Sipas Lukës 18:1-43
18 Më pas Jezui u bëri një ilustrim që t’u tregonte sa e nevojshme ishte të luteshin gjithnjë e të mos dorëzoheshin.+
2 Ai tha: «Në një qytet ishte një gjykatës që nuk i frikësohej* Perëndisë dhe nuk kishte respekt për njeri.
3 Në atë qytet ishte edhe një vejushë që shkonte shpesh te ky gjykatës dhe i thoshte: ‘Të lutem, vendose në vend drejtësinë mes meje dhe kundërshtarit tim.’
4 Për njëfarë kohe ai nuk pranoi, por më pas tha me vete: ‘Edhe pse nuk i frikësohem Perëndisë dhe nuk respektoj njeri,
5 meqë kjo vejushë më bezdis orë e çast, do t’ia jap të drejtën që i takon, që të mos vijë më e të ma plasë shpirtin fare.’»*+
6 Atëherë Zotëria tha: «A e dëgjuat ç’tha gjykatësi, edhe pse i padrejtë?
7 A nuk do ta vërë, pra, Perëndia drejtësinë në vend për të zgjedhurit e vet që i thërrasin ditë e natë për ndihmë,+ ndërsa tregon durim për të mirën e tyre?+
8 Unë po ju them se Ai do ta vërë në vend drejtësinë pa vonesë. Por, kur të mbërrijë Biri i njeriut, a do të gjejë vallë këtë lloj besimi* në tokë?»
9 Pastaj u tregoi edhe këtë ilustrim disave që ishin të bindur se ishin njerëz të drejtë dhe që i shihnin të tjerët si të pavlerë:
10 «Dy burra shkuan në tempull që të luteshin: njëri ishte farise dhe tjetri taksambledhës.
11 Fariseu qëndroi në këmbë dhe nisi të lutej me vete: ‘O Perëndi, të falënderoj që nuk jam si gjithë të tjerët—zhvatës, të padrejtë, kurorëshkelës—dhe as si ky taksambledhës.
12 Unë agjëroj dy herë në javë dhe jap të dhjetën e gjithçkaje që fitoj.’+
13 Kurse taksambledhësi qëndronte në këmbë larg dhe as guxonte të ngrinte sytë drejt qiellit, por i binte gjoksit me grushte dhe thoshte: ‘O Perëndi, ki mëshirë për* mua mëkatarin!’+
14 Unë po ju them se ky zbriti e u kthye në shtëpi më i drejtë se fariseu.+ Vërtet, kushdo që e lartëson veten, do të përulet, por kushdo që e përul veten, do të lartësohet.»+
15 Pastaj, njerëzit po sillnin edhe fëmijët e vegjël* që ai të vinte duart mbi ta,* mirëpo, kur e panë këtë, dishepujt nisën t’i qortonin.+
16 Por Jezui i thirri fëmijët pranë dhe tha: «Lërini fëmijët të vijnë tek unë dhe mos u mundoni t’i ndalni, sepse Mbretëria e Perëndisë u përket atyre që janë si këta.+
17 Vërtet po ju them: kushdo që nuk e pranon Mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë, nuk do të hyjë kurrsesi në të.»+
18 Atëherë një nga krerët e pyeti: «Mësues i mirë, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përhershme?»+
19 Jezui i tha: «Pse më quan ‘i mirë’? Askush nuk është i mirë përveç njërit, Perëndisë.+
20 Ti i njeh urdhërimet: ‘Mos kryej kurorëshkelje,*+ mos vrit,+ mos vidh,+ mos jep dëshmi të rreme,+ ndero babanë dhe nënën tënde.’»+
