Sipas Markut 6:1-56
6 Ai u largua që andej, vajti në vendin e vet+ dhe dishepujt i shkuan pas.
2 Kur erdhi Sabati, filloi të mësonte në sinagogë. Shumica e atyre që e dëgjonin, u habitën dhe thanë: «Ku i mësoi ky njeri këto gjëra?+ Pse t’i jetë dhënë këtij njeriu kjo mençuri dhe pse duart e tij kryejnë vepra kaq të fuqishme?+
3 Ky është zdrukthëtari,+ i biri i Marisë+ dhe vëllai i Jakovit,+ i Jozefit, i Judës dhe i Simonit,+ apo jo? A nuk jetojnë motrat e tij mes nesh?» Për këtë arsye nuk besuan tek ai.*
4 Por Jezui u tha: «Vetëm në vendin e vet, në farefisin dhe në shtëpinë e vet nuk nderohet profeti.»+
5 Prandaj atje nuk bëri asnjë vepër të fuqishme, por shëroi vetëm disa të sëmurë duke vënë duart mbi ta.*
6 Në të vërtetë, u çudit që atyre u mungonte besimi. Pastaj u ra qark fshatrave duke mësuar.+
7 Më pas thirri të Dymbëdhjetët, filloi t’i dërgonte dy e nga dy+ dhe u dha autoritet të dëbonin frymërat e ndyra.*+
8 Gjithashtu i udhëzoi që, përveç një shkopi, të mos merrnin asgjë udhës—as bukë, as trastë buke, as pará* në brezat* e tyre+—
9 por të vishnin sandale e të mos merrnin* dy palë veshje.*
10 Veç kësaj u tha: «Në cilëndo shtëpi që të hyni, qëndroni atje derisa të ikni nga ai qytet.+
11 Atje ku nuk ju pranojnë e nuk ju dëgjojnë, me të dalë që andej, shkundni dheun nga këmbët, si dëshmi kundër tyre.»+
12 Kështu ata u nisën e predikuan që njerëzit të pendoheshin,+
13 dëbuan shumë demonë,+ lyen me vaj shumë të sëmurë dhe i shëruan.
14 Tani, mbreti Herod dëgjoi të flitej për këtë, sepse emri i Jezuit u bë i njohur dhe njerëzit thoshin për të: «Gjon Pagëzori është ngritur nga të vdekurit, prandaj është në gjendje të kryejë gjithë këto vepra të fuqishme.»+
15 Kurse të tjerë thoshin: «Është Elija.» Të tjerë akoma thoshin: «Është profet, si gjithë profetët në lashtësi.»+
16 Por, kur Herodi dëgjoi për këtë, tha: «Është ngritur Gjoni, të cilit i preva kokën.»
17 Se vetë Herodi kishte dërguar njerëz që ta arrestonin Gjonin, ta vinin nën vargonj dhe ta futnin në burg për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, të vëllait, ngaqë e kishte marrë për grua.+
18 Gjoni i kishte thënë Herodit: «Nuk është e ligjshme të kesh gruan e vëllait tënd.»+
19 Prandaj Herodiada e kishte halë në sy Gjonin dhe donte ta vriste, por nuk po i dilte rasti.
20 Në të vërtetë, Herodi kishte frikë nga Gjoni, ngaqë e dinte se ishte njeri i drejtë dhe i shenjtë,*+ prandaj e mbronte. Sa herë që e dëgjonte, nuk dinte çfarë të bënte me të, gjithsesi e dëgjonte me kënaqësi.
21 Por dita e volitshme për Herodiadën erdhi kur Herodi shtroi për ditëlindjen+ e vet një darkë për zyrtarët e lartë, për komandantët e ushtrisë dhe për parinë e Galilesë.+
22 Atje shkoi vajza e Herodiadës; ajo kërceu dhe i pëlqeu Herodit e atyre që po hanin* me të. Prandaj mbreti i tha vajzës: «Më kërko ç’të duash dhe unë do të ta jap.»
23 Madje iu betua: «Çfarëdo që të më kërkosh, do të ta jap, po, edhe gjysmën e mbretërisë sime.»
24 Kështu ajo doli dhe pyeti të ëmën: «Çfarë t’i kërkoj?» E ëma iu përgjigj: «Kokën e Gjon Pagëzorit.»
25 Menjëherë vajza shkoi me vrap te mbreti dhe i bëri këtë kërkesë: «Dua të më japësh tani, në një tabaka, kokën e Gjon Pagëzorit.»+
26 Edhe pse mbretit nuk i erdhi fare mirë, nuk deshi ta shpërfillte kërkesën e saj për shkak të betimit që kishte bërë në sy të të ftuarve.*
27 Prandaj mbreti dërgoi menjëherë njërin nga truproja dhe e urdhëroi të sillte kokën e Gjonit. Kështu ai iku, i preu kokën në burg,
28 e solli në një tabaka, ia dha vajzës dhe ajo ia dha së ëmës.
