Levitiku 24:1-23
24 Jehovai i tha akoma Moisiut:
2 «Urdhëroji izraelitët që të të sjellin për ndriçim vaj safi prej ullinjsh të shtypur, që llambat të rrinë vazhdimisht të ndezura.+
3 Në tendën e takimit, jashtë perdes së Dëshmisë,* Aroni do të sigurohet që llambat të jenë të ndezura para Jehovait, nga mbrëmja deri në mëngjes. Ky është një ligj i përhershëm për ju, brez pas brezi.
4 Ai duhet të kujdeset vazhdimisht për llambat e shandanit+ me ar të kulluar që janë para Jehovait.
5 Të piqen 12 bukë në formë unaze të bëra me miell të bluar imët; çdo bukë duhet të ketë dy të dhjetat e një efe mielli.*
6 Ato duhen vënë në tryezën me ar të kulluar para Jehovait+ në dy stiva, nga gjashtë për çdo stivë.+
7 Mbi secilën stivë duhet vënë temjan i bardhë safi, që do të shërbejë si blatim simbolik për bukën,*+ si një blatim i bërë me zjarr për Jehovain.
8 Ai duhet t’i sistemojë ato Sabat për Sabat, që të jenë vazhdimisht para Jehovait.+ Kjo është një besëlidhje e pandryshueshme me izraelitët.
9 Bukët do t’i takojnë Aronit e djemve të tij,+ dhe ata duhet t’i hanë në një vend të shenjtë,+ sepse janë një gjë shumë e shenjtë për priftin nga blatimet e bëra me zjarr për Jehovain. Ky është një rregull i pandryshueshëm.»
10 Tani, mes izraelitëve ishte një djalë, bir i një izraeliteje dhe i një egjiptiani,+ dhe mes tij e një izraeliti plasi sherri në kamp.
11 Djali i izraelites nisi të blasfemonte* e të mallkonte Emrin.*+ Kështu që e çuan te Moisiu.+ (E ëma quhej Shelomita dhe ishte vajza e Dibrit, nga fisi i Danit.)
12 Atë e mbajtën me roja derisa u bë i qartë vendimi i Jehovait.+
13 Më pas Jehovai i tha Moisiut:
14 «Nxirre jashtë kampit atë që mallkoi emrin tim. Të gjithë ata që e dëgjuan, të vënë duart mbi kokën e tij, pastaj tërë asambleja ta godasë me gurë derisa të vdesë.+
15 Dhe thuaju izraelitëve: ‘Kushdo që mallkon Perëndinë e tij, do të përgjigjet për mëkatin e vet.
16 Ai që blasfemon* emrin e Jehovait, duhet të vritet pa diskutim;+ tërë asambleja duhet ta godasë me gurë derisa të vdesë. Edhe i ardhuri duhet të vritet njësoj si vendësi nëse blasfemon Emrin.
17 Kush ia merr jetën një njeriu, duhet të vritet pa diskutim.+
18 Ai që godet dhe vret një kafshë shtëpiake, duhet të dëmshpërblejë jetë për jetë.*
19 Nëse dikush e dëmton shokun e vet, e njëjta gjë do t’i bëhet edhe atij.+
20 Thyerje për thyerje, sy për sy e dhëmb për dhëmb; ai do të pësojë të njëjtin dëmtim që i shkaktoi tjetrit.+
21 Ai që godet dhe vret një kafshë, duhet të dëmshpërblejë,+ kurse ai që godet dhe vret një njeri, duhet të vritet.+
22 Do të zbatohet i njëjti ligj për të gjithë ju, të ardhur a vendës,+ sepse unë jam Jehovai, Perëndia juaj.’»
23 Pastaj Moisiu foli me izraelitët, dhe ata e nxorën jashtë kampit atë që mallkoi emrin e Perëndisë dhe e vranë me gurë.+ Kështu izraelitët bënë siç e kishte urdhëruar Jehovai Moisiun.
Shënimet
^ Shih Fjalorthin.
^ Dy të dhjetat e një efe ishin 4,4 l. Shih Shtojcën B14.
^ Ose «si kujtim i këtij blatimi; për të përfaqësuar këtë blatim».
^ Domethënë, emrin Jehova, siç tregohet në vargjet 15 dhe 16.
^ Ose «të përbuzte».
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «shpirt për shpirt».