Sipas Lukës 19:1-48

  • Jezui, mysafir në shtëpinë e Zakeut (1-10)

  • Ilustrimi i dhjetë minave (11-27)

  • Hyrja triumfuese e Jezuit në Jerusalem (28-40)

  • Jezui qan për Jerusalemin (41-44)

  • Jezui pastron tempullin (45-48)

19  Pastaj Jezui hyri në Jeriko dhe po kalonte nëpër qytet.  Atje ishte një burrë, Zakeu, një kryetaksambledhës i pasur.  Ai po përpiqej të shikonte kush ishte ky Jezui, por nuk mundte për shkak të turmës, ngaqë ishte i shkurtër.  Prandaj vrapoi përpara dhe hipi në një fik Egjipti që ta shihte, sepse pas pak Jezui do të kalonte nëpër atë rrugë.  Kur Jezui arriti atje, ngriti sytë dhe i tha: «Zake, zbrit shpejt, sepse sot më duhet të rri në shtëpinë tënde.»  Atëherë ai zbriti me nxitim dhe e mikpriti në shtëpi gjithë gëzim.  Mirëpo, kur pa këtë, gjithë turma po murmuriste: «Ai shkoi si mysafir në shtëpinë e një mëkatari.»+  Por Zakeu u çua dhe i tha Zotërisë: «Zotëri, gjysmën e pasurisë po ua jap të varfërve, dhe çfarë t’i kem zhvatur ndokujt,* po ia kthej katërfish.»+  Atëherë Jezui i tha: «Sot për këtë shtëpi ka ardhur shpëtimi, pasi edhe ky është bir i Abrahamit. 10  Po, Biri i njeriut erdhi të kërkojë dhe të shpëtojë ata që kishin humbur.»+ 11  Ndërkohë që dëgjonin këto gjëra, ai u tregoi edhe një ilustrim, ngaqë ishte afër Jerusalemit dhe ata kujtonin se Mbretëria e Perëndisë do të shfaqej atje në çast.+ 12  Prandaj u tha: «Një njeri nga derë fisnike u nis për në një vend të largët+ që të merrte pushtet si mbret, e pastaj të kthehej. 13  Para se të ikte, ai thirri dhjetë skllevër, u dha dhjetë mina* dhe u tha: ‘Bëni tregti me to derisa të vij unë.’+ 14  Mirëpo banorët e atij vendi e urrenin, prandaj dërguan pas tij një delegacion ambasadorësh që të thoshin: ‘Nuk duam që ky njeri të bëhet mbreti ynë.’ 15  Në fund, ai u kthye pasi kishte marrë pushtetin si mbret,* dhe thirri skllevërit, të cilëve u kishte dhënë paratë,* për të marrë vesh çfarë kishin fituar nga tregtia.+ 16  Atëherë u paraqit i pari dhe tha: ‘Zotëri, me minën tënde fitova dhjetë mina të tjera.’+ 17  Ai i tha: ‘Të lumtë, skllav i mirë! Meqë u tregove i besueshëm në një gjë kaq të vogël, po të jap autoritet mbi dhjetë qytete.’+ 18  Pastaj erdhi i dyti dhe i tha: ‘Zotëri, me minën tënde fitova pesë mina të tjera.’+ 19  Edhe këtij i tha: ‘Edhe ty po të vë në krye të pesë qyteteve.’ 20  Por erdhi edhe një tjetër dhe i tha: ‘Zotëri, ja ku e ke minën tënde. E mbajta të fshehur, të mbështjellë me një shami. 21  Shiko, unë kisha frikë nga ti, sepse je njeri i ashpër. Ti merr atë që nuk ke depozituar dhe korr atë që nuk ke mbjellë.’+ 22  Zotëria ia ktheu: ‘Unë po të gjykoj me fjalët e tua, skllav i lig. Ti e dije, pra, që unë jam njeri i ashpër, që marr atë që nuk kam depozituar dhe korr atë që nuk kam mbjellë.+ 23  Pse atëherë nuk i fute paratë e mia* në bankë?! Kur të vija, të paktën do të kisha marrë përqindje interesi.’ 