mbrapshti. 11  Mjerë ata, sepse kanë ndjekur shtegun e Kainit,+ janë turrur për një shpërblim drejt rrugës së gabuar të Balamit+ dhe kanë marrë fund duke imituar të folurin rebel+ të Korahut!+ 12  Këta janë shkëmbinj të fshehur nën ujë, ndërkohë që hanë e pinë me ju në banketet tuaja,*+ barinj që pa pikë frike mendojnë vetëm për barkun e tyre,+ re pa ujë që era i sjell andej-këtej,+ pemë pa fryt të vjeshtës së vonë, që janë tharë plotësisht* e janë shkulur me rrënjë, 13  dallgë të tërbuara deti, që nxjerrin si shkumë paturpësinë e tyre,+ yje endacakë, për të cilët ruhet përgjithmonë terri i errësirës.+ 14  Po, edhe Enoku,+ i shtati në radhë që nga Adami, profetizoi për këta kur tha: «Ja, Jehovai* erdhi me dhjetëra mijë engjëjt e tij të shenjtë,*+ 15  që të ekzekutojë gjykimin kundër të gjithëve,+ si edhe të shpallë fajtorë tërë ata që shpërfillin Perëndinë për gjithë veprat e tyre të liga dhe për gjithë fjalët skandaloze që thanë kundër tij këta mëkatarë mospërfillës ndaj Perëndisë.»+ 16  Këta janë njerëz që murmuritin,+ që ankohen për shortin e tyre në jetë, që rendin pas dëshirave të veta,+ që mburren me të madhe, e ndërkohë u bëjnë lajka të tjerëve* për leverdinë e tyre.+ 17  Por ju, o të dashur, sillni ndër mend gjërat që parathanë* apostujt e Zotërisë tonë Jezu Krisht: 18  «Në ditët* e fundit do të ketë tallës, të cilët do të rendin pas dëshirave të veta për të shpërfillur Perëndinë.»*+ 19  Pikërisht këta shkaktojnë përçarje,+ këta njerëz shtazarakë* që nuk e kanë frymën e Perëndisë.* 20  Kurse ju, o të dashur, forconi besimin tuaj shumë të shenjtë dhe lutuni nën drejtimin e frymës së shenjtë,+ 21  që të qëndroni në dashurinë e Perëndisë,*+ e në të njëjtën kohë t’i mbani sytë te mëshira e Zotërisë tonë Jezu Krisht, e cila sjell jetën e përhershme.+ 22  Gjithashtu vazhdoni t’u tregoni mëshirë+ atyre që kanë dyshime+ 23  dhe shpëtojini+ duke ia rrëmbyer zjarrit të shkatërrimit. Vazhdoni t’u tregoni mëshirë edhe të tjerëve, por ndërkohë bëni kujdes për veten, e madje urreni edhe rrobën e njollosur nga veprat e tyre të liga.*+ 24  Lëvduar qoftë ai që mund t’ju ruajë që të mos bini në mëkat* e t’ju bëjë të qëndroni të patëmetë+ përpara lavdisë së tij* me gëzim të madh, 25  i vetmi Perëndi, Shpëtimtari ynë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotërisë tonë. Atij i qoftë lavdia, madhështia, fuqia dhe autoriteti për gjithë përjetësinë: në të shkuarën, tani dhe përgjithmonë! Amin!

Shënimet

Ose «dashamirësinë e pamerituar». Shih Fjalorthin.
Ose «sjellje të paturp; përbuzëse». Greqisht, asélgeia. Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «të mishit». Shih Fjalorthin.
I referohet shkatërrimit të përhershëm.
Fjalë për fjalë «mishin».
Fjalë për fjalë «në gostitë tuaja të dashurisë». Domethënë, në banketet tuaja vëllazërore.
Fjalë për fjalë «që kanë vdekur dy herë».
Ose «me një mori engjëjsh të shenjtë».
Ose «admirojnë njerëzit e shquar».
Ose «fjalët që ju thanë paraprakisht».
Ose «dëshirave të veta të liga».
Fjalë për fjalë «kohën».
Domethënë, njerëz që jepen pas dëshirave të trupit.
Ose «nuk drejtohen nga Perëndia».
Ose «të jeni të denjë për dashurinë e Perëndisë».
Fjalë për fjalë «nga mishi».
Ose «të mos pengoheni».
Ose «pranisë së tij të lavdishme».