Sipas Lukës 9:1-62

  • Të Dymbëdhjetëve u jepen udhëzime për shërbimin (1-6)

  • Herodi, në mëdyshje për Jezuin (7-9)

  • Jezui ushqen 5.000 burra (10-17)

  • Pjetri identifikon Krishtin (18-20)

  • Jezui parathotë vdekjen e tij (21, 22)

  • Dishepujt e vërtetë (23-27)

  • Shpërfytyrimi i Jezuit (28-36)

  • Shërohet djali i pushtuar nga demonët (37-43a)

  • Jezui parathotë sërish vdekjen e tij (43b-45)

  • Dishepujt debatojnë kush është më i madhi (46-48)

  • Kush nuk është kundër nesh, është me ne (49, 50)

  • Një fshat i Samarisë nuk e pranon Jezuin (51-56)

  • Si ta ndjekim Jezuin (57-62)

9  Atëherë Jezui i mblodhi të Dymbëdhjetët dhe u dha fuqi e autoritet mbi gjithë demonët,+ si edhe që të shëronin sëmundjet.+  Pastaj i dërgoi të predikonin Mbretërinë e Perëndisë e të bënin shërime,  dhe u tha: «Mos merrni asgjë udhës, as shkop, as trastë buke, as bukë, as pará* dhe as mos kini dy palë veshje.*+  Por, në cilëndo shtëpi që të hyni, qëndroni atje derisa të ikni nga ai qytet.+  Atje ku nuk ju pranojnë, me të dalë nga ai qytet, shkundni pluhurin nga këmbët, si dëshmi kundër tyre.»+  Atëherë ata u nisën, përshkuan territorin nga fshati në fshat, duke shpallur lajmin e mirë dhe duke shëruar kudo.+  Tani, Herodi,* sundimtari i krahinës,* dëgjoi për të gjitha gjërat që po ndodhnin dhe ishte shumë në mëdyshje, ngaqë disa thoshin se Gjoni ishte ngritur nga të vdekurit,+  disa të tjerë se ishte shfaqur Elija dhe të tjerë akoma se ishte ngritur nga të vdekurit një nga profetët e lashtë.+  Herodi tha: «Gjonit ia preva kokën.+ Kush është ky, pra, për të cilin po dëgjoj gjëra të tilla?» Kështu po kërkonte ta shihte me sytë e vet.+ 10  Kur u kthyen, apostujt i treguan Jezuit gjithë gjërat që kishin bërë.+ Atëherë ai i mori me vete dhe u larguan që të rrinin vetëm në një qytet të quajtur Betsaidë.+ 11  Por, me ta marrë vesh, turmat i shkuan nga pas. Ai i priti përzemërsisht dhe nisi t’u fliste për Mbretërinë e Perëndisë, si dhe shëroi të sëmurët.+ 12  Ndërkaq po fillonte të errej. Kështu të Dymbëdhjetët vajtën dhe i thanë: «Thuaju njerëzve të shkojnë nëpër rrethinat dhe fshatrat këtu afër që të gjejnë strehë e ushqim, sepse këtu jemi në një vend të veçuar.»+ 13  Por ai u tha: «Jepuni ju diçka për të ngrënë.»+ Ata ia kthyen: «Këtu s’kemi gjë tjetër përveç pesë bukëve dhe dy peshqve, vetëm po të shkojmë ne të blejmë ushqim për gjithë këta njerëz.» 14  Në fakt ishin rreth 5.000 burra. Gjithsesi Jezui u tha dishepujve: «Thuajuni të ulen në grupe me rreth 50 veta.» 15  Prandaj ata bënë ashtu dhe u thanë të gjithëve të uleshin. 16  Ai i mori pesë bukët e dy peshqit, ngriti sytë nga qielli dhe falënderoi Perëndinë.* Pastaj theu bukët dhe filloi t’ua jepte dishepujve bukët dhe peshqit që t’i shpërndanin. 17  Kështu të gjithë hëngrën dhe u ngopën. Pastaj mblodhën copat që kishin tepruar: 12 shporta.+ 18  Më vonë, kur po lutej vetëm, erdhën dishepujt, dhe ai i pyeti: «Çfarë thonë turmat: kush jam unë?»