Sipas Lukës 6:1-49

  • Jezui, ‘Zotëri i Sabatit’ (1-5)

  • Shërohet njeriu me dorë të tharë (6-11)

  • 12 apostujt (12-16)

  • Jezui mëson dhe shëron (17-19)

  • Lumturitë dhe mjerimet (20-26)

  • Dashuria për armiqtë (27-36)

  • Mos gjykoni më (37-42)

  • Njihen nga frytet (43-45)

  • Shtëpia e ndërtuar mirë; shtëpia pa themele të forta (46-49)

6  Një ditë sabati ai po kalonte përmes arave me grurë dhe dishepujt e tij po këputnin e po hanin kallinj gruri+ duke i shkoqur me duar.+  Kur e panë këtë, disa farisenj pyetën: «Pse bëni atë që nuk është e ligjshme në Sabat?»+  Por Jezui iu përgjigj: «Asnjëherë nuk e keni lexuar çfarë bëri Davidi kur e mori uria atë dhe burrat që ishin me të?+  A nuk hyri ai në shtëpinë e Perëndisë, ku i dhanë bukët e paraqitjes,* të cilat nuk është e ligjshme t’i hajë askush përveç priftërinjve, dhe a nuk hëngri vetë dhe u dha edhe burrave që ishin me të?»+  Më tej vazhdoi: «Biri i njeriut është Zotëri i Sabatit.»+  Një ditë tjetër sabati,+ ai hyri në sinagogë dhe nisi të mësonte. Atje ishte një burrë me dorën e djathtë të tharë.*+  Skribët dhe farisenjtë po e shikonin me kujdes Jezuin nëse do ta shëronte në Sabat, që të gjenin ndonjë arsye për ta akuzuar.  Mirëpo ai e dinte ç’po mendonin,+ prandaj i tha burrit me dorë të tharë:* «Ngrihu dhe qëndro këtu në mes.» Ai u ngrit dhe qëndroi aty.  Atëherë Jezui vazhdoi: «Po ju pyes: a është e ligjshme të bësh mirë apo të bësh keq në Sabat, ta shpëtosh apo ta vrasësh dikë?»*+ 10  Pasi i pa të gjithë rreth e rrotull, i tha burrit me dorë të tharë: «Shtrije dorën!» Ai e shtriu, dhe dora iu shërua. 11  Por ata u tërbuan fare dhe nisën të flitnin me njëri-tjetrin çfarë t’i bënin Jezuit. 12  Një nga ato ditë, ai shkoi në mal që të lutej+ dhe kaloi gjithë natën duke iu lutur Perëndisë.+ 13  Kur zbardhi dita, thirri pranë dishepujt dhe zgjodhi 12 prej tyre, të cilët i quajti apostuj:+ 14  Simonin, të cilin e quajti edhe Pjetër, Andrean, vëllanë e tij, Jakovin, Gjonin, Filipin,+ Bartolomeun, 15  Mateun, Thomain,+ Jakovin, të birin e Alfeut, Simonin, që quhet i Zellshmi, 16  Judën, të birin e Jakovit, dhe Judë Iskariotin, i cili u bë tradhtar. 17  Pastaj zbriti nga mali bashkë me ta dhe qëndroi në një rrafshinë. Atje ishte një turmë e madhe me dishepuj dhe kishte edhe shumë njerëz nga gjithë Judea, Jerusalemi dhe nga bregdeti i Tirit e i Sidonit, që kishin ardhur ta dëgjonin dhe të shëroheshin nga sëmundjet. 18  Madje shëroheshin edhe ata që i shqetësonin frymërat e ndyra.* 19  Gjithë turma kërkonte ta prekte, sepse nga ai po dilte fuqi+ dhe po i shëronte të gjithë. 20  Ai ngriti sytë nga dishepujt dhe nisi të thoshte: «Lum ju, o të varfër, sepse juaja është Mbretëria e Perëndisë!+ 21  Lum ju që tani keni uri, sepse do të ngopeni!+ Lum ju që tani qani, sepse do të qeshni!+ 22  Lum ju kur njerëzit t’ju urrejnë,+ t’ju mënjanojnë+ e t’ju poshtërojnë dhe t’jua njollosin emrin* për shkak të Birit të njeriut. 23  Gëzoni atë ditë dhe ngazëlloni, se i madh është shpërblimi juaj në qiell, sepse të njëjtat gjëra u bënin profetëve edhe paraardhësit e tyre.+ 24  Por mjerë ju, o të pasur,+ sepse tashmë e keni marrë të plotë ngushëllimin* tuaj!+ 25  Mjerë ju që tani jeni të ngopur, sepse do të vuani urie! Mjerë ju që tani qeshni, sepse do të vajtoni e do të qani!+ 26  Mjerë ju, kur të gjithë njerëzit të flasin mirë për ju,+ sepse kështu bënë edhe paraardhësit e tyre me profetët e rremë! 