Sipas Lukës 5:1-39
5 Një herë, një turmë po dëgjonte Jezuin tek mësonte fjalën e Perëndisë buzë liqenit të Genesaretit,*+ dhe njerëzit po shtyheshin pas tij.
2 Ai pa dy varka të lidhura në breg të liqenit, ndërsa peshkatarët kishin zbritur dhe po lanin rrjetat.+
3 Jezui hipi në një nga varkat, në varkën e Simonit, dhe i kërkoi të largohej pak nga toka. Pastaj u ul dhe nisi ta mësonte turmën nga varka.
4 Kur mbaroi së foluri, i tha Simonit: «Shkoni thellë dhe hidhini atje rrjetat që të zini peshk.»
5 Mirëpo Simoni iu përgjigj: «Mësues, ne u robtuam gjithë natën dhe nuk zumë gjë,+ por, meqë po thua ti, do t’i hedh rrjetat.»
6 Kur bënë kështu, zunë aq shumë peshq, sa rrjetat filluan të shqyheshin.+
7 Prandaj u bënë shenjë ortakëve në varkën tjetër që të vinin e t’i ndihmonin. Ata erdhën dhe i mbushën të dyja varkat, aq sa gati po fundoseshin.
8 Me të parë këtë, Simon Pjetri ra në gjunjë para Jezuit dhe i tha: «Largohu prej meje, Zotëri, se jam njeri mëkatar!»
9 Vërtet, zunë aq shumë peshq, sa u shtangën nga habia, ai dhe të gjithë ata që ishin me të,
10 ku përfshiheshin edhe ortakët e Simonit, Jakovi me Gjonin, bijtë e Zebedeut.+ Por Jezui i tha Simonit: «Mos ki më frikë. Që tani e tutje do të zësh njerëz e jo peshq.»+
11 Atëherë ata u kthyen, i nxorën varkat në breg, braktisën çdo gjë dhe e ndoqën.+
12 Një herë tjetër, kur ishte në një qytet, ai pa një burrë plot lebër. Kur vuri re Jezuin, ai u përkul me fytyrë përtokë dhe iu përgjërua: «Zotëri, po të duash, ti mund të më pastrosh.»+
13 Ai zgjati dorën, e preku dhe i tha: «Po, dua! Pastrohu.» Menjëherë lebra iu zhduk.+
14 Pastaj e urdhëroi të mos i tregonte askujt dhe i tha: «Por shko, paraqitu te prifti dhe jep blatimin për pastrimin tënd, ashtu siç udhëzoi Moisiu,+ si dëshmi që je shëruar.»*+
15 Mirëpo fjala për të po përhapej edhe më shumë, dhe turma të mëdha mblidheshin që të dëgjonin e të shëroheshin nga sëmundjet.+
16 Gjithsesi Jezui shkonte shpesh në vende të veçuara që të lutej.
17 Një ditë, kur Jezui po mësonte, ishin të pranishëm edhe farisenj e mësues të Ligjit, të cilët kishin ardhur nga çdo fshat i Galilesë, i Judesë dhe nga Jerusalemi e po rrinin ulur. Ai kishte fuqinë e Jehovait* për të shëruar sëmundjet.+
18 Kur ja, disa burra po sillnin me vig* një të paralizuar dhe po përpiqeshin ta çonin brenda e ta vinin para Jezuit.+
19 Por, ngaqë nuk po e futnin dot brenda për shkak të turmës, u ngjitën në çati, hoqën një pjesë të tjegullave dhe e zbritën me gjithë vig tamam mes njerëzve që ishin para Jezuit.
20 Kur pa besimin e tyre, Jezui i tha të paralizuarit: «Mëkatet e tua janë falur.»+
21 Menjëherë skribët dhe farisenjtë nisën të mendonin me vete: «Kush është ky që blasfemon?* Kush mund të falë mëkatet, përveç njërit, Perëndisë?!»+
22 Duke dalluar ç’po mendonin, Jezui iu përgjigj: «Pse keni këto mendime në zemër?
23 Çfarë është më e lehtë të thuash: ‘Mëkatet e tua janë falur’, apo: ‘Ngrihu dhe ec.’
24 Megjithatë, që ta dini se Biri i njeriut ka autoritet në tokë të falë mëkatet . . .», ai i tha të paralizuarit: «Unë të them, ngrihu, merr vigun dhe shko në shtëpi.»+
25 Ai u ngrit menjëherë në sy të të gjithëve, mori vigun dhe iku në shtëpi duke i dhënë lavdi Perëndisë.
26 Atëherë të gjithë mbetën gojëhapur dhe nisën t’i jepnin lavdi Perëndisë. Ata thoshin të mahnitur: «Sot kemi parë gjëra të mrekullueshme!»
27 Pas këtyre gjërave, Jezui doli dhe pa një taksambledhës që quhej Levi, të ulur në zyrën e taksave, dhe i tha: «Bëhu dishepulli im.»*+
28 Ai la pas çdo gjë, u çua dhe filloi ta ndiqte.
29 Më vonë, Levi shtroi për Jezuin një gosti të madhe në shtëpinë e vet. Atje ishin edhe shumë taksambledhës e të tjerë që po hanin* bashkë me ta.+
30 Kur panë këtë, farisenjtë dhe skribët e tyre nisën të murmuritnin kundër tij e t’u thoshin dishepujve: «Pse hani e pini me taksambledhësit dhe mëkatarët?»+
31 Jezui u tha: «Të shëndetshmit nuk kanë nevojë për mjek, kurse të sëmurët, po.+
32 Unë nuk erdha të thërras të drejtët, por mëkatarët, që të pendohen.»+
33 Disa i thanë: «Dishepujt e Gjonit agjërojnë shpesh dhe bëjnë përgjërime. Po njësoj bëjnë edhe ata të farisenjve, kurse dishepujt e tu hanë e pinë.»+
34 Jezui u tha: «Ju s’mund t’i detyroni miqtë e dhëndrit të agjërojnë ndërsa dhëndri është me ta, apo jo?
35 Por do të vijnë ditët kur do t’ua marrin dhëndrin,+ dhe atëherë, ato ditë do të agjërojnë.»+
36 Më tej u bëri një ilustrim: «Askush nuk pret një copë nga një rrobë e re që të arnojë një të vjetër, sepse copa e re shqyhet dhe nuk përshtatet me të vjetrën.+
37 Po ashtu, askush nuk hedh verë të re në kacekë të vjetër, sepse vera e re i çan kacekët, e kështu vera derdhet dhe kacekët prishen.
38 Por vera e re hidhet në kacekë të rinj.
39 Askush që ka pirë verë të vjetër, nuk do verë të re, sepse thotë: ‘E vjetra është e mirë.’»
Shënimet
^ Domethënë, Detit të Galilesë.
^ Fjalë për fjalë «si dëshmi për ta». Ka të ngjarë t’u referohet priftërinjve.
^ Shih Shtojcën A5.
^ Ose «shtrat portativ».
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «ithtari im».
^ Ose «ishin shtruar në tryezë».