Levitiku 20:1-27

  • Adhurimi i Molekut; spiritizmi (1-6)

  • Jini të shenjtë dhe respektoni prindërit (7-9)

  • Vdekje për kriminelët seksualë (10-21)

  • Jini të shenjtë që të qëndroni gjatë në vend (22-26)

  • Ekzekutimi i spiritistëve (27)

20  Jehovai i tha akoma Moisiut:  «Do t’u thuash izraelitëve: “Cilido nga izraelitët ose nga të huajt që banojnë në Izrael, që i jep Molekut ndonjë nga pasardhësit e tij, duhet të vritet pa diskutim.+ Populli duhet ta godasë me gurë derisa të vdesë.  Unë vetë do të kthehem* kundër atij njeriu dhe do ta shfaros* nga gjiri i popullit, sepse i ka dhënë Molekut nga pasardhësit e vet, ka ndotur vendin tim të shenjtë+ dhe ka përdhosur emrin tim të shenjtë.  Nëse populli qëllimisht i mbyll sytë kur ai njeri i jep Molekut ndonjë nga pasardhësit e vet dhe nuk e vret,+  atëherë unë vetë do të kthehem kundër tij dhe familjes së tij.+ Do ta shfaros nga gjiri i popullit atë dhe këdo, që bashkë me të, e shet veten si prostitutë te Moleku.  Kurse atij që u drejtohet mediumeve*+ dhe parashikuesve të fatit,+ e kështu më tradhton,* me siguri do t’i kthehem kundër dhe do ta shfaros* nga gjiri i popullit.+  Shenjtërohuni dhe jini të shenjtë,+ sepse unë jam Jehovai, Perëndia juaj.  Ndiqni dhe zbatoni ligjet e mia.+ Unë, Jehovai, po ju shenjtëroj.+  Nëse dikush mallkon babanë dhe nënën, duhet të vritet pa diskutim.+ Ai ka mallkuar babanë dhe nënën, ndaj gjaku i vet rëntë mbi të.* 10  Tani, për sa i përket një burri që kryen kurorëshkelje: ai që kryen kurorëshkelje* me gruan e tjetrit, duhet të vritet pa diskutim; duhet të vriten që të dy, si kurorëshkelësi, edhe kurorëshkelësja.+ 11  Kush fle me gruan e babait, turpëron babanë e vet.*+ Të dy duhet të vriten pa diskutim, dhe gjaku i tyre rëntë mbi ta. 12  Nëse një burrë fle me nusen e djalit, që të dy duhet të vriten pa diskutim. Ata kanë dhunuar atë që është e natyrshme, ndaj gjaku i tyre rëntë mbi ta.+ 13  Nëse një burrë fle me një burrë tjetër njësoj siç fle me një grua, që të dy bëjnë një gjë të neveritshme.+ Ata duhet të vriten pa diskutim, dhe gjaku i tyre rëntë mbi ta. 14  Nëse një burrë martohet me një grua, dhe kryen marrëdhënie edhe me nënën e saj, kjo sjellje është e ndyrë.*+ Ata duhet të vriten e të digjen në zjarr,+ që kjo sjellje e ndyrë të marrë fund mes jush. 15  Nëse një burrë kryen marrëdhënie me një kafshë, ai duhet të vritet pa diskutim, po ashtu edhe kafsha.+ 16  Nëse një grua i afrohet një kafshe për të kryer marrëdhënie me të,+ duhet të vriten si gruaja, edhe kafsha. Duhet të vriten pa diskutim që të dy, dhe gjaku i tyre rëntë mbi ta. 17  Nëse një burrë kryen marrëdhënie seksuale me motrën, qoftë vajzë e babait ose e nënës së tij, dhe sheh lakuriqësinë e saj, e ajo sheh lakuriqësinë e tij, ky veprim është i turpshëm.+ Ata duhen shfarosur* para syve të popullit. Ai ka turpëruar të motrën,* dhe duhet të përgjigjet për fajin e vet. 18  Nëse një burrë fle me një grua që është me menstruacionet dhe kryen marrëdhënie me të, ai dhe ajo nuk tregojnë respekt për gjakrrjedhjen e saj.+ Që të dy duhen shfarosur* nga gjiri i popullit. 19  Mos kryej marrëdhënie seksuale me tezen a me hallën, sepse kështu do të turpëroje një të afërm gjaku.+ Që të dy duhet të përgjigjen për fajin e tyre. 20  Një burrë që fle me nusen e xhaxhait, turpëron xhaxhanë e vet.*+ Që të dy duhet të përgjigjen për mëkatin e tyre dhe do të vdesin pa fëmijë. 21  Nëse një burrë merr gruan e të vëllait,* kjo gjë është e neveritshme.+ Ai ka turpëruar të vëllanë,* dhe të dy do të vdesin pa fëmijë. 22  Ndiqni e zbatoni+ tërë ligjet dhe vendimet e mia gjyqësore,+ që vendi ku po ju çoj të banoni, të mos ju vjellë.+ 23  Mos ndiqni ligjet e kombeve që po dëboj për ju,+ sepse ata i kanë bërë tërë këto gjëra, dhe unë i urrej thellësisht.+ 24  Prandaj ju thashë: ‘Do ta shtini në dorë vendin e tyre, dhe unë do t’jua jap si zotërim atë vend ku rrjedh qumësht e mjaltë.+ Unë jam Jehovai, Perëndia juaj, që ju kam ndarë veç nga popujt.’+ 25  Ju duhet të dalloni kafshët e pastra nga të papastrat dhe zogjtë e pastër nga të papastrit.+ Mos u bëni të neveritshëm në sytë e mi për shkak të ndonjë kafshe, zogu a gjithçkaje që zvarritet në tokë, të cilat i kam ndarë veç që të jenë të papastra për ju.+ 26  Jini të shenjtë për mua, sepse unë, Jehovai, jam i shenjtë+ dhe po ju ndaj veç nga popujt, që të jeni të mitë.+ 27  Çdo burrë a grua që është medium ose parashikues fati,* duhet të vritet pa diskutim.+ Populli do ta godasë me gurë derisa të vdesë, dhe gjaku i vet rëntë mbi të.”»

Shënimet

Fjalë për fjalë «do të kthej fytyrën».
Ose «do ta ekzekutoj».
Ose «sillet si prostitutë ndaj meje». Kjo është një shprehje e figurshme. Shih Fjalorthin, «Prostitutë».
Ose «do ta ekzekutoj».
Ose «është fajtor për vdekjen e vet».
Ose «tradhti bashkëshortore».
Fjalë për fjalë «zbulon lakuriqësinë e babait të vet».
Ose «e turpshme; e fëlliqur».
Ose «duhen ekzekutuar».
Fjalë për fjalë «ka zbuluar lakuriqësinë e së motrës».
Ose «duhen ekzekutuar».
Fjalë për fjalë «zbulon lakuriqësinë e xhaxhait të vet».
Fjalë për fjalë «ka zbuluar lakuriqësinë e të vëllait».
Domethënë, ndërkohë që vëllai është ende gjallë.
Ose «bën parashikime».