+ 19  Ata iu përgjigjën: «Disa thonë Gjon Pagëzori, të tjerë Elija dhe të tjerë akoma një nga profetët e lashtë që është ngritur nga të vdekurit.»+ 20  Atëherë i pyeti prapë: «Po ju, ç’thoni: kush jam unë?» Pjetri iu përgjigj: «Krishti i Perëndisë.»+ 21  Pastaj, duke u folur prerazi, ai i urdhëroi të mos ia tregonin këtë askujt+ 22  dhe u tha: «Biri i njeriut duhet të heqë shumë vuajtje, të hidhet poshtë nga pleqtë, nga krerët e priftërinjve e nga skribët, dhe të vritet,+ por ditën e tretë do të ngrihet nga të vdekurit.»+ 23  Pastaj vazhdoi t’u thoshte të gjithëve: «Nëse dikush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten,+ të marrë ditë për ditë shtyllën e vet të torturës* dhe të më ndjekë vazhdimisht,+ 24  sepse kushdo që dëshiron ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë, por kushdo që e humbet jetën e vet për hirin tim, do ta shpëtojë.+ 25  Vërtet, ç’dobi ka njeriu nëse fiton gjithë botën, por e shkatërron dhe e humbet jetën?+ 26  Në fakt, nëse dikujt i vjen turp për mua dhe për fjalët e mia, edhe Birit të njeriut do t’i vijë turp për të kur të vijë në lavdinë e vet, të Atit të tij dhe të engjëjve të shenjtë.+ 27  Vërtet po ju them se disa nga këta që po qëndrojnë këtu, nuk do ta provojnë kurrsesi vdekjen pa e parë më parë Mbretërinë e Perëndisë.»+ 28  Faktikisht, rreth tetë ditë pas këtyre fjalëve, ai mori me vete Pjetrin, Gjonin e Jakovin dhe u ngjit në mal për t’u lutur.+ 29  Ndërsa po lutej, fytyra i mori tjetër pamje dhe rrobat iu bënë të bardha e të shndritshme. 30  Kur ja, u shfaqën dy burra që po bisedonin me të: Moisiu dhe Elija. 31  Këta u shfaqën gjithë lavdi dhe filluan të flitnin për largimin e tij që duhej të ndodhte* në Jerusalem.+ 32  Ndërkohë, Pjetri dhe ata që ishin me të, po dremitnin, por, kur u doli mirë gjumi, panë lavdinë e tij+ dhe dy burrat që qëndronin me të. 33  Kur Pjetri pa se këta po largoheshin nga Jezui, i tha: «Mësues, sa mirë që jemi këtu me ty. Na lër të ngremë tri tenda: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elijan.» Por ai s’e kishte idenë çfarë po thoshte. 34  Ndërsa po fliste, u formua një re që nisi t’u bënte hije e t’i mbulonte pak nga pak, dhe ata u frikësuan. 35  Një zë+ u dëgjua nga reja: «Ky është Biri im, ai që kam zgjedhur.+ Dëgjojeni.»+ 36  E ndërsa dëgjohej zëri, ata vunë re që Jezui kishte mbetur vetëm, por nuk bënë zë dhe nuk i treguan askujt në atë kohë për gjërat që panë.+ 37  Të nesërmen, kur zbritën nga mali, Jezuit i doli para një turmë e madhe.+ 38  Një burrë nga turma thërriste: «Mësues, të lutem, eja ta ndihmosh* djalin tim, se e kam djalë të vetëm.+ 39  Atë e kap një frymë e ndyrë* dhe papritur ai fillon të bërtasë. Kurse ajo e përpëlit, e bën të nxjerrë shkumë nga goja dhe, pasi e ka munduar shumë, mezi e lëshon. 40  Iu luta dishepujve të tu ta dëbonin, por ata nuk mundën.» 41  Atëherë Jezui i tha turmës: «O brez pa besim dhe i shtrembër!+ Edhe sa duhet të rri me ju? Edhe sa duhet t’ju duroj? Ma sill këtu djalin.»