Levitiku 19:1-37

  • Ligje të ndryshme për shenjtërinë (1-37)

    • Mënyra e duhur e korrjes (9, 10)

    • Merak për të shurdhrit dhe të verbrit (14)

    • Shpifja (16)

    • Mos mbani mëri (18)

    • Ndalohen magjia dhe spiritizmi (26, 31)

    • Ndalohen tatuazhet (28)

    • Respekt për të moshuarit (32)

    • Si të trajtohen të huajt (33, 34)

19  Jehovai i tha akoma Moisiut:  «Thuaji tërë asamblesë së izraelitëve: ‘Duhet të jeni të shenjtë, sepse unë Jehovai, Perëndia juaj, jam i shenjtë.+  Të gjithë duhet të respektoni* nënën e babanë+ dhe të mbani sabatet e mia.+ Unë jam Jehovai, Perëndia juaj!  Mos u kërkoni ndihmë perëndive të kota+ dhe mos bëni perëndi me metal të derdhur.+ Unë jam Jehovai, Perëndia juaj!  Tani, nëse i bëni Jehovait një flijim në bashkësi,+ duhet ta bëni në atë mënyrë që Ai ta pranojë dhe ta miratojë.+  Flijimi duhet ngrënë ditën që paraqitet ose të nesërmen, kurse ajo që mbetet deri ditën e tretë, duhet djegur në zjarr.+  Por nëse hahet ditën e tretë, është një gjë fyese, dhe ai flijim nuk do të pranohet dhe nuk do të ketë miratimin e Perëndisë.  Ai që e ha, do të përgjigjet për fajin e vet, sepse ka përdhosur një gjë të shenjtë të Jehovait, dhe ai duhet shfarosur nga gjiri i popullit.  Kur të korrni arat tuaja, mos i korrni deri në cep dhe mos i mblidhni kallinjtë e mbetur në arë nga korrja.+ 10  Mos mblidhni as atë që mbetet në vresht, as kokrrat e shpërndara të rrushit. Përkundrazi, lërini për të varfrin*+ dhe të ardhurin. Unë jam Jehovai, Perëndia juaj! 11  Mos vidhni,+ mos mashtroni+ dhe mos veproni pabesisht me njëri-tjetrin. 12  Mos u betoni në emrin tim për një gënjeshtër,+ e kështu të përdhosni emrin e Perëndisë tuaj. Unë jam Jehovai! 13  Mos e zhvat tjetrin+ dhe mos e grabit.+ Mos ia mbaj pagën gjithë natën deri në mëngjes atij që punon me mëditje.+ 14  Mos e mallko të shurdhrin dhe mos i vër pengesë të verbrit,+ por ki respekt të thellë për Perëndinë tënd.*+ Unë jam Jehovai! 15  Mos bëni padrejtësi kur gjykoni. Mos mbani anën e të varfrit, as mos e mbani me hatër pasanikun.+ Duhet ta gjykosh tjetrin me drejtësi. 16  Mos shko vërdallë që të shpifësh nëpër popull.+ Mos u ngri që t’i marrësh jetën* tjetrit.*+ Unë jam Jehovai! 17  Mos e urre në zemër vëllanë tënd.+ Duhet ta korrigjosh se s’bën tjetrin,+ që të mos bëhesh me faj edhe ti për shkak të mëkateve të tij. 18  Mos merr hak+ dhe mos u mbaj mëri bijve të popullit tënd. Duaje tjetrin si veten.+ Unë jam Jehovai! 19  Duhet të zbatoni ligjet e mia. Mos çiftoni dy lloje kafshësh shtëpiake. Mos mbillni në arë dy lloje farash.+ Mos vishni një rrobë të endur me dy lloje fijesh.+ 20  Tani, nëse një burrë kryen marrëdhënie me një grua që është skllave e premtuar për një burrë tjetër, por që ende nuk është shpenguar* e nuk e ka fituar lirinë, duhet dhënë ndëshkimi i duhur. Megjithatë ata nuk do të vriten, sepse ajo nuk ishte ende e lirë. 21  Ai do të sjellë një dash si blatim për fajin para Jehovait në hyrje të tendës së takimit.