Sipas Markut 5:1-43
5 Më pas mbërritën në anën tjetër të detit, në rajonin e gerazenëve.+
2 Sapo zbriti nga varka, nga varrezat* erdhi një njeri që ishte nën fuqinë e një fryme të ndyrë.*
3 Ai strehohej atje dhe deri në atë kohë askush nuk ishte në gjendje ta mbante të lidhur, as me zinxhir.
4 Shpeshherë e kishin lidhur me vargonj e zinxhirë, por zinxhirët i kishte këputur dhe vargonjtë i kishte bërë copë-copë. Askush nuk e bënte dot zap.
5 Natë e ditë, bërtiste nëpër varre e nëpër male dhe e gjakoste veten me gurë.
6 Por, sapo vuri re nga larg Jezuin, vrapoi dhe u përkul me fytyrë përtokë para tij.+
7 Pastaj thirri me zë të lartë: «Ç’punë ke me mua, o Jezu, Bir i Perëndisë Më të Lartë? Të vë në be për Perëndinë, mos më mundo!»,+
8 ngaqë Jezui i kishte thënë: «Dil nga ai njeri, ti, frymë e ndyrë!»+
9 Mirëpo Jezui e pyeti: «Si e ke emrin?» Dhe ai iu përgjigj: «Legjion, sepse jemi shumë.»
10 Pastaj iu përgjërua shumë herë Jezuit që të mos i dërgonte frymërat jashtë atij rajoni.+
11 Aty afër malit po kulloste një tufë e madhe derrash.+
12 Kështu ata iu përgjëruan: «Na dërgo te derrat që të futemi tek ata.»
13 Dhe ai i lejoi. Atëherë frymërat e ndyra dolën, u futën te derrat, dhe tufa u turr drejt greminës* e ra në det; u mbytën rreth 2.000 krerë.
14 Kurse çobanët e tyre ia mbathën dhe e çuan lajmin në qytet e në fshat, prandaj njerëzit erdhën të shihnin ç’kishte ndodhur.+
15 Erdhën te Jezui dhe panë njeriun e pushtuar nga demonët, atë që kishte pasur legjionin, të ulur, të veshur e me mendje në rregull, dhe i zuri frika.
16 Ata që e kishin parë ngjarjen, u treguan ç’kishte ndodhur me të pushtuarin nga demonët dhe me derrat.
17 Atëherë ata filluan t’i përgjëroheshin që të ikte nga rajoni i tyre.+
18 Tani, kur Jezui po hipte në varkë, njeriu që kishte qenë i pushtuar nga demonët, iu përgjërua të shkonte me të.+
19 Por ai nuk e la dhe i tha: «Shko në shtëpi te njerëzit e tu dhe tregoju të gjitha gjërat që bëri Jehovai* për ty dhe si të tregoi mëshirë.»
20 Ai iku dhe filloi të shpallte në Dekapoli* tërë ato që bëri Jezui për të, dhe të gjithë njerëzit u mahnitën.
21 Jezui kaloi sërish me varkë në bregun tjetër dhe, kur ishte buzë detit, pranë tij u mblodh një turmë e madhe.+
22 Aty erdhi një nga të parët e sinagogës me emrin Jair dhe, kur e pa, i ra ndër këmbë+
23 e iu përgjërua shumë herë: «Vajza ime e vogël është shumë rëndë.* Të lutem, eja e vër duart mbi të,*+ që të shërohet e të jetojë.»
24 Dhe Jezui vajti. Një turmë e madhe e ndiqte dhe shtyhej pas tij.
25 Aty ishte edhe një grua që kishte rrjedhje gjaku+ nga 12 vjet.+
26 Ajo kishte vuajtur tepër nga shumë mjekë dhe kishte harxhuar gjithë pasurinë, por nuk ishte bërë më mirë, përkundrazi, ishte bërë më keq.
27 Kur dëgjoi për Jezuin, ajo iu afrua nga pas përmes turmës dhe i preku rrobën,+
28 sepse thoshte: «Sikur vetëm rrobat t’i prek, do të shërohem.»+
29 Rrjedhja e gjakut u ndal në çast dhe ajo e ndjeu në trup se u shërua nga sëmundja e rëndë.
30 Menjëherë Jezui e kuptoi se nga ai doli fuqi,+ prandaj u kthye nga turma dhe pyeti: «Kush m’i preku rrobat?»+
31 Por dishepujt iu përgjigjën: «Ti e sheh turmën që po shtyhet pas teje dhe thua: ‘Kush më preku?!’»
32 Megjithatë ai po shikonte rreth e rrotull që të kuptonte kush e preku.
33 Por gruaja, e trembur dhe duke u dridhur, ngaqë e dinte ç’i kishte ndodhur, erdhi e ra në gjunjë para tij dhe i tregoi gjithë të vërtetën.
34 Ai i tha: «Bijë, besimi yt të shëroi. Shko në paqe+ dhe qofsh shëndoshë e mirë, sepse sëmundja jote e rëndë kaloi.»+
35 Ai ishte ende duke folur, kur nga shtëpia e të parit të sinagogës erdhën disa burra dhe thanë: «Vajza jote vdiq! Pse ta shqetësosh akoma Mësuesin?!»+
36 Por, me t’i kapur veshi këto fjalë, Jezui i tha të parit të sinagogës: «Mos ki frikë, vetëm trego besim.»+
37 Pastaj nuk la asnjë që ta ndiqte, përveç Pjetrit, Jakovit dhe Gjonit, vëllait të Jakovit.+
38 Kur arritën në shtëpinë e të parit të sinagogës, ai pa rrëmujën dhe njerëzit që qanin e vajtonin me të madhe.+
39 Pasi hyri brenda, u tha atyre: «Pse po qani dhe po bëni gjithë këtë rrëmujë? Fëmija nuk ka vdekur, por po fle.»+
40 Atëherë ata nisën të qeshnin me të dhe ta tallnin. Mirëpo ai i nxori të gjithë jashtë, mori me vete të atin dhe të ëmën e fëmijës, bashkë me ata që ishin me të, dhe hyri aty ku ishte fëmija.
41 Pastaj e kapi për dore fëmijën dhe i tha: «Tálitha kúmi», që kur përkthehet, do të thotë: «Vogëlushe, po të them: ngrihu!»+
42 Menjëherë vajza u ngrit e nisi të ecte. (Ajo ishte 12 vjeçe.) Kur panë këtë, ata nuk i mbante vendi nga gëzimi.
43 Por ai i urdhëroi shumë herë* që të mos e merrte vesh askush.+ Pastaj u tha t’i jepnin asaj diçka për të ngrënë.
Shënimet
^ Shih Fjalorthin, «Demonët».
^ Ose «nga varret përkujtimore».
^ Ose «drejt rrëpirës».
^ Shih Shtojcën A5.
^ Ose «rajonin me dhjetë qytete».
^ Shih Fjalorthin, «Vënia e duarve».
^ Ose «është në prag të vdekjes».
^ Ose «i urdhëroi rreptësisht».