+ 42  Por, ndërkohë që djali po afrohej, demoni e përplasi përtokë dhe e përpëliti mizorisht. Mirëpo Jezui e qortoi frymën e ndyrë, e shëroi djalin dhe ia dha përsëri të atit. 43  Të gjithë mbetën gojëhapur nga fuqia madhështore e Perëndisë. E ndërkohë që të gjithë ishin të mahnitur nga gjithçka që po bënte Jezui, ai u tha dishepujve të vet: 44  «Vëruni veshin këtyre fjalëve dhe mbajini mend: Birin e njeriut do ta tradhtojnë e do ta dorëzojnë në duart e njerëzve.»+ 45  Mirëpo ata nuk e kuptuan ç’po u thoshte. Faktikisht, kuptimi i këtyre fjalëve u mbajt i fshehur që të mos e kapnin domethënien, dhe ata kishin frikë ta pyetnin. 46  Pastaj nisën të debatonin me njëri-tjetrin kush ishte më i madhi.+ 47  Duke e ditur çfarë kishin në zemër, Jezui mori një fëmijë të vogël, e afroi pranë 48  dhe u tha: «Kushdo që e pranon këtë fëmijë të vogël në emrin tim, më pranon edhe mua, dhe kushdo që më pranon mua, pranon edhe Atë që më dërgoi,+ sepse ai që e sheh veten si të vogël* mes jush, pikërisht ai është i madh.»+ 49  Tani Gjoni i tha: «Mësues, pamë një njeri që dëbonte demonë në emrin tënd dhe u munduam ta pengonim, sepse ai nuk është me ne.»+ 50  Por Jezui ia ktheu: «Mos u mundoni ta pengoni, sepse kush nuk është kundër jush, është me ju.» 51  Ndërsa po afronte dita që Jezui të merrej lart në qiell,+ ai ishte shumë i vendosur të shkonte në Jerusalem. 52  Prandaj dërgoi përpara disa lajmëtarë, të cilët shkuan dhe hynë në një fshat të samaritanëve, që të bënin përgatitjet për ardhjen e tij. 53  Por banorët e fshatit nuk e mirëpritën,+ meqë ai ishte i vendosur të shkonte* në Jerusalem. 54  Kur e vunë re këtë, dy nga dishepujt e tij, Jakovi dhe Gjoni,+ e pyetën: «Zotëri, a dëshiron të kërkojmë që të zbresë zjarr nga qielli dhe t’i shfarosë?»+ 55  Por ai u kthye dhe i qortoi. 56  Kështu shkuan në një fshat tjetër. 57  Tani, rrugës dikush i tha: «Unë do të vij pas teje kudo që të shkosh.» 58  Por Jezui ia ktheu: «Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit kanë fole, kurse Biri i njeriut s’ka ku të mbështetë kokën.»+ 59  Pastaj i tha një tjetri: «Bëhu dishepulli im.»* Por ky iu përgjigj: «Zotëri, më lejo më parë të iki e të varros tim atë.»+ 60  Por ai ia ktheu: «Lëri të vdekurit+ të varrosin të vdekurit, kurse ti shko dhe shpall kudo Mbretërinë e Perëndisë.»+ 61  Një tjetër i tha: «Unë do të të ndjek, Zotëri, por më lejo më parë t’u them lamtumirë njerëzve të shtëpisë.» 62  Jezui iu përgjigj: «Kush e ka vënë dorën në parmendë dhe shikon gjërat që ka lënë prapa,+ nuk është i përshtatshëm për Mbretërinë e Perëndisë.»+

Shënimet

Ose «një veshje shtesë».
Fjalë për fjalë «argjend».
Domethënë, Herod Antipa. Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «tetrarku».
Fjalë për fjalë «i bekoi».
Fjalë për fjalë «të përmbushej».
Fjalë për fjalë «ta shohësh».
Shih Fjalorthin, «Demonët».
Ose «është i përulur».
Fjalë për fjalë «fytyra e tij ishte drejtuar për».
Fjalë për fjalë «ithtari im».