Levitiku 18:1-30

  • Marrëdhënie seksuale të paligjshme (1-30)

    • Mos imitoni kananitët (3)

    • Forma të ndryshme incesti (6-18)

    • Gjatë menstruacioneve (19)

    • Akte homoseksuale (22)

    • Marrëdhënie seksuale me kafshë (23)

    • ‘Qëndroni të pastër, përndryshe vendi do t’ju vjellë’ (24-30)

18  Jehovai i tha akoma Moisiut:  «Thuaju izraelitëve: ‘Unë jam Jehovai, Perëndia juaj!+  Mos u sillni siç sillen në Egjipt, ku banuat, dhe mos u sillni siç sillen në Kanan, ku po ju çoj.+ Mos ndiqni ligjet e tyre.  Ndiqni dhe zbatoni ligjet dhe vendimet e mia gjyqësore.+ Unë jam Jehovai, Perëndia juaj!  Zbatoni ligjet dhe vendimet e mia gjyqësore, sepse kush i zbaton, do të jetojë falë tyre.+ Unë jam Jehovai!  Asnjëri nga ju të mos i afrohet një të afërmi të ngushtë për të kryer marrëdhënie seksuale.*+ Unë jam Jehovai!  Mos kryej marrëdhënie seksuale as me babanë, as me nënën tënde; ajo është nëna jote, prandaj nuk duhet të kryesh marrëdhënie me të.  Mos kryej marrëdhënie seksuale me gruan e babait tënd,+ sepse kjo e turpëron babanë tënd.*  Mos kryej marrëdhënie seksuale me motrën tënde, qoftë vajzë e babait tënd, qoftë vajzë e nënës sate, qoftë e lindur në të njëjtën shtëpi me ty, qoftë jo.+ 10  Mos kryej marrëdhënie seksuale me vajzën e djalit a të vajzës sate, sepse lakuriqësia e tyre është lakuriqësia jote. 11  Mos kryej marrëdhënie seksuale me vajzën e gruas së babait tënd, pasardhësen e babait tënd, pasi ajo është motra jote. 12  Mos kryej marrëdhënie seksuale me hallën tënde, pasi ajo është një gjak me babanë tënd.+ 13  Mos kryej marrëdhënie seksuale me tezen tënde, pasi ajo është një gjak me nënën tënde. 14  Mos e turpëro xhaxhanë tënd* duke kryer marrëdhënie seksuale me gruan e tij, pasi ajo është nusja e xhaxhait.+ 15  Mos kryej marrëdhënie seksuale me nusen e djalit;+ ajo është gruaja e djalit tënd, prandaj nuk duhet të kryesh marrëdhënie me të. 16  Mos kryej marrëdhënie seksuale me gruan e vëllait tënd,+ sepse kjo e turpëron vëllanë.* 17  Mos kryej marrëdhënie seksuale me një grua dhe vajzën e saj,+ as mos merr vajzën e djalit të saj a vajzën e vajzës së saj për të kryer marrëdhënie me to, sepse janë të afërme të ngushta të saj. Kjo sjellje është e ndyrë.* 18  Mos e merr motrën e gruas sate si grua të dytë*+ për të kryer marrëdhënie seksuale me të, ndërsa gruaja jote është ende gjallë. 19  Mos iu afro një gruaje për të kryer marrëdhënie seksuale kur është e papastër nga menstruacionet.+ 20  Mos kryej marrëdhënie seksuale me gruan e tjetrit,* që të mos ndotesh.+ 21  Mos lejo që ndonjë nga pasardhësit e tu t’i kushtohet* Molekut.+ Mos e përdhos emrin e Perëndisë tënd në këtë mënyrë.+ Unë jam Jehovai! 22  Mos fli me një burrë njësoj siç fle me një grua.+ Kjo gjë është e neveritshme. 23  Asnjë burrë të mos kryejë marrëdhënie seksuale me kafshë, që të mos ndotet; asnjë grua të mos i afrohet një kafshe për të kryer marrëdhënie me të.+ Kjo dhunon atë që është e natyrshme. 24  Mos u ndotni me asnjë nga këto gjëra, sepse me tërë këto gjëra janë ndotur kombet që po dëboj për ju.+ 25  Për këtë arsye vendi është i papastër, prandaj unë do ta ndëshkoj për fajin e tij dhe ai do t’i vjellë banorët e vet.+ 26  Kurse ju duhet të zbatoni ligjet dhe vendimet e mia gjyqësore+ dhe të mos bëni asnjë nga tërë ato gjëra të neveritshme, qofshi vendës, qofshi të ardhur,+ 27  sepse tërë këto gjëra të neveritshme i bënë ata që jetuan aty përpara jush,+ prandaj vendi është i papastër. 28  Nëse e ndotni vendin njësoj si ata, ai do t’ju vjellë edhe ju njësoj siç volli kombet që ishin aty përpara jush. 29  Nëse dikush bën ndonjë nga këto gjëra të neveritshme, ai që i bën, duhet shfarosur* nga gjiri i popullit. 30  Përmbushni detyrimin që keni ndaj meje dhe mos ndiqni asnjë nga këto zakone të neveritshme që bënin kombet përpara jush,+ për të mos u ndotur prej tyre. Unë jam Jehovai, Perëndia juaj!’»

Shënimet

Fjalë për fjalë «për t’i zbuluar lakuriqësinë», këtu dhe në vargjet vijuese.
Fjalë për fjalë «është lakuriqësia e babait tënd».
Fjalë për fjalë «Mos e zbulo lakuriqësinë e vëllait të babait tënd».
Fjalë për fjalë «është lakuriqësia e vëllait tënd».
Ose «e turpshme; e fëlliqur».
Ose «si shemër». Fjalë për fjalë «si rivale».
Ose «e fqinjit tënd; e shokut tënd».
Ose «t’i flijohet».
Ose «duhet ekzekutuar».