+ 22  Prifti do të bëjë shlyerjen për të, për mëkatin që bëri, duke paraqitur para Jehovait dashin e blatimit për fajin, dhe mëkati do t’i falet. 23  Kur të hyni në vendin që po ju jap dhe të mbillni ndonjë pemë frutore, fryti i saj do të jetë i papastër dhe i ndaluar për ju; për tre vjet ajo do të jetë e ndaluar* për ju dhe frytet e saj nuk duhen ngrënë. 24  Kurse vitin e katërt, tërë frytet e saj do të jenë të shenjta dhe do t’i paraqiten Jehovait me hare.+ 25  Vitin e pestë mund t’i hani frytet e saj, dhe ato do t’u shtohen prodhimeve tuaja. Unë jam Jehovai, Perëndia juaj! 26  Mos hani asgjë me gjak.+ Mos kërkoni ogure* dhe mos u merrni me magji.+ 27  Mos i rruani flokët anash tëmthave* dhe mos i shkurtoni cepat e mjekrës* në mënyrë të shëmtuar.+ 28  Mos bëni prerje në trup kur mbani zi për një të vdekur,*+ e as tatuazhe. Unë jam Jehovai! 29  Mos e çndero vajzën tënde duke e bërë prostitutë,+ që vendi të mos jepet pas prostitucionit e të mbushet me shthurje morale.+ 30  Duhet të mbani sabatet e mia+ dhe të keni nderim të thellë për* shenjtëroren time. Unë jam Jehovai! 31  Mos iu drejtoni mediumeve*+ dhe mos u konsultoni me ndonjë parashikues fati,+ që të mos ndoteni prej tyre. Unë jam Jehovai, Perëndia juaj! 32  Duhet të ngrihesh në këmbë para flokëzbardhurit,+ të nderosh të moshuarin+ dhe të kesh nderim të thellë për Perëndinë tënd.*+ Unë jam Jehovai! 33  Mos e keqtrajtoni të ardhurin që banon në vendin tuaj.+ 34  Ai që banon si i ardhur mes jush, duhet të jetë për ju njësoj si vendësit.+ Duajeni si veten, sepse edhe ju ishit të huaj në Egjipt.+ Unë jam Jehovai, Perëndia juaj! 35  Mos përdorni standarde të dyfishta kur matni gjatësinë, gjerësinë dhe vëllimin.+ 36  Duhet të keni peshore të sakta, pesha të sakta, masa të sakta për lëndët e ngurta* dhe masa të sakta për lëngjet.*+ Unë jam Jehovai, Perëndia juaj, që ju nxori nga Egjipti. 37  Prandaj ndiqni e zbatoni tërë ligjet dhe vendimet e mia gjyqësore.+ Unë jam Jehovai!’»

Shënimet

Fjalë për fjalë «t’i frikësoheni».
Ose «të munduarin».
Fjalë për fjalë «frikësoju Perëndisë tënd». Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «gjakun».
Një mundësi tjetër «Mos rri duarkryq kur jeta e tjetrit është në rrezik».
Shih Fjalorthin, «Shpërblesa; Shpengimi».
Fjalë për fjalë «e parrethprerë».
Ose «Mos shtini fall».
Ose «Mos i prisni (mos i shkurtoni) barsetat».
Me sa duket u referohej disa zakoneve pagane.
Ose «për një shpirt». Fjala hebraike néfesh këtu i referohet një personi të vdekur.
Ose «respekt të thellë për». Fjalë për fjalë «t’i frikësoheni».
Fjalë për fjalë «t’i frikësohesh Perëndisë tënd». Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «efë të saktë». Shih Shtojcën B14.
Fjalë për fjalë «hin të saktë». Shih Shtojcën B14.