Levitiku 5:1-19
5 Nëse dikush dëgjon një thirrje publike për të dëshmuar*+ dhe është dëshmitar i një keqbërjeje, që e ka parë vetë a e ka marrë vesh nga të tjerë, dhe nuk tregon, ai po mëkaton dhe do të përgjigjet për fajin e vet.
2 Ose, nëse dikush* prek ndonjë gjë të papastër, qoftë trupin e ngordhur të një kafshe të egër të papastër, të një kafshe shtëpiake të papastër ose të ndonjë krijese të vogël e të papastër që rri në tufa,*+ ai është i papastër dhe fajtor edhe nëse e ka prekur pa e kuptuar.
3 Ose, në rast se pa e kuptuar prek papastërtinë e një njeriu,+ çfarëdolloj gjëje që mund ta bëjë të papastër, dhe e kupton më vonë, atëherë ai është fajtor.
4 Nëse dikush pa u menduar betohet për të bërë diçka, e mirë a e keqe qoftë, çfarëdo që të jetë, por më vonë e kupton se është betuar pa u menduar, ai është fajtor.*+
5 Nëse është fajtor për ndonjë nga këto gjëra, ai duhet të rrëfejë+ mëkatin që ka bërë.
6 Gjithashtu do të sjellë para Jehovait blatimin për fajin për mëkatin që ka kryer,+ pra një femër nga bagëtia e imët, qengj ose kec, si blatim për mëkatin. Pastaj prifti do të bëjë shlyerjen për mëkatin e tij.
7 Por nëse nuk i ka mundësitë të sjellë një qengj a një kec, duhet të sjellë para Jehovait dy turtuj ose dy zogj pëllumbash+ si blatim për fajin: njërin si blatim për mëkatin dhe tjetrin si blatim të djegur.+
8 Do t’i çojë te prifti, i cili do ta paraqitë të parin si blatim për mëkatin e do t’ia çajë pak gushën, por pa ia këputur kokën.
9 Ca nga gjaku i blatimit për mëkatin do ta spërkatë në anë të altarit, kurse pjesën tjetër të gjakut do ta kullojë rrëzë altarit.+ Ky është një blatim për mëkatin.
10 Kurse të dytin do ta paraqitë si blatim të djegur, sipas rregullave të caktuara.+ Pastaj prifti do të bëjë shlyerjen për të, për mëkatin që ka kryer, dhe atij do t’i falet mëkati.+
11 Por nëse nuk i ka mundësitë të sjellë dy turtuj ose dy zogj pëllumbash, do të sjellë një të dhjetën e një efe*+ mielli të bluar imët si blatim për mëkatin. Nuk duhet t’i shtojë vaj a të vërë temjan të bardhë mbi të, sepse ky është një blatim për mëkatin.
12 Ai do t’ia çojë priftit, i cili do të marrë një grusht prej tij si blatim simbolik* dhe do ta vërë të digjet e të nxjerrë tym në altar mbi blatimet e bëra me zjarr për Jehovain. Ky është një blatim për mëkatin.
13 Pastaj prifti do të bëjë shlyerjen për të, për mëkatin që ka kryer, për cilindo prej tyre, dhe atij do t’i falet mëkati.+ Pjesa tjetër e blatimit do t’i takojë priftit,+ njësoj si blatimet në drithë.’»+
14 Jehovai i tha akoma Moisiut:
15 «Nëse dikush vepron me pabesi ndaj Jehovait duke mëkatuar pa dashje kundër gjërave të tij të shenjta,+ atëherë do t’i sjellë Jehovait si blatim për fajin një dash të shëndetshëm nga kopeja;+ vlera e tij në sikla* argjendi llogaritet sipas siklës së vendit të shenjtë.*+
16 Ai do të paguajë dëmshpërblimin për mëkatin që ka kryer kundër vendit të shenjtë dhe do t’i shtojë një të pestën e vlerës.+ Dashin e blatimit për fajin do t’ia japë priftit që të bëjë shlyerjen+ për të, dhe atij do t’i falet mëkati.+
17 Nëse dikush mëkaton, duke bërë ndonjë nga gjërat që Jehovai urdhëron të mos bëhen, ai është fajtor dhe do të përgjigjet për fajin e vet, edhe pse e ka bërë pa e kuptuar.+
18 Ai do të sjellë te prifti si blatim për fajin një dash të shëndetshëm nga kopeja, sipas vlerës së caktuar për blatimet e fajit.+ Pastaj prifti do të bëjë shlyerjen për të, për gabimin që ka bërë pa dashje e pa kuptuar, dhe atij do t’i falet mëkati.
19 Ky është një blatim për fajin. Ai është pa diskutim fajtor, se ka mëkatuar kundër Jehovait.»
Shënimet
^ Fjalë për fjalë «zërin e një mallkimi (betimi)». Ka të ngjarë t’i referohet një njoftimi publik lidhur me një keqbërje, i cili përfshinte një mallkim kundër keqbërësit ose dëshmitarit në rast se nuk dëshmonte.
^ Ose «një shpirt».
^ Ka të ngjarë që kjo fjalë në hebraisht t’u referohet krijesave të vogla që rrinë në tufa të mëdha, të cilat gjenden në ajër, në ujë ose në tokë.
^ Me sa duket këtu nënkuptohet se ai nuk e mban betimin.
^ Një e dhjeta e një efe ishte 2,2 l. Shih Shtojcën B14.
^ Ose «si kujtim të këtij blatimi; për të përfaqësuar këtë blatim».
^ Një sikël ishte 11,4 g. Shih Shtojcën B14.
^ Ose «sipas siklës së shenjtë».