27  Kurse juve që ua vini veshin këtyre fjalëve, po ju them: vazhdoni të doni armiqtë tuaj, t’u bëni mirë atyre që ju urrejnë,+ 28  të bekoni ata që ju mallkojnë dhe të luteni për ata që ju fyejnë.+ 29  Atij që të jep një shuplakë në njërën faqe, ktheji edhe tjetrën. Atij që të merr mantelin,* mos ia mbaj as veshjen tjetër.*+ 30  Jepi kujtdo që të kërkon;+ dhe, nëse dikush merr gjërat e tua, mos kërko të t’i kthejë prapë. 31  Po ashtu, siç dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, po njësoj bëni edhe ju për ta.+ 32  Ç’meritë keni nëse doni vetëm ata që ju duan? Se edhe mëkatarët duan ata që i duan.+ 33  Ç’meritë keni nëse u bëni mirë vetëm atyre që ju bëjnë mirë? Edhe mëkatarët bëjnë po njëlloj. 34  Gjithashtu, ç’meritë keni nëse u jepni borxh* vetëm atyre që prisni t’jua kthejnë prapë?+ Edhe mëkatarët u japin borxh mëkatarëve, që t’u kthejnë po aq. 35  Përkundrazi, vazhdoni të doni armiqtë tuaj, të bëni mirë dhe të jepni borxh duke mos shpresuar që t’ju kthehet gjë.+ Atëherë shpërblimi juaj do të jetë i madh dhe do të jeni bij të Më të Lartit, sepse ai tregohet zemërmirë edhe me mosmirënjohësit e me të ligjtë.+ 36  Vazhdoni të jeni të mëshirshëm, ashtu si është i mëshirshëm Ati juaj.+ 37  Përveç këtyre, mos gjykoni më, dhe nuk do të gjykoheni kurrsesi;+ mos i dënoni më të tjerët, dhe nuk do të dënoheni kurrsesi. Vazhdoni të falni, dhe do t’ju falin.*+ 38  Bëjeni zakon të jepni, dhe do t’ju japin.+ Do t’ju derdhin në prehër* një sasi të bollshme, të tundur e të ngjeshur, gati sa të derdhet; sepse do t’ju japin me po atë masë që jepni.» 39  Pastaj u tregoi edhe disa ilustrime: «A e drejton dot i verbri të verbrin?! A nuk do të bien të dy në gropë?!+ 40  Nxënësi* nuk është më i madh se mësuesi, por kushdo që mësohet plotësisht,* do të bëhet si mësuesi. 41  Pse, atëherë, shikon lëmishten në syrin e vëllait dhe nuk vëren traun në syrin tënd?+ 42  Si mund t’i thuash vëllait: ‘Vëlla, prit pak të të heq lëmishten nga syri’, kur ti vetë nuk sheh traun në syrin tënd? Hipokrit! Hiq më parë traun nga syri yt, e pastaj do të shohësh qartë si të heqësh lëmishten nga syri i vëllait. 43  Asnjë pemë e mirë nuk prodhon fryt të kalbur, dhe asnjë pemë e kalbur nuk prodhon fryt të mirë.+ 44  Çdo pemë njihet nga frytet që jep.+ Për shembull, nga gjembat nuk mblidhen fiq, as nga ferra nuk vilet rrush. 45  Njeriu i mirë nxjerr gjëra të mira nga thesari i mirë i zemrës së vet, por i ligu nxjerr gjëra të liga nga thesari i vet i lig, sepse goja e tij flet nga bollëku i zemrës.+ 46  Pse, pra, më thërritni ‘Zotëri, Zotëri!’, por nuk bëni atë që them?+ 47  Ja si është ai që vjen tek unë dhe i dëgjon e i zbaton fjalët e mia:+ 48  është si një njeri që, kur ndërtoi një shtëpi, gërmoi thellë dhe e hodhi themelin në shkëmb. Prandaj, kur erdhi përmbytja, lumi u përplas pas shtëpisë, por nuk pati aq forcë sa ta lëvizte vendit, sepse ishte ndërtuar mirë.+ 49  Kurse ai që i dëgjon dhe nuk i zbaton,+ është si një njeri që ndërtoi një shtëpi në tokë, por nuk i hodhi themele. Lumi u përplas pas saj, dhe ajo u shemb menjëherë e u rrënua e tëra.»

Shënimet

Ose «të paralizuar».
Ose «të paralizuar».
Ose «një shpirt?»
Shih Fjalorthin, «Demonët».
Ose «t’ju nxjerrin nam të keq».
Ose «shpërblimin».
Ose «veshjen e sipërme».
Ose «veshjen e brendshme».
Domethënë, hua pa përqindje interesi.
Ose «Vazhdoni t’i shfajësoni të tjerët, dhe do t’ju shfajësojnë».
Ose «në palën e veshjes».
Ose «Dishepulli».
Ose «në mënyrë të përsosur».