Sipas Lukës 20:1-47
20 Një nga ato ditë, kur Jezui po mësonte popullin në tempull dhe po shpallte lajmin e mirë, krerët e priftërinjve, skribët dhe pleqtë u afruan
2 dhe e pyetën: «Na thuaj, me ç’autoritet i bën këto gjëra? E kush ta dha këtë autoritet?»+
3 Ai ua ktheu: «Edhe unë do t’ju bëj një pyetje dhe m’u përgjigjni.
4 Pagëzimi që bënte Gjoni, ishte nga qielli apo nga njerëzit?»
5 Atëherë ata filluan të arsyetonin me njëri-tjetrin: «Po të themi ‘nga qielli’, do të na thotë: ‘Pse, pra, nuk i besuat?’
6 Por, po të themi ‘nga njerëzit’, i gjithë populli do të na vrasë me gurë, sepse janë të bindur që Gjoni ishte profet.»+
7 Prandaj iu përgjigjën se nuk e dinin nga vinte.
8 Edhe Jezui u tha: «As unë nuk ju them me ç’autoritet i bëj këto gjëra.»
9 Pastaj filloi t’i tregonte popullit këtë ilustrim: «Një njeri mbolli një vresht,+ ua la me qira kultivuesve dhe shkoi për një kohë të gjatë në dhé të huaj.+
10 Kur erdhi stina e vjeljes së rrushit, dërgoi te kultivuesit një skllav që t’i jepnin një pjesë të fryteve të vreshtit. Por kultivuesit e rrahën dhe e kthyen mbrapsht duarbosh.+
11 Gjithsesi u dërgoi një skllav tjetër. Edhe këtë e rrahën, e poshtëruan* dhe e kthyen mbrapsht duarbosh.
12 Ai u dërgoi edhe një të tretë, por edhe këtë e plagosën dhe e flakën jashtë.
13 Atëherë i zoti i vreshtit tha: ‘Si t’ia bëj? Do të dërgoj birin tim të dashur.+ Atë do ta respektojnë.’
14 Me të parë të birin, kultivuesit filluan të arsyetonin me njëri-tjetrin: ‘Ky është trashëgimtari. Hajdeni ta vrasim, që trashëgimia të bëhet jona.’
15 Kështu e flakën jashtë vreshtit dhe e vranë.+ Çfarë do t’u bëjë, pra, atyre i zoti i vreshtit?
16 Ai do të vijë, do t’i vrasë këta kultivues dhe vreshtin do t’ua japë të tjerëve.»
Kur dëgjuan këtë, ata thanë: «Larg qoftë!»
17 Por ai i pa drejt e në sy dhe i pyeti: «Ç’kuptim ka atëherë ky shkrim: ‘Guri që ndërtuesit hodhën poshtë, u bë guri kryesor i qoshes.’*+
18 Ai që bie mbi atë gur, do të copëtohet,+ dhe ai mbi të cilin bie ky gur, do të thërrmohet.»
19 Skribët dhe krerët e priftërinjve donin ta kapnin në çast, por kishin frikë nga populli, sepse e kuptuan që ai e tregoi këtë ilustrim për ta.+
20 Pasi e mbajtën me kujdes nën vëzhgim, pajtuan fshehurazi disa njerëz që të hiqeshin si të drejtë dhe ta zinin në grackë me fjalët e veta+ e t’ia dorëzonin qeverisë dhe guvernatorit.*
21 Ata e pyetën: «Mësues, ne e dimë që ti flet e mëson drejt dhe nuk mban anën e askujt, por e mëson udhën e Perëndisë sipas së vërtetës.
22 Është e ligjshme* t’i paguhet Cezarit haraç* për kokë, apo jo?»
23 Mirëpo ai e dalloi dinakërinë e tyre dhe u tha:
24 «Më tregoni një denar.* Të kujt janë kjo fytyrë dhe ky mbishkrim?» Ata iu përgjigjën: «Të Cezarit.»
25 Atëherë Jezui u tha: «Paguajini, pra, Cezarit gjërat e Cezarit,+ kurse Perëndisë gjërat e Perëndisë.»+
26 Kështu nuk e kapën dot në grackë me fjalët e veta para popullit dhe, të mahnitur nga përgjigjja e tij, nuk bënë zë.
27 Megjithatë vajtën edhe disa saducenj, të cilët thonë se nuk ka ringjallje,+ dhe e pyetën:+
28 «Mësues, Moisiu na la të shkruar: ‘Nëse dikush vdes dhe lë pas gruan, por nuk lë fëmijë, gruan duhet ta marrë i vëllai që t’i lërë atij pasardhës.’+
29 Tani ishin shtatë vëllezër. I pari u martua dhe vdiq pa lënë fëmijë.
30 Prandaj me gruan e tij u martua i dyti,
31 dhe pastaj edhe i treti. Kështu bënë që të shtatë, megjithatë nuk lanë pas fëmijë, por vdiqën njëri pas tjetrit.
32 Në fund vdiq edhe gruaja.
33 Atëherë, në ringjallje, cili do ta marrë? Meqë të shtatë e patën për grua.»
34 Jezui u përgjigj: «Fëmijët e këtij sistemi* martohen,
35 kurse ata që do të quhen të denjë për të fituar jetën në atë sistem dhe për ringjalljen nga të vdekurit, nuk do të martohen.+
36 Në fakt ata as do të vdesin më, sepse do të jenë porsi engjëjt. Ata do të jenë fëmijë të Perëndisë, sepse do të jenë fëmijë të ringjalljes.
37 Por, që të vdekurit do të ringjallen, e tregoi edhe Moisiu në tregimin për shkurren me gjemba, ku e quan Jehovain* ‘Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit’.+
38 Ai nuk është Perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse për të,* të gjithë ata janë gjallë.»+
39 Atëherë disa skribë i thanë: «Mësues, mirë e the»,
40 ngaqë nuk guxonin më t’i bënin asnjë pyetje.
41 Atëherë ai i pyeti: «Si vallë thonë se Krishti është bir i Davidit+
42 kur vetë Davidi thotë në librin e Psalmeve: “Jehovai* i tha Zotërisë tim: ‘Ulu në të djathtën time
43 derisa t’i vë armiqtë e tu si stol për këmbët e tua.’”+
44 Prandaj, nëse Davidi e quan ‘Zotëri’, si atëherë qenka bir i tij?!»
45 Më pas, kur gjithë populli po e dëgjonte, Jezui u tha dishepujve:
46 «Ruhuni nga skribët që u pëlqen të shëtitin me veshje të gjata, që vdesin t’i përshëndetin nëpër sheshe pazari, të ulen në vendet e para* në sinagoga e në kryet e vendit nëpër darka+
47 dhe që gllabërojnë shtëpitë* e vejushave e bëjnë lutje të gjata për t’u dukur. Ata do të marrin një gjykim më të ashpër.»*
Shënimet
^ Ose «e turpëruan».
^ Fjalë për fjalë «koka e qoshes».
^ Fjalë për fjalë «autoritetit të guvernatorit».
^ Ose «e drejtë».
^ Shih Fjalorthin.
^ Shih Shtojcën B14.
^ Ose «e kësaj kohe; e këtij rendi». Shih Fjalorthin.
^ Shih Shtojcën A5.
^ Ose «nga këndvështrimi i tij».
^ Shih Shtojcën A5.
^ Ose «më të mira».
^ Ose «pronat».
^ Ose «më të rreptë».