Sipas Markut 9:1-50
-
Shpërfytyrimi i Jezuit (1-13)
-
Shërohet djali i pushtuar nga demonët (14-29)
-
«Gjithçka është e mundur për atë që ka besim» (23)
-
-
Jezui parathotë sërish vdekjen e tij (30-32)
-
Dishepujt debatojnë kush është më i madhi (33-37)
-
«Kush nuk është kundër nesh, është me ne» (38-41)
-
Gurë pengese (42-48)
-
«Kini kripë në jetën tuaj» (49, 50)
9 Jezui vazhdoi t’u thoshte: «Vërtet po ju them se disa nga këta që po qëndrojnë këtu, nuk do ta provojnë kurrsesi vdekjen pa e parë më parë Mbretërinë e Perëndisë tashmë në fuqi.»+
2 Gjashtë ditë më pas, Jezui mori me vete Pjetrin, Jakovin e Gjonin dhe i çoi në një mal të lartë, ku ishin vetëm. Atje ai u shpërfytyrua* para tyre+
3 dhe rrobat nisën t’i shkëlqenin e iu bënë shumë më të bardha nga ç’mund t’i zbardhë ndonjë zbardhues rrobash në tokë.
4 Atyre iu shfaqën edhe Elija me Moisiun, që bisedonin me Jezuin.
5 Atëherë Pjetri i tha Jezuit: «Rabi, sa mirë që jemi këtu me ty. Na lër të ngremë tri tenda: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elijan.»
6 Faktikisht ai s’dinte ç’të thoshte, sepse ishin shumë të frikësuar.
7 Pastaj u formua një re që i mbuloi, dhe një zë+ u dëgjua nga reja: «Ky është Biri im, Biri im i dashur.+ Dëgjojeni.»+
8 Menjëherë hodhën sytë rreth e rrotull, por nuk panë më asnjeri përveç Jezuit.
9 Kur po zbritnin nga mali, ai i urdhëroi rreptësisht të mos i tregonin askujt çfarë panë,+ derisa Biri i njeriut të ngrihej nga të vdekurit.+
10 Ata ua vunë veshin këtyre fjalëve,* por mes tyre flisnin se ç’do të thoshte kjo ngritje nga të vdekurit.
11 Pastaj filluan ta pyetnin: «Pse skribët thonë se më parë duhet të vijë Elija?»+
12 Ai iu përgjigj: «Po, është e vërtetë që më parë duhet të vijë Elija dhe të rivendosë gjithçka.+ Pse atëherë për Birin e njeriut është shkruar se do të vuajë shumë+ dhe do të trajtohet me përçmim?+
13 Kurse unë po ju them se Elija+ tashmë ka ardhur, dhe ata bënë me të çfarë deshën, ashtu siç është shkruar për të.»+
14 Kur po ktheheshin te dishepujt e tjerë, panë një turmë të madhe rreth tyre dhe skribët që debatonin me ta.+
15 Sapo vuri re Jezuin, turma u befasua dhe të gjithë vrapuan drejt tij për ta përshëndetur.
16 Atëherë ai i pyeti: «Për çfarë po debatoni?»
17 Një nga turma iu përgjigj: «Mësues, e kam sjellë tim bir te ti, sepse ka një frymë të ndyrë* që e lë të pagojë.*+
18 Kudo që e kap, e përplas përtokë dhe ai nxjerr shkumë nga goja, kërcet dhëmbët dhe s’ka më fuqi. U kërkova dishepujve të tu ta dëbonin, por ata nuk mundën.»
19 Atëherë ai i tha turmës: «O brez pa besim!+ Edhe sa duhet të rri me ju? Edhe sa duhet t’ju duroj? Ma sillni mua.»+
20 Kështu ia çuan atij, por, kur fryma e pa, e përpëliti në çast fëmijën. Pasi ra përtokë, ai rrokullisej e nxirrte shkumë nga goja.
21 Atëherë Jezui e pyeti të atin: «Sa kohë ka që i ndodh kjo?» Ai iu përgjigj: «Që nga fëmijëria.
22 Fryma e hedh shpesh në zjarr e në ujë që ta vrasë. Prandaj, nëse mund të bësh ndonjë gjë, ki mëshirë për ne dhe na ndihmo.»