21 Atëherë ky tha: «Të gjitha këto i zbatoj, e madje që nga fëmijëria.»
22 Kur dëgjoi këtë, Jezui i tha: «Edhe një gjë të mungon: shit gjithçka që ke dhe jepua paratë të varfërve, e atëherë do të kesh një thesar në qiej. Pastaj eja dhe bëhu dishepulli* im.»+
23 Kur e dëgjoi këtë, ai u trishtua thellësisht, sepse ishte shumë i pasur.+
24 Jezui e pa dhe tha: «Sa e vështirë do të jetë për ata që kanë pará të hyjnë në Mbretërinë e Perëndisë!+
25 Në fakt, është më e lehtë që një deve të kalojë nëpër një vrimë gjilpëre, sesa një i pasur të hyjë në Mbretërinë e Perëndisë.»+
26 Ata që e dëgjuan, e pyetën: «Atëherë kush mund të shpëtojë?»+
27 Ai u përgjigj: «Ato që janë të pamundura me njerëzit, janë të mundura me Perëndinë.»+
28 Por Pjetri i tha: «Ja, ne i lamë gjërat tona dhe të ndoqëm.»+
29 Ai u tha dishepujve: «Vërtet po ju them: nuk ka njeri që të ketë lënë shtëpi, grua, vëllezër, prindër ose fëmijë për hir të Mbretërisë së Perëndisë,+
30 e të mos marrë në këtë kohë shumë herë më tepër, dhe në sistemin* që po vjen, jetën e përhershme.»+
31 Pastaj ai i mori mënjanë të Dymbëdhjetët dhe u tha: «Ja, ne po ngjitemi në Jerusalem dhe gjithçka që kanë shkruar profetët për Birin e njeriut, do të përmbushet.*+
32 Për shembull, atë do t’ua dorëzojnë njerëzve të kombeve*+ dhe do ta tallin,+ do ta keqtrajtojnë, do ta pështyjnë+
33 e, pasi ta fshikullojnë, do ta vrasin,+ por ditën e tretë ai do të ngrihet nga të vdekurit.»+
34 Megjithatë, ata nuk e kapën domethënien, sepse kuptimi i këtyre fjalëve u mbajt i fshehur, e kështu nuk e kuptuan çfarë u tha.
35 Tani, kur Jezui po i afrohej Jerikosë, buzë rrugës ishte ulur një i verbër që po lypte.+
36 Meqë dëgjoi të kalonte një turmë, ai filloi të pyeste ç’po ndodhte.
37 Ata i thanë: «Po kalon Jezui, nazareasi!»
38 Atëherë ai thërriti: «Jezu, Bir i Davidit, ki mëshirë për mua!»
39 Njerëzit që po ecnin në krye të turmës, i thanë rreptësisht të mos fliste, kurse ai thërriste edhe më fort: «Bir i Davidit, ki mëshirë për mua!»
40 Atëherë Jezui u ndal dhe urdhëroi ta çonin atë njeri pranë tij. Kur ky u afrua, Jezui e pyeti:
41 «Çfarë do që të bëj për ty?» Ai iu përgjigj: «Zotëri, të më kthehet shikimi.»
42 Atëherë Jezui i tha: «Le të të kthehet shikimi. Besimi yt të shëroi.»+
43 Në çast atij iu kthye shikimi dhe filloi ta ndiqte+ e t’i jepte lavdi Perëndisë. Kur e panë këtë, edhe gjithë të tjerët i dhanë lavdi Perëndisë.+
Shënimet
^ Shih Fjalorthin, «Frika nga Perëndia».
^ Ose «e të më lodhë me kërkesën e saj».
^ Ose «besimin e vërtetë». Fjalë për fjalë «besimin».
^ Ose «ji i dhembshur me».
^ Fjalë për fjalë «foshnjat».
^ Domethënë, që t’i bekonte. Shih Fjalorthin, «Vënia e duarve».
^ Ose «tradhti bashkëshortore».
^ Ose «ithtari».
^ Ose «në kohën; në rendin». Shih Fjalorthin.
^ Ose «do të plotësohet».
^ Shih Fjalorthin.