Levitiku 25:1-55

  • Viti i Sabatit (1-7)

  • Viti i Jubileut (8-22)

  • Rikthimi i pronës (23-34)

  • Si të trajtohen të varfrit (35-38)

  • Ligje për skllavërinë (39-55)

25  Jehovai i tha akoma Moisiut në malin Sinai:  «Thuaju izraelitëve: “Në fund, kur të keni hyrë në vendin që po ju jap,+ vendi duhet të mbajë sabatin për Jehovain.+  Për gjashtë vjet do të mbillni arat e do të krasitni vreshtat dhe do të mblidhni prodhimin e vendit.+  Por viti i shtatë duhet të jetë sabat, pushim i plotë për vendin, një sabat për Jehovain. Mos i mbillni arat dhe mos i krasitni vreshtat.  Mos e korrni atë që toka do të prodhojë vetë nga gruri i mbetur pas korrjes dhe mos e vilni hardhinë e pakrasitur. Ai vit duhet të jetë pushim i plotë për vendin.  Megjithatë, atë që toka do të prodhojë gjatë sabatit mund ta hani ju, skllevërit dhe skllavet tuaja, të punësuarit dhe të ardhurit që jetojnë me ju,  si edhe kafshët shtëpiake dhe kafshët e egra në vendin tuaj. Çdo gjë që do të prodhojë toka mund të hahet.  Do të llogaritni shtatë vite sabati, pra shtatë vjet herë shtatë, dhe këto shtatë vite sabati do të jenë 49 vjet.  Pastaj, ditën e dhjetë të muajit të shtatë do t’i bini fort bririt, pra në Ditën e Shlyerjes+ tingulli i bririt duhet të kumbojë anekënd vendit. 10  Duhet ta shpallni të shenjtë vitin e 50-të dhe do të shpallni lirinë në vend për të gjithë banorët.+ Ai do të jetë për ju Jubile, dhe secili nga ju do të kthehet te prona e te familja e vet.+ 11  Viti i 50-të do të jetë për ju Jubile. Nuk do të mbillni, as do të korrni atë që toka do të prodhojë vetë nga gruri i mbetur përtokë e as do ta vilni hardhinë e pakrasitur,+ 12  sepse është Jubile dhe duhet të jetë i shenjtë për ju. Mund të hani vetëm atë që toka do të prodhojë vetë.+ 13  Vitin e Jubileut, secili duhet të kthehet te prona e vet.+ 14  Nëse i shitni dikujt diçka ose blini diçka prej tij, mos e shfrytëzoni njëri-tjetrin.+ 15  Kur të blini tokën merrni parasysh sa vite kanë kaluar nga Jubileu; edhe shitësi do ta përcaktojë çmimin në bazë të viteve që do të merret prodhim.+ 16  Sa më shumë vjet të mbeten, aq më i lartë do të jetë çmimi i blerjes; sa më pak vjet të mbeten, aq më i ulët do të jetë çmimi i blerjes, sepse ai faktikisht po ju shet prodhimin e tokës. 17  Askush nga ju të mos e shfrytëzojë tjetrin,+ por duhet të keni nderim të thellë për Perëndinë tuaj,*+ sepse unë jam Jehovai, Perëndia juaj.+ 18  Ndiqni e zbatoni ligjet dhe vendimet e mia gjyqësore, e kështu do të banoni të sigurt në vend.+ 19  Toka do të prodhojë fryte,+ dhe ju do të hani sa të ngopeni e do të banoni atje të sigurt.+ 20  Por nëse thoni: ‘Ç’do të hamë vitin e shtatë, nëse nuk mund të mbjellim arat ose të mbledhim prodhimet?’+ 21  Unë do t’ju jap bekimin tim në vitin e gjashtë, dhe toka do të prodhojë sa për tre vjet.+ 22  Kështu vitin e tetë ju do të mbillni e do të hani nga prodhimi i vjetër deri në vitin e nëntë; derisa të mblidhni prodhimin e ri do të hani nga prodhimi i vjetër. 23  Nuk duhet ta shitni tokën përgjithmonë,+ sepse është imja.+ Për mua, ju jeni të ardhur dhe të shpërngulur.+ 24  Prandaj, në tërë vendin që zotëroni, duhet të ekzistojë e drejta e riblerjes së tokës. 25  Nëse ndonjë mes vëllezërve tuaj varfërohet dhe i duhet të shesë një pjesë të pronës së vet, një riblerës nga të afërmit e tij të ngushtë duhet të riblejë atë që shiti ai.+ 26  Por nëse nuk ka njeri që t’ia riblejë pronën dhe, më pas, ai vetë pasurohet e është në gjendje ta riblejë, 27  ai duhet ta llogaritë vlerën e pronës që nga viti kur e shiti dhe do t’i rimbursojë blerësit vetëm diferencën. Pastaj do ta marrë sërish pronën e vet.+ 28  Por nëse nuk është në gjendje ta riblejë, ajo që shiti do t’i mbetet blerësit deri në vitin e Jubileut;+ prona do t’i jepet sërish në Jubile, dhe ai do të kthehet te prona e vet.