24  Pastaj u tha atyre që ishin aty: ‘Merrjani minën këtij dhe jepjani atij që ka dhjetë.’+ 25  Por ata i thanë: ‘Zotëri, ai tashmë ka dhjetë mina!’ Megjithatë ai ua ktheu: 26  ‘Unë po ju them: atij që ka, do t’i jepet edhe më shumë, por atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo që ka.+ 27  Veç kësaj, më sillni këtu edhe armiqtë e mi që nuk donin të bëhesha mbret i tyre dhe ekzekutojini para syve të mi.’» 28  Pas këtyre fjalëve, Jezui vazhdoi rrugën dhe po ngjitej për në Jerusalem. 29  Kur iu afrua Betfagës dhe Betanisë, në malin e quajtur Mali i Ullinjve,+ dërgoi dy dishepuj+ 30  dhe u tha: «Shkoni në fshatin përballë dhe, kur të hyni atje, do të gjeni një kërriç të lidhur, të cilit nuk i ka hipur kurrë njeri. Zgjidheni dhe silleni. 31  Nëse dikush ju pyet: ‘Pse po e zgjidhni kërriçin?’, i thoni: ‘I duhet Zotërisë.’» 32  Kështu ata ikën dhe e gjetën kërriçin ashtu siç u kishte thënë ai.+ 33  Por, kur po e zgjidhnin, të zotët i pyetën: «Pse po e zgjidhni kërriçin?» 34  Ata iu përgjigjën: «I duhet Zotërisë.» 35  Pastaj ia çuan kërriçin Jezuit, vunë mbi të mantelet e tyre, dhe Jezui hipi në të.+ 36  Ndërsa kalonte, ata i shtronin mantelet në rrugë.+ 37  Me t’iu afruar rrugës që zbriste nga Mali i Ullinjve, gjithë turma me dishepuj nisi të gëzonte e të lëvdonte me zë të lartë Perëndinë për gjithë veprat e fuqishme që kishin parë 38  dhe thoshin: «I bekuar është ai që vjen si Mbret në emër të Jehovait!* Paqe në qiell dhe lavdi atje lart në qiell!»+ 39  Mirëpo disa farisenj që ishin në turmë, i thanë: «Mësues, qortoji dishepujt e tu.»+ 40  Por ai iu përgjigj: «Unë po ju them: nëse këta do të heshtnin, edhe gurët do të thërritnin.» 41  Kur u afrua, ai pa qytetin, qau për të+ 42  dhe tha: «Ah, sikur ti, po, ti të dalloje sot udhën që të çon drejt paqes . . . por tani ajo është fshehur nga sytë e tu,+ 43  sepse do të vijnë ditët kur armiqtë do të ngrenë përreth teje një fortifikatë me hunj të mprehtë, do të të kërcënojnë dhe do të të rrethojnë* nga çdo anë.+ 44  Ata do të të bëjnë copë-copë, ty dhe gjithë fëmijët* e tu,+ dhe nuk do të lënë te ti gur mbi gur,+ sepse nuk e dallove kohën kur u hetove.» 45  Pastaj Jezui hyri në tempull, nisi të flakte jashtë ata që po shitnin atje+ 46  duke u thënë: «Është shkruar: ‘Shtëpia ime do të jetë shtëpi lutjesh’,+ kurse ju e keni bërë shpellë kusarësh.»+ 47  Ai mësonte përditë në tempull. Por krerët e priftërinjve, skribët e të parët e popullit kërkonin ta vritnin;+ 48  gjithsesi nuk po gjenin ndonjë mënyrë për këtë, sepse tërë populli pa përjashtim rrinte afër tij dhe e dëgjonte gjithë sy e veshë.+

Shënimet

Ose «t’i kem zhvatur ndokujt me anë të padive të rreme».
Një minë greke ishte 340 g dhe ishte e barasvlershme me 100 drahma. Shih Shtojcën B14.
Fjalë për fjalë «argjendin».
Ose «kishte marrë mbretërinë».
Fjalë për fjalë «argjendin tim».
Ose «do të të shkaktojnë vuajtje».
Ose «banorët».