23 Jezui i tha: «Pse thua ‘nëse mund’? Gjithçka është e mundur për atë që ka besim.»+
24 Menjëherë babai i fëmijës thirri: «Unë kam besim! Por më ndihmo të kem edhe më shumë besim.»+
25 Kur pa që një turmë po nxitonte drejt tyre, Jezui e qortoi frymën e ndyrë: «Ty, o frymë që e lë të pagojë e të shurdhër, të urdhëroj: dil dhe mos hyr më tek ai!»+
26 Pasi bërtiti dhe e përpëliti shumë fëmijën, ajo doli dhe djali dukej si i vdekur. Prandaj shumë thanë: «Ka vdekur!»
27 Por Jezui e kapi për dore dhe e ngriti, e djali u çua në këmbë.
28 Pasi hynë në një shtëpi, dishepujt e pyetën veçmas: «Pse ne nuk e dëbuam dot?»+
29 Ai iu përgjigj: «Ky lloj demoni mund të dalë veç me lutje.»
30 Që atje, u nisën dhe shkuan nëpër Galile, por ai nuk donte që ta merrte vesh njeri,
31 sepse po mësonte dishepujt e tij dhe po u thoshte: «Birin e njeriut do ta tradhtojnë dhe do ta dorëzojnë në duart e njerëzve, të cilët do ta vrasin.+ Por, edhe pse do ta vrasin, ai do të ngrihet nga të vdekurit tri ditë më vonë.»+
32 Mirëpo ata nuk i kuptuan këto fjalë dhe kishin frikë ta pyetnin.
33 Ndërkohë arritën në Kapernaum. Kur ishte brenda në shtëpi, ai i pyeti: «Për çfarë po debatonit rrugës?»+
34 Ata s’thanë asnjë fjalë, sepse rrugës kishin debatuar mes tyre se kush ishte më i madhi.
35 Atëherë ai u ul, thirri të Dymbëdhjetët dhe u tha: «Nëse dikush dëshiron të jetë i pari, le të jetë i fundit i të gjithëve dhe shërbëtor i të gjithëve.»+
36 Pastaj mori një fëmijë të vogël, e vuri në mes tyre, i hodhi dorën në qafë dhe u tha:
37 «Kushdo që pranon një fëmijë të vogël+ si ky në emrin tim, më pranon edhe mua. Dhe kushdo që më pranon mua, nuk më pranon vetëm mua, por edhe Atë që më dërgoi.»+
38 Gjoni i tha: «Mësues, pamë një njeri që dëbonte demonë në emrin tënd dhe u munduam ta pengonim, sepse ai nuk është me ne.»+
39 Por Jezui ia ktheu: «Mos u mundoni ta pengoni, sepse nuk ka njeri që të bëjë një vepër të fuqishme në emrin tim, e fill pas kësaj të kthehet kundër meje;
40 sepse kush nuk është kundër nesh, është me ne.+
41 Vërtet po ju them se ai që ju jep për të pirë një gotë ujë ngaqë i përkitni Krishtit,+ s’do ta humbasë kurrsesi shpërblimin e vet.+
42 Por, për këdo që pengon një nga këta të vegjël që kanë besim, do të ishte më mirë të vinte rreth qafës një gur të madh mulliri* e të hidhej në det.+
43 Nëse dora të bëhet pengesë, prite. Është më mirë të fitosh jetën i gjymtuar, sesa të shkosh me të dyja duart në Gehenë,* në zjarrin që nuk mund të shuhet.+
44 *——
45 Nëse këmba të bëhet pengesë, prite. Është më mirë të fitosh jetën i çalë, sesa të hidhesh me të dyja këmbët në Gehenë.*+
46 *——
47 Nëse syri yt të bëhet pengesë, flake tej.+ Është më mirë të hysh në Mbretërinë e Perëndisë me një sy, sesa të hidhesh me të dy sytë në Gehenë,*+
48 ku krimbat nuk ngordhin dhe zjarri nuk shuhet.+
49 Vërtet, gjithsecili do të kripet me zjarr.+
50 Kripa është e mirë. Mirëpo, nëse ajo e humb kripësinë, si do t’i ndreqet shija?+ Kini kripë në jetën tuaj*+ dhe ruani paqen me njëri-tjetrin.»+
Shënimet
^ Ose «u tjetërsua; u shndërrua».
^ Një mundësi tjetër «Nuk i treguan askujt».
^ Shih Fjalorthin, «Demonët».
^ Fjalë për fjalë «një frymë të pagojë».
^ Ose «një gur mulliri që e rrotullon një gomar».
^ Shih Fjalorthin.
^ Shih Shtojcën A3.
^ Shih Fjalorthin.
^ Shih Shtojcën A3.
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «në vetvete».