+ 29  Tani, nëse dikush shet një shtëpi brenda një qyteti me mure, e drejta e riblerjes do të jetë e vlefshme deri në fund të vitit, që nga koha e shitjes;+ e drejta e riblerjes do të jetë e vlefshme për një vit të tërë. 30  Por nëse nuk riblihet para se të mbushet viti, shtëpia brenda qytetit me mure do të mbetet përgjithmonë pronë e blerësit, brez pas brezi; ajo nuk do të kthehet në Jubile. 31  Kurse shtëpitë që ndodhen në vendbanime pa mure, do të konsiderohen pjesë e arës dhe për to do të mbetet e vlefshme e drejta e riblerjes; në Jubile ato duhet të kthehen. 32  Kurse levitët do të kenë gjithnjë të drejtën e riblerjes për shtëpitë që kanë brenda qyteteve të tyre.+ 33  Nëse pronat e levitëve nuk riblihen, shtëpitë e shitura në qytetet e tyre, do të kthehen në Jubile,+ sepse janë prona që u janë dhënë mes izraelitëve.+ 34  Gjithashtu, kullotat e qyteteve të tyre+ nuk mund të shiten, sepse janë pronë e tyre brez pas brezi. 35  Nëse ndonjë mes vëllezërve tuaj që jeton pranë jush varfërohet dhe gjendet ngushtë, ndihmojeni+ siç do të ndihmonit të ardhurit dhe të shpërngulurit,+ që të vazhdojë të jetojë mes jush. 36  Mos i merrni kamatë dhe mos nxirrni fitime* prej tij,+ përkundrazi kini nderim të thellë për Perëndinë,*+ dhe vëllai juaj do të vazhdojë të jetojë mes jush. 37  Mos ia jepni paratë hua me kamatë+ dhe mos ia jepni ushqimin që të nxirrni fitime. 38  Unë jam Jehovai, Perëndia juaj, që ju nxori nga Egjipti+ për t’ju dhënë vendin e Kananit, që të jem Perëndia juaj.+ 39  Nëse ndonjë mes vëllezërve tuaj varfërohet dhe i duhet ta shesë veten si shërbëtor,+ mos e vini të punojë si skllav.+ 40  Duhet ta trajtoni si të punësuar,+ si të shpërngulur, dhe ai duhet t’ju shërbejë deri në vitin e Jubileut. 41  Pastaj do të largohet nga ju bashkë me fëmijët* dhe do të kthehet te familja e vet. Ai duhet të kthehet te prona e paraardhësve të tij,+ 42  sepse ata janë skllevërit e mi që nxora nga Egjipti+ dhe s’duhen shitur siç shiten skllevërit. 43  Mos jini mizorë me ta,+ por kini nderim të thellë për Perëndinë* tuaj.+ 44  Mund të merrni një skllav ose një skllave nga kombet që keni përreth; prej tyre mund të blini skllevër. 45  Mund të blini skllevër edhe nga bijtë e të ardhurve që banojnë mes jush+ e nga familjet që ata kanë ngritur në vendin tuaj, dhe ata do të bëhen prona juaj. 46  Mund t’ua lini bijve tuaj që t’i trashëgojnë si pronë brez pas brezi, dhe ata mund të vazhdojnë të punojnë për bijtë tuaj. Por me vëllezërit tuaj, izraelitët, mos u sillni mizorisht.+ 47  Por nëse i ardhuri ose i shpërnguluri pasurohet, kurse ndonjë mes vëllezërve tuaj varfërohet dhe e shet veten te ndonjë nga ata, ose te një pjesëtar i familjes së të ardhurit, 48  atëherë mbetet e vlefshme e drejta e riblerjes pasi e ka shitur veten. Mund ta riblejë një nga vëllezërit e tij,+ 49  xhaxhai, djali i xhaxhait ose ndonjë i afërm i ngushtë,* pra dikush nga familja e tij. Ose mund ta bëjë vetë riblerjen, nëse pasurohet.+ 50  Bashkë me blerësin, do të llogaritë kohën që nga viti që u shit tek ai e deri në vitin e Jubileut,+ dhe çmimi i shitjes do të përkojë me numrin e viteve.+ Ditët e punës gjatë këtyre viteve duhet t’i llogariten sipas pagës së një të punësuari.+ 51  Nëse mbeten ende shumë vjet, ai duhet ta paguajë çmimin e riblerjes së vet në përpjesëtim me vitet që mbeten. 52  Por nëse mbeten pak vjet deri në vitin e Jubileut, ai duhet të bëjë llogaritë dhe ta paguajë çmimin e riblerjes së vet në përpjesëtim me vitet që i mbeten. 53  Ndërsa i shërben vit pas viti atij që e ka blerë, duhet trajtuar si i punësuar; sigurohuni që blerësi të mos jetë mizor me të.+ 54  Gjithsesi, nëse ai nuk e bën dot vetë riblerjen sipas këtyre kushteve, do të lihet i lirë në vitin e Jubileut+ bashkë me fëmijët,* 55  sepse izraelitët janë skllevërit e mi. Po, janë skllevërit e mi që i nxora nga Egjipti.+ Unë jam Jehovai, Perëndia juaj!

Shënimet

Fjalë për fjalë «duhet t’i frikësoheni Perëndisë tuaj». Shih Fjalorthin.
Ose «dhe mos merrni fajde».
Fjalë për fjalë «frikësojuni Perëndisë». Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «bijtë».
Fjalë për fjalë «frikësojuni Perëndisë». Shih Fjalorthin.
Ose «ndonjë i afërm gjaku».
Fjalë për fjalë «bijtë».