29 Kur e dëgjuan këtë, dishepujt e Gjonit erdhën, e morën trupin dhe e futën në varr.*
30 Tani, apostujt u mblodhën para Jezuit dhe i treguan të gjitha ato që kishin bërë dhe u kishin mësuar njerëzve.+
31 Ai u tha: «Ejani të shkojmë në një vend të veçuar që të rrimë vetëm e të pushojmë pak»,+ sepse shkonin e vinin aq shumë veta, sa s’u dilte koha as për të ngrënë.
32 Kështu u nisën me varkë që të shkonin në një vend të veçuar, që të rrinin vetëm.+
33 Por njerëzit i panë kur po iknin dhe shumë veta e morën vesh këtë. Prandaj njerëz nga të gjitha qytetet u dhanë këmbëve dhe mbërritën atje para tyre.
34 Kur po zbriste nga varka, Jezui pa një turmë të madhe dhe u prek thellë,*+ sepse ishin si dele pa bari+ dhe nisi t’u mësonte shumë gjëra.+
35 Tashmë kishte vajtur vonë, prandaj dishepujt erdhën e i thanë: «Vendi është i veçuar dhe tani është bërë vonë.+
36 Thuaju njerëzve të shkojnë nëpër rrethinat dhe fshatrat këtu afër që të blejnë diçka për të ngrënë.»+
37 Ai iu përgjigj: «Jepuni ju diçka për të ngrënë.» Por ata i thanë: «Të ikim e të blejmë 200 denarë* bukë që t’ua japim njerëzve të hanë?!»+
38 Ai i pyeti: «Sa bukë keni? Shkoni e shihni!» Pasi kontrolluan, ata thanë: «Pesë, dhe dy peshq.»+
39 Ai u tha të gjithëve të shtroheshin në grupe në barin e blertë.+
40 Kështu ata u ulën në grupe prej 100 dhe 50 vetash.
41 Ai mori pesë bukët e dy peshqit, ngriti sytë nga qielli dhe falënderoi Perëndinë.*+ Pastaj theu bukët dhe filloi t’ua jepte dishepujve që t’i shpërndanin; i ndau edhe dy peshqit për të gjithë.
42 Kështu të gjithë hëngrën dhe u ngopën.
43 Pastaj mblodhën copat: 12 shporta plot, përveç peshqve që mbetën.+
44 Ata që hëngrën bukët, ishin 5.000 burra.
45 Atëherë, pa vonuar, u tha dishepujve të hipnin në varkë e të shkonin përpara në bregun tjetër, drejt Betsaidës, ndërkohë që ai niste turmën.+
46 Pasi përshëndeti turmën, iku në mal që të lutej.+
47 Kur ra mbrëmja, varka ishte në mes të detit, kurse ai ishte vetëm në tokë.+
48 Por, në orët e para të mëngjesit,* kur pa se ata po lundronin me mundim të madh, sepse erën e kishin kundër, ai shkoi drejt tyre duke ecur mbi det, dhe dukej sikur donte t’i kalonte.*
49 Kur e vunë re që po ecte mbi det, ata menduan: «Është një vegim!»* Dhe filluan të bërtisnin,
50 ngaqë të gjithë e panë dhe u trembën. Por ai u tha menjëherë: «Merrni zemër! Jam unë, mos kini frikë.»+
51 Pastaj hipi në varkë me ta, dhe era ra. Me të parë këtë, ata u mahnitën shumë,
52 sepse nuk e kishin kapur domethënien e mrekullisë së bukëve, ngaqë ende nuk e kishin hapur zemrën që të kuptonin.
53 Kur kaluan në bregun tjetër, mbërritën në Genesaret dhe ankoruan aty afër.+
54 Por, sapo zbritën nga varka, njerëzit e njohën Jezuin.
55 Ata shkuan shpejt e shpejt nëpër gjithë rajonin dhe filluan t’i sillnin të sëmurët me vigje* atje ku dëgjonin se ishte ai.
56 Kudo që hynte ai, nëpër fshatra, qytete ose rrethina, i vinin të sëmurët në sheshet e pazarit dhe i përgjëroheshin t’i preknin vetëm thekët e rrobës.+ Kështu të gjithë ata që i prekën thekët, u shëruan.
Shënimet
^ Fjalë për fjalë «nisën të pengoheshin për shkak të tij».
^ Shih Fjalorthin, «Vënia e duarve».
^ Shih Fjalorthin, «Demonët».
^ Fjalë për fjalë «bakër».
^ Domethënë, një lloj brezi me një vend të posaçëm për të mbajtur paratë.
^ Fjalë për fjalë «të mos vishnin».
^ Ose «një veshje shtesë».
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «ishin shtruar në tryezë».
^ Ose «e atyre që ishin shtruar në tryezë me të».
^ Ose «varr përkujtimor».
^ Ose «ndjeu keqardhje për ta».
^ Shih Shtojcën B14.
^ Fjalë për fjalë «i bekoi».
^ Fjalë për fjalë «në kohën e ndërresës së katërt të natës». Domethënë, rreth orës 3 të mëngjesit deri kur lind dielli.
^ Ose «dhe gati sa nuk i kaloi».
^ Ose «fanitje». Shih Fjalorthin, «Vegimi».
^ Ose «shtretër portativë».