Sipas Lukës 16:1-31
16 Pastaj Jezui u tha dishepujve: «Një njeri i pasur kishte një kujdestar,* të cilin e akuzuan se ia shpërdoronte pasurinë.
2 Prandaj ai e thirri dhe e pyeti: ‘Ç’po dëgjoj kështu për ty? Më dorëzo raportin e detyrës sate si kujdestar, sepse ti nuk do ta administrosh më shtëpinë.’
3 Atëherë kujdestari tha me vete: ‘Ç’të bëj tani që zotëria im do të më heqë nga detyra si kujdestar? S’jam aq i fortë sa të punoj tokën dhe më vjen turp të lyp.
4 Aha! E di unë ç’të bëj që të tjerët të më mirëpresin në shtëpitë e tyre kur të mos jem më kujdestar.’
5 Kështu thirri një nga një borxhlinjtë e zotërisë së vet. E pyeti të parin: ‘Sa i detyrohesh zotërisë tim?’
6 Ai iu përgjigj: ‘Njëqind bato* vaj ulliri.’ Atëherë ai i tha: ‘Ja dokumenti i marrëveshjes sate, merre, ulu dhe shkruaj shpejt 50.’
7 Pastaj pyeti një tjetër: ‘Po ti, sa i detyrohesh?’ Ai iu përgjigj: ‘Njëqind korë* grurë.’ Atëherë ai i tha: ‘Ja dokumenti i marrëveshjes sate, merre dhe shkruaj 80.’
8 Dhe zotëria e lavdëroi kujdestarin, që, edhe pse i padrejtë, veproi me mençuri praktike;* sepse bijtë e këtij sistemi* janë më të mençur e më praktikë se bijtë e dritës+ kur bëjnë marrëveshje me bashkëkohësit e tyre.*
9 Gjithashtu, unë po ju them: bëni miq me anë të pasurive të padrejta,+ që, kur këto të shterojnë, t’ju mirëpresin në vendbanimet e përhershme.+
10 Kush është i besueshëm* në gjëra të vogla, është i besueshëm edhe në të mëdha dhe kush është i padrejtë në gjëra të vogla, është i padrejtë edhe në të mëdha.
11 Nëse nuk keni qenë të besueshëm me pasuritë e padrejta, kush do t’jua besojë pasuritë e vërteta?
12 Dhe, nëse nuk keni qenë të besueshëm me pasurinë e tjetrit, kush vallë do t’ju shpërblejë me ndonjë trashëgimi?+
13 Asnjë shërbëtor s’mund të jetë skllav i dy zotërinjve: ose do të urrejë njërin e do të dojë tjetrin, ose do të qëndrojë besnik ndaj njërit e do të përçmojë tjetrin. Ju s’mund të jeni skllevër edhe të Perëndisë, edhe të Pasurisë.»+
14 Tani, farisenjtë, të cilët vdisnin për pará, po i dëgjonin të gjitha këto dhe nisën ta tallnin gjithë përçmim.+
15 Prandaj ai u tha: «Ju e mbani veten për të drejtë në sytë e njerëzve,+ por Perëndia i njeh mirë zemrat tuaja,+ sepse ato që kanë shumë vlerë për njerëzit, janë të neveritshme në sytë e Perëndisë.+
16 Ligji dhe Profetët u shpallën derisa erdhi Gjoni. Por, që nga ajo kohë e tutje, po shpallet lajmi i mirë për Mbretërinë e Perëndisë, dhe çdo lloj njeriu po sulet me zjarr drejt saj.+
17 Në të vërtetë është më e lehtë të zhduket qielli e toka, sesa të mbetet pa u përmbushur qoftë edhe një pjesëz shkronje nga Ligji.+
18 Ai që e divorcon gruan dhe martohet me një tjetër, kryen kurorëshkelje,* dhe kushdo që martohet me një grua të divorcuar,* kryen kurorëshkelje.+
19 Tani, ishte një njeri i pasur që vishej me rroba të purpurta* dhe prej linoje, e jetonte mes qejfeve dhe luksit.
20 Pranë portës së tij çonin gjithmonë një lypës të quajtur Lazar, që e kishte trupin plot ulcera.
21 Atij i shkonte goja lëng për gjërat që binin nga tryeza e të pasurit, dhe madje qentë vinin e ia lëpinin ulcerat.
22 Me kalimin e kohës lypësi vdiq, dhe engjëjt e çuan pranë Abrahamit.*
Vdiq edhe i pasuri dhe e varrosën.
23 Kur ishte në mundime në Varr,* ai ngriti sytë dhe pa nga larg Abrahamin dhe Lazarin pranë tij.*
24 Atëherë thirri: ‘O atë Abraham, ki mëshirë për mua dhe dërgoje Lazarin të njomë majën e gishtit në ujë që të më freskojë gjuhën, sepse po vuaj tmerrësisht në këtë zjarr flakërues.’
25 Por Abrahami i tha: ‘O bir, mos harro se ti u ngope me të mira gjatë jetës sate, kurse Lazari me të këqijat. Tani ai po ngushëllohet këtu, kurse ti po vuan tmerrësisht.
26 Mbi të gjitha, mes nesh dhe jush është vënë një hendek i madh. Prandaj, ata që duan të kalojnë nga këtu e të vijnë atje te ju, nuk munden; po ashtu, ata që janë atje nuk mund të vijnë këtu te ne.’
27 Atëherë ai i tha: ‘Meqë qenka kështu, të lutem, o atë, dërgoje Lazarin në shtëpinë e tim eti,
28 ku kam pesë vëllezër, që t’i paralajmërojë, e kështu të mos futen edhe ata në këtë vend mundimi.’
29 Por Abrahami ia ktheu: ‘Ata kanë Moisiun dhe Profetët. Le të dëgjojnë këta.’+
30 Por ai iu përgjigj: ‘Jo, o atë Abraham, s’kanë për t’i dëgjuar. Por, nëse shkon tek ata ndonjë nga të vdekurit, do të pendohen.’
31 Por Abrahami i tha: ‘Nëse nuk dëgjojnë Moisiun+ dhe Profetët, s’do t’u mbushet mendja as po të dëgjojnë një që është ngritur nga të vdekurit.’»
Shënimet
^ Ose «administrues shtëpie».
^ Një bato ishte 22 l. Shih Shtojcën B14.
^ Një korë ishte 220 l. Shih Shtojcën B14.
^ Ose «veproi me mendjemprehtësi; veproi me maturi».
^ Ose «e kësaj kohe; e këtij rendi». Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «me brezin e tyre».
^ Ose «besnik».
^ Ose «tradhti bashkëshortore».
^ Domethënë, me një grua që nuk është divorcuar për shkak të imoralitetit seksual.
^ Ose «në ngjyrë vjollcë». Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «në gji të Abrahamit».
^ Ose «Hades», pra, në varrin e përbashkët të njerëzimit. Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